Qeveria libiane ka premtuar se do të hapë një korridor për të lejuar ndihmat humanitare të POKB-së, që të hyjnë në Misrata, pasi trupat e Gedafit e pushtuan sërish këtë qytet. Misrata ishte qyteti i vetëm perëndimor, deri dje në duart rebelëve. Ai ishte një bazë e mirë për t’u afruar në kryeqytetin Tripoli. Por pas luftimesh të ashpra që zgjatën më shumë se pesë javë dhe lanë rreth një mijë të vdekur, trupat e Gedafit hynë dje në këtë qytet duke i mundur rebelët. Banorët dhe mjekët e këtij qyteti bregdetar thanë se të dielën dhe dje janë shënuar 28 të vdekur, të vrarë me armatime të rënda: mortarë, predha tanku, raketa dhe snajper. Më shumë se 300 burra gra e fëmijë janë regjistruar të vrarë në këtë qytete, që kur nisën luftimet, por qindra të tjerë janë vrarë nga ushtarët dhe janë varrosur menjëherë në varre masive, pa lënë gjurmë . Mjekët në këtë qytet besojnë se janë shënuar mbi një mijë të vdekur që nga fundi i shkurtit, kur në këtë qytet nisi ofensiva. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, iu kërkoi trupave të Gedafit që të mos qëllojnë mbi popullsinë. Valeri Amos, shefja e ndihmave humanitare të OKB-së, tha se ka marrë garanci nga autoritetet e qeverisë në Tripoli, se zyrtarët e OKB-së do të lejohen të hyjnë vetë në Misrata. Ndërkohë, raportohet se ndërhyrja e NATO-s është shumë e ngadaltë, pasi kanë vështirësi në identifikimin e shënjestrave.











