Atentati ku u plagos “Juli i Pashakos”, policia shoqëron 30 persona më pas i lë të lirë, shumica anëtarë të grupit të Aldo Bares

Nov 27, 2025 | 10:47

Policia e Lushnjës ka shoqëruar mbi 30 persona për atentatin ndaj Julian Sulës, i njohur si Juli i Pashakos. Pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të grupit të Aldo Bares dhe fisit Aliçka në Lushnjë, pjesëtarë të 2 fiseve të cilët vitet e fundit kanë pasur konflikte të shumta me 45-vjeçarin Sulo. Pas marrjes në pyetje janë liruar, pasi kanë mohuar përfshirjen në ngjarje.

juli i pashakos julian sulo atentat lushnje

Është zbuluar se makina e autorëve është vjedhur në vitin 2022 në Greqi, ndërsa po atje targat një vit më parë, por në qytete të ndryshme greke.

Autoritetet greke në kthim përgjigje i kanë pohuar Policisë së Fierit, se janë vjedhje pa autorë dhe të pazbardhura. Përveç dinamikës së ngjarjes, policia nuk ka të qartë mënyrën se si dhe nga janë larguar autorët.

Pasi dogjën makinën në fshatin Lifaj, dyshimet e grupit hetimor janë se ata mund të jenë larguar me një tjetër automjet, nëpër disa fshtra që të çojnë drejt Kuçovës dhe Beratit, por për shkak se e gjithë zona ku mendohet të kenë kaluar autorët janë toka bujqësore dhe pa biznese, në këto kushte nuk ka kamera të kenë filmuar lëvizje të makinës së autorëve.

Ngjarja

Julian Sulo, i njohur si i forti i Lushnjës i ka shpëtuar një atentati të organizuar ndaj tij në afërsi të spitalit të qytetit. Ai po lëvizte me makinën e tij tip ‘BMV’ në afërsi të spitalit të Lushnjës, kur 3 autorë ende të paidentifikuar i kanë zënë në pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, ndërsa 45-vjeçari Sulo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Plumbat e kallashit që u derdhën drejt makinës së tij e kanë kapur në këmbë, ndërsa ishte i vetëm në mjet. Autorët kanë qenë në makinë në momentin e qitjes dhe kanë qëlluar në lëvizje.

Pak minuta pas atentatit, mjeti i autorëve ‘Nissan’ u gjet i djegur në fshatin Lifaj. Brenda tij është gjetur edhe arma që kanë përdorur për të qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit. Policia ngriti menjëherë pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve, te cilat lidhen me konfliktet e hershme mes grupeve kriminale të Lushnjës.

Sulo është shoqëruar në Komisariat për të dhënë dëshminë e tij. “Nuk kam konflikte me asnjë”, ka deklaruar para hetuesve. Ndërkohë në polici janë shoqëruar edhe gjashtë persona.

Kush eshte Juli i Pashakos

Julian Sulo njohur ndryshe si “Juli i Pashakos” punon e jeton në Karbunarë të Lushnjës, ku menaxhon një bar–restorant së bashku me familjen.

Ai është rival i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Sulo ka qenë i dyshuar edhe për atentatin e organizuar ndaj nipit të Bares, Xhulio Shkurti, në 2017-ën. Sulo u la i lirë pasi nuk kishte asnjë provë që e lidhte me atentatin, që njihet ndryshe edhe si masakra e Lushnjës.

Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg të përjetshëm, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, vendim i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë më 21 nëntor 2025. Në masakrën e Lushnjës u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagosjes e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut.

© Panorama.al

Te lidhura