Lezhë, mbetet në letër Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit

May 17, 2012 | 14:44

LEZHE – Prej gati një viti, Bashkia e Lezhës ka premtuar ngritjen e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, por fakti ka treguar të kundërtën. Në prag të festave të fundvitit, kryebashkiaku Viktor Tusha bëri të ditur se nevoja për të mbrojtur konsumatorin lezhjan ishte e madhe dhe ngritja e një zyre të tillë ishte domosdoshmëri. Por pas kësaj deklarate, konsumatori ende nuk ka një vend ku mund të ankohet për vërtetësinë e cilësisë apo sasisë së produktit që blen. Aktualisht në Bashkinë e Lezhës funksionon vetëm shërbimi veterinar, edhe ky me probleme veprimi. Mosvënia në funksion e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit i është referuar vonesës në miratimin e strukturës organike të Bashkisë. Paraqitja e strukturës ka ndodhur më 24 dhjetor të vitit që shkoi, ndërsa deklarata i referohej edhe kontrollit të çmimeve në fundvit. Megjithëse miratimi i saj është bërë në mars, ende Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk është formatuar dhe nuk ka nisur të veprojë. Këtij shqetësimi kreu i Bashkisë, Tusha, i ka referuar të gjithë riorganizimin e strukturës së Bashkisë, pjesë e të cilit do të jetë edhe kjo zyrë. Tusha premtoi sërish se kjo do të marrë zgjidhje shumë shpejt dhe do të ketë edhe një përgjegjës për këtë sektor. Krahas nevojës për denoncime të rasteve abuzive, Bashkia do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme, me qëllimin për të garantuar konsumatorët e Lezhës. Ai ka bërë të ditur edhe një nismë tjetër, që pritet të mbështetet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë për disiplinimin e produkteve që shiten në njësi tregtare. Me këtë synim do të kërkohet një ndryshim në ligj, që sanksionon që një subjekt tregtar nuk mund të shesë në të njëjtin vend produkte ushqimore me ato industriale apo asortimente të tjera që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Sipas Tushës, kjo synon që të garantojë cilësinë, sasinë dhe higjienën e nevojshme për çdo rast.

© Panorama.al

Te lidhura