
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, ka thumbuar sërish ish-paraardhësin e tij, Shpëtim Duro, duke e fajësuar atë për gjendjen e dobët fizike dhe taktike të skuadrës së tij. Në fakt, Levi ka filluar të flasë madje pa doreza për atë se si e ka gjetur skuadrën korçare, por dhe se çfarë po bën për të shkuar drejt kreut. “Ndeshjet e shumta nuk na lejojnë një proces më të gjatë stërvitor, të cilin ekipi e ka shumë të nevojshëm. Sigurisht që ne punojmë dhe të gjitha këto përpjekje i bëjmë për t’iu afruar kreut, ose e shprehur ndryshe, ne do të jemi kryesues. Ne na duhet të punojmë me këtë element që kemi gjetur në ekip. Nga momenti i parë që kam marrë drejtimin e Skënderbeut, bashkë me stafin tim po bëjmë të gjitha përpjekjet për të riparuar mangësitë që kam gjetur në ekip”, ka thënë ai. Trajneri shprehet se për atë është e rëndësishme që çdo lojtar të japë më të mirën në rolin më të përshtatshëm të mundshëm. Vetëm kjo do të bëjë diferencimet nga të tjerët, ndaj në ekip pritet të nisë edhe një garë e fortë mes të gjithë futbollistëve për të pasur të garantuar një vend titullari. “Ne përpiqemi që lojtarët të jenë gjatë gjithë kohës prezentë në zonë gjatë lojës. Ne kemi bërë pa dyshim ndryshime në grup edhe për atë se disa lojtarë kanë pasur probleme dhe nuk kemi preferuar t’i rrezikojmë. Nga ndeshja e Durrësit në ekip është bërë një hap ndryshe dhe pozitiv. Por sigurisht që asnjë ndryshim nuk vjen menjëherë, pasi çdo gjë vjen në kohën dhe momentin e duhur. Ndryshimet do të jenë përherë pozitive dhe unë jam i bindur se ky Skënderbe do të pësojë një ndryshim pozitiv, që do t’u pëlqejë të gjithëve”, ka theksuar Stanislav Levi. Trajneri është i bindur se nuk do shpërdorojë besimin e drejtuesve dhe presidencës korçare dhe se do të bëjë më të mirën për këtë Skënderbe. Ai ndihet mirë pas takimit të Durrësit, ku skuadra ka reaguar pozitivisht edhe në ndeshjen për Kupën dhe korçarët kanë marrë një fitore të rëndësishme.
Superiore
Java e 7-të
Nesër, ora 16:00
Vllaznia-Pogradeci
Të dielën
Apolonia-Tirana 13:00
Dinamo-Kamza 14:00
Tomori-Teuta 14:00
Shkumbini-Laçi 14:00
Të hënën
Bylisi-Flamurtari 14:00
Skënderbeu-Kastrioti17:00











