Fotot dhe Emrat/ Zbulohet lidhja e grabitësve të Rinasit me Dash Kupën dhe Klement Çalën, hajdutët e autoblindës në 2017

Apr 23, 2019 | 15:03

Grabitja-Rinas-policia-vjedhja-foto-ngjarja-Admir-Murataj

ETLEVA DELIA/ Policia e Shtetit tha dje zyrtarisht se 4 personat e arrestuar dy ditë më parë, në Elbasan e Fushë-Krujë, në operacionin e nisur të shtunën në mbrëmje, janë të përfshirë në grabitjen e ndodhur në Rinas më 9 prill.

Ata janë mbajtur të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për afro dy ditë, derisa mbrëmjen e djeshme, prokurori i çështjes ka firmosur urdhërarrestet. Burime nga grupi hetimor thanë se dy prej të arrestuarve janë kushërinj të autorëve në grabitjet e mëparshme të blindave në rrugën e Rinasit.

Konkretisht, bëhet fjalë për të dyshuarin Oltian Veseli, 38 vjeç, nga Kruja, i cili është i afërm i Dash Kupës, i cili aktualisht ndodhet në burg, i dënuar për 3 grabitje, organizator i të cilave ka qenë Admir Murataj.

Alkond Bengasi
Alkond Bengasi

Gjithashtu, edhe i dyshuari tjetër për grabitjen e 9 prillit, Alkond Bengasi, 34 vjeç, nga Elbasani, i cili është kushëriri i Klement Çalës, i shpallur në kërkim nga autoritetet greke e shqiptare për grabitje, i dyshuar si krahu i djathtë i Admir Muratajt.

Oltian Veseli
Oltian Veseli

Ndërsa dy personat e tjerë të arrestuar dy ditë më parë nga Policia, Renaldo Sula, 25 vjeç, e Saimir Çela, 28 vjeç, i njohur edhe me emrin Tale Çela, të dy nga Elbasani, nuk rezultojnë të përfshirë në grabitjet e mëparshme.

Renaldo Sula
Renaldo Sula
Saimir Çela
Saimir Çela

Në njoftimin zyrtar që nisi dje Policia e Shtetit, nuk saktësoheshin rolet e të ndaluarve, kjo edhe për arsye se ata nuk kanë pranuar të flasin, por edhe pasi në këtë fazë të hetimeve, ende nuk janë përcaktuar funksionet e tyre në supergrabitjen, pas së cilës mbeti i vrarë Admir Murataj.

Nga ana tjetër, Policia ka shpallur në kërkim edhe Eldi Çalën, personin që kishte marrë me qira servisin ku u modifikua furgoni, me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Ky i fundit është vëllai i Klement Çalës.

Eldi Çala
Eldi Çala

OPERACIONI

Policia e Shtetit njoftoi dje se veprimtaria hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 9 prill në Rinas është ende në vazhdim. Në kuadër të hetimeve intensive që po kryhen janë vënë në pranga 4 persona si autorë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të Hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, për zbardhjen e ngjarjen së datës 09.04.2019, ku janë vjedhur me armë një sasi e konsiderueshme vlerash monetare në aeroportin e Rinasit dhe mbeti i vrarë një nga autorët e kësaj ngjarjeje, shtetasi Admir Murataj, ju informojmë se: Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, në bazë të veprimeve hetimore të kryera dhe informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe provave të siguruara gjatë hetimit, është bërë i mundur ndalimi i katër autorëve të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje dhe konkretisht: O.V., 38 vjeç, banues në Krujë, A.B., 34 vjeç, banues në Elbasan, me banim të përkohshëm në Tiranë, i dënuar më parë për ‘Prodhim dhe shitje narkotikësh’, R.S., 25 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, S.Ç. 28 vjeç, lindur në Kajan, Elbasan dhe banues në Elbasan”, tha zyrtarisht Policia.

Nga ana tjetër, Policia tha se gjatë operacionit për ndalimin e këtyre shtetasve janë përdorur teknika speciale hetimore dhe janë përfshirë strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, prova të shumta, të cilat do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

PANORAMA

© Panorama.al

Te lidhura