Lehtësia e përbaltjes dhe pamundësisë për t’u pastruar

Oct 8, 2011 | 11:15

GJOVALIN PRENGA

Një ditë më parë, gazeta “Shekulli” botoi një shkrim, ku mes mjaft akuzave dhe shpifjeve, kishte edhe dy shpifje kundër meje. Shpifjet ishin afishuar që në titullin e një shkrimi, ku shkruhej (citoj): “Shkresa sekrete, Memia zbulon pa dashur edhe dy ‘ish-spiunë’”. Dhe në nëntitull (prapë citoj): “Mes 13 të rekrutuarve të kriminalistikës, ish-deputetët Prenga e Sulaj. Prenga drejton sot zyrën e publikut të Kryeministrisë”. Për ata që nuk më njohin do të doja të them nja dy fjalë për vete, pasi kështu kuptohet më mirë ajo çfarë kam ndjerë unë në momentin e përballjes me këto shpifje. Jam djalë i vetëm i një familjeje ish-të persekutuar nga regjimi komunist. Prindërit e mi, përpara se unë të lindja, qenë internuar, si shumë familje mirditore, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës. Megjithëse isha nxënës i shkëlqyer në mësime (provohet me dokumentet shkollore), pata shumë peripeci në ndjekjen e shkollës së lartë. Por, gjithsesi, e kreva në një degë që nuk e preferoja. Me ardhjen e demokracisë, jam kandiduar e zgjedhur në poste publike (kryetar bashkie e deputet) si përfaqësues i PD.
Më duhet të them se në 15 vjet që ushtroj veprimtari publike, kam bërë maksimumin e kujdesit që të ruaj moralin tim si person e si kryefamiljar, me qëllim që vajza dhe të afërmit e mi të mos kenë rast të turpërohen nga një fakt që nuk e kanë zgjedhur dhe që as mund ta ndryshojnë: nga qenia në lidhje gjaku me mua. Sot, pas atij artikulli, është dhunuar pikërisht ky ideal i imi për pastërti, pasi ndjehem publikisht i përbaltur dhe nuk shoh rrugë që ta vë dinjitetin tim të nëpërkëmbur në vend. Sigurisht, do ndjek rrugën ligjore ndaj gazetës, por a pastrohem vallë nga balta që më kanë hedhur?
Me rastin e diskutimit në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit të lustracionit, pata thënë lidhur mbi nevojën e ligjit (perifrazoj): “Duhet ta bëjmë këtë ligj me qëllim që të dalim nga një situatë ku të gjithë akuzohen si spiunë dhe ku askush nuk faktohet si i tillë”. Ligji u votua, por u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, çka personalisht e përjetova me dhembje, pa e ditur se një ditë do të kisha nevojë vetë personalisht për ekzistencën e atij ligji për të përgënjeshtruar shpifjet.
E vërteta është se gjatë jetës sime në diktaturë nuk kam pasur kurrë asnjë lloj kontakti sado të vogël me strukturat e dhunës së atij sistemi, as të strukturës së policisë e, aq më pak, me strukturën e Sigurimit të Shtetit. Dhe, që të jem i sinqertë, këtë e quaj fat, dhe jo meritë.
Por si mund ta provoj këtë në momentin që kjo e vërtetë më vihet në dyshim nga shpifjet e shtypit apo të segmenteve të papërgjegjshme të shtypit? A ekziston një mekanizëm i aksesueshëm nga publiku, në radhë të parë nga të afërmit e mi, nga vajza ime, nga gruaja, që t’i bind ata se këto vite nuk i kanë ndarë me një monstër? Nëse nuk ka një instrument të tillë sot pas 20 viteve, kujt i shkon për shtat një mungesë e tillë?
Lënia në hije e së shkuarës shërben jo për mirë. Më së paku, ajo fsheh një të kaluar shpesh kriminale e, pse jo, duke e fshehur, u lë fushë veprimi atyre njerëzve të penetrojnë dhe sot duke molepsur me imoralitetin e shpifjes gjithçka. Për pasojë, në jetën tonë publike e mediatike zë vend stili i intrigës e shpifjes, ndaj së cilës nuk di si të mbrohesh. Kur e vërteta fshihet, gënjeshtra bën kërdinë, thotë fjala e urtë.
E bëra këtë reagim jo për të rikthyer imazhin tim publik (them se ai është dëmtuar tashmë edhe pse besoj se drejtësia do më kompensojë disi për këtë (sa është e mundur). Por, desha të tregoj me rastin tim, sa vulnerabël jemi të gjithë përballë një të kaluare që nuk është bërë publike dhe që nuk është dënuar publikisht. Mjafton të gjendet një interes (jo domosdoshmërisht i lidhur me ty), e do gjendet gjithmonë një shpifës/e (çfarëdo) i/e gatshëm/e të rrënojë edhe gjënë më ideale të jetës tënde, gjithë çfarë ti ke arritur në një jetë: pastërtinë morale.
* Autori I këtij shkrimi është ish-deputet, drejtor I zyrës së marrëdhënieve me publikun në Kryeministri

© Panorama.al

Te lidhura