Makina e atentatorëve të Gilmando Dani u gjet e djegur në një përrua në Fushë-Krujë, policia jep detaje: Ja sa armë u gjetën në mjet

Nov 11, 2025 | 16:53

Policia e Krujës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me gjetjen e mjetit më të cilin kanë lëvizur autorët e atentatit ndaj Gilmando Danit, pranë aeroportit të Rinasit pasditen e  sotme.

Gilmando Dani (4)

Mësohet se automjet tip “Toyota”, është gjetur i djegur në fshatin Halil ku dhe janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në ngjarjen e Rinasit, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.

Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia e Krujës.

Ndërkohë, gazetarja Xhensila Kodra ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Ajo raporton se autorët kanë pritur automjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri, i cili mësohet se është punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), në afërsi të Rinasit.

Dy makinat kanë lëvizur për disa metra paralelisht me njëra-tjetrën, dhe në atë moment, nga automjeti i autorëve është hapur zjarr me breshëri automatiku në drejtim të targetit.

Mjeti i viktimave ka ecur për pak metra pas të shtënave, derisa është ndalur plotësisht. Në atë moment, sipas dëshmive dhe kamerave të sigurisë, një nga autorët, i veshur me kapele dhe i maskuar, ka dalë nga makina dhe është afruar drejt automjetit të Danit, duke qëlluar disa herë me pistoletë për t’u siguruar që e kishte eliminuar shënjestrën.

Pas ekzekutimit, autorët janë kthyer me shpejtësi në automjetin e tyre dhe janë larguar drejt Fushë-Krujës, ku më vonë policia gjeti të djegur mjetin që përdorën për krimin.

© Panorama.al

Te lidhura