Ligjet me 3/5, Omari: Të votohen pas rishqyrtimit

Oct 28, 2011 | 20:40

Konstitucionalisti Luan Omari, i cili ishte i pranishëm në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste, tha se ligjet me 3/5 duhet të votohen por pasi të jenë rishqyrtuar.

Luan Omari

“Për ligjet me shumicë mendoj se ato ligje duhet të votohen, por duhet të votohen pasi të rishqyrtohen, sepse shumë prej tyre kanë kaluar në komisionet parlamentare pa mendimin e opozitës. Është e drejta e saj e ligjshme të kërkojë rishqyrtimin një për një të ligjeve, në mënyrë që të pasqyrohen në ligjet e miratuara edhe të drejtat e opozitës.”- th ai.

Ndërkaq, Omari, dokumentin e shpërndarë sot nga PS-ja në tryezën për reformën në drejtësi, e quajti një platformë të mirë e cila i përgjigjet problemeve që shqetësojnë drejtësinë shqiptare në këto momente.

“Mendoj se reforma e prokurorisë nuk mund të ndahet nga reforma e gjyqësorit. Esenciale është forcimi i pavarësisë të prokurorisë, i cili edhe formalisht është shprehur me ndryshimin që është bërë nenit përkatës që parashikon reaksionin e prokurorit me kuvendin”- tha Omari në fjalën e tij.

Sugjerimi i tij është që të shikohet mundësia e një decentralizimi, sikurse e kanë edhe vende të tjera. Realizmi reformës kërkon aktivizimin e të gjitha institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura