Lezhë, provat, 45 ditë burg dy fierakëve

Oct 18, 2011 | 13:04
Anisa Opingari

LEZHE – Burg me afat për dy fierakët e akuzuar për vrasjen e Anisa Opingarit. Për 45 ditë, dy personat e arrestuar për ekzekutimin e 25-vjeçares do të qëndrojnë në qeli deri në mbledhjen e provave të tjera ndaj tij. Vendimi u dha dje nga Gjykata e Fierit për Genci Biçmetin, 43 vjeç dhe Sokol Backën, 26 vjeç, nga Fieri. Ata akuzohen se janë autorë të vrasjes së vajzës së re, ngjarje e zbuluar më 15 korrik të këtij viti, në Shëngjin. Sipas burimeve të organit të akuzës, kërkesa e prokurorisë së këtij rrethi për lënien në burg të dy të arrestuarve nuk ka të bëjë për mungesë provash, por ky organ kërkon të sjellë në dosjen hetimore edhe të tjera argumente dhe prova të pakontestueshme për dy të arrestuarit, si autorë të këtij krimi. Dalja para gjykatës e dy fierakëve është bërë rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm. Sipas burimeve zyrtare mësohet se dy të akuzuarit janë shprehur para marrjes së masës së arrestit se nuk kanë gisht në vrasjen e Opingarit. “As kemi qenë dhe as kemi udhëtuar me të në Shëngjin të Lezhës, jo vetëm ditën e krimit, por asnjëherë. Ne kemi pasur njohje me 25-vjeçaren, pasi jemi nga i njëjti vend, kemi biseduar me të në telefon, si zakonisht, por në asnjë moment nuk i kemi kërkuar asaj të udhëtojmë për ndonjë vend e për më tepër në Lezhë”. Nga ana e tij, edhe 26-vjeçari Sokol Backa është shprehur se nuk kishte lidhje intime me viktimën, por kishin njohje që kur kanë qenë në shkollë dhe asgjë më shumë. Ndërkohë, që sipas burimeve zyrtare pranë organit të akuzës, priten të tjera prova hetimore nga ana e policisë për të dokumentuar ngjarjen. Deri tani provat ndaj dy të arrestuarve kanë të bëjnë më shumë në kuadër të dyshimeve dhe përdorimit të metodave speciale. Ndërsa afati është kërkuar pikërisht për plotësimin e dosjes.  Anisa Opingari, 25-vjeçarja që u gjend e masakruar në pyll, në afërsi të plazhit të Shëngjinit, ishte masakruar me 20 thika në trup. Grupi i hetimit zbuloi se 25-vjeçarja ishte e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo kishte jetuar me bashkëshortin e saj beratas në Greqi, por katër muaj më parë ishte kthyer në Fier, pasi kishte vendosur t’i jepte fund martesës. Sipas të dhënave paraprake nga grupi i hetimit, viktima jetonte në banesë më vete, ndërsa së fundi ishte zbuluar se ajo kishte pasur një lidhje me një person nga Fieri.              r.n

© Panorama.al

Te lidhura