Lamtumira e fundit për arkitektin Enver Faja

Oct 7, 2011 | 13:01
Presidenti Bamir Topi dje gjatë homazheve për Enver Fajën

U përcoll dje për në banesën e fundit babai i një prej godinave më moderne në kryeqytetin shqiptar. Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila mban firmën e tij, u zhvilluan dje paradite homazhet për nder të arkitektit dhe urbanistit Enver Faja. Arkitekti 77-vjeçar u nda nga jeta disa ditë më parë, në një spital të Strasburgut, ku ishte shtruar për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Duke qenë gjithnjë aktiv në aktivitetet dhe debatet që lidheshin me arkitekturën e urbanistikën, si në rastin e Piramidës së Tiranës, lajmi erdhi i papritur dhe hidhëroi miq e të afërm të arkitektit, të cilët dje kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej autorëve apo bashkautorëve të disa prej ndërtesave apo qendrave më të rëndësishme në Tiranë, si studimi i qendrës në Vlorë, masterplani i Qytetit Studenti, ndërtesa e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, monumenti kushtuar Kuvendit të Lezhës, studimi urban i zonës industriale të Tiranë, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Muzeu Historik Kombëtar etj. Por, ajo që ka vulën e tij është Galeria Kombëtare e Arteve, e ngritur në vitin 1974 dhe e konsideruar shumë moderniste për kohën. Në ceremoninë e djeshme nuk munguan krerët më të lartë të shtetit, të cilët ngushëlluan të afërmit e arkitektit. Ndër ta, edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili u shpreh se vepra e tij i kaloi përmasat e qytetit të Tiranës, duke i shërbyer gjithë Shqipërisë si arkitekt, por edhe si diplomat. “Te profesor Faja, edhe ne që kemi pasur mundësi ta njohim nga afër, mbi të gjitha mbizotëronte cilësia e tij si njeri i thjeshtë, një njeri që njihte artin e komunikimit me kolegët dhe me miqtë dhe që u bë simbol i këtij qyteti. Veprat e tij në Tiranë janë kudo. Edhe kjo është një nga ato vepra ku ai ka marrë pjesë në projektimin e saj, por besoj se vepra e tij më e madhe është ndërtimi i raporteve me kolegët, me miqtë, me studentët e tij”, tha ndër të tjera Topi. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha u shpreh se “Enver Faja u nda nga jeta, por ka lënë pas vepra të shkëlqyera që e përfaqësojnë dhe e përjetësojnë me dinjitet të madh në memorien e miqve të tij, në memorien e qytetarëve të këtij vendi”.

© Panorama.al

Te lidhura