Leucemia kronike, 2% e të prekurve janë fëmijë

Oct 24, 2011 | 11:55
Arben Ivanaj

Mund të prekë të gjitha moshat, por statistikat flasin se rreth 2% e të diagnostikuarve janë fëmijë. Leucemia kronike është një nga sëmundjet më të rënda të gjakut. Zbulimi i hershëm i saj vetëm me një analizë të thjeshtë gjaku mund të shpëtojë jetën e pacientëve. Mjekët hematologë bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim dhe mosneglizhencë të kësaj sëmundjeje, e cila mund të marrë jetën e të sëmurit. “Leucemia kronike është një sëmundje gjaku gjatë së cilës trupi i njeriut prodhon qeliza të bardha jonormale ose kanceroze, të cilat janë të paafta të kryejnë funksionin e tyre normal. Është një lloj kanceri i gjakut me zhvillim të ngadaltë, i cili mund të vazhdojë në disa vite, por në disa raste mund të progresojë shumë më shpejt. Kjo zgjatje në kohë u jep mundësinë pacientëve ta diagnostikojnë atë herët, të zgjasin jetën e tyre, si dhe të përmirësojnë cilësinë e saj”, sqaron mjeku hematolog Arben Ivanaj. Sipas tij, zbulimi i herët i leucemisë bëhet vetëm nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku. Të dhënat mjekësore tregojnë se mjekimi i saj varet shumë nga grada në të cilën zbulohet sëmundja. Ai shton se leucemia kronike është  një sëmundje e rrallë, por mjaft e rrezikshme. Bazuar në statistika, në Shqipëri ka rreth  1-2 raste të reja për 100 000 banorë, pra duke pasur parasysh numrin e popullsisë shqiptare, kjo do të thotë që ka ende raste të padiagnostikuara, të cilat sigurisht do të paraqiten në faza të mëvonshme, më të avancuara. “Në fazat e hershme të leucemisë kronike, personat e prekur nuk kanë shenja. Gati gjysma e personave me këtë sëmundje në kohën e diagnostikimit nuk kanë shenja. Por, kur shenjat shfaqen ato mund të jenë: lodhje e vazhdueshme, e cila nuk largohet, humbje të pashpjegueshme në peshë, ethe, vështirësi në frymëmarrje, djersitje natën, rënie të oreksit, dhimbje barku”, thotë Ivanaj. Sipas tij,  përgjithësisht leucemia kronike kalon nëpër tri faza: faza kronike me mbi 10 vjet mbijetesë, faza e zhvillimit, rreth 1 vit mbijetesë dhe faza e krizës, me rreth 6 muaj mbijetesë. Me mjekimet e sotme, këto të dhëna kanë ndryshuar mjaft. Por, nëse nuk mjekohet leucemia kronike përkeqësohet progresivisht dhe mbijetesa shkurtohet mjaft. Sa i përket kurimit, të dhënat mjekësore tregojnë se kurimi i saj varet shumë nga grada në të cilën e kap sëmundjen pacienti. Sa më herët të zbulohet sëmundja, aq më shumë rezultate ka mjekimi, dhe e gjithë kjo ndikon në rritjen e mbijetesës dhe përmirësimit të cilësisë së jetës. Me ecjen para të mjekësisë, pacientët kronikë mund të jetojnë më gjatë.

© Panorama.al

Te lidhura