Kuzhe: Si humba shtëpinë e miliona dollarë në baste

Apr 11, 2011 | 10:49

Në rrëfimin e jetës së trajnerit të Shqipërisë, Josip Kuzhe, nuk mund të mos përmendet episodi i basteve dhe i kumarit.Kjo pjesë e errët e së kaluarës së tij nuk është më sekrete. Madje, vetë trajneri kroat e ka pranuar publikisht se ka gabuar dhe ndoshta kjo e zbuti opinionin rreth tij dhe i bëri njerëzit që të besojnë se ai nuk është një njeri pa vlera. Përkundrazi, Josip Kuzhe është njeri i shkëlqyer dhe një trajner i zoti. Intelektual i vërtetë, që është diplomuar për drejtësi, flet rrjedhshëm katër gjuhë të huaja dhe tani konsiderohet si një ndër trajnerët më të suksesshëm të Ballkanit. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen kroate “Jutarnjilist”, 57-vjeçari flet për të kaluarën e tij dhe tregon se si prej basteve humbi një shtëpi, shumë para, por shpëtoi atë më të rëndësishmen: jetën e tij.
Sa kanë ndikuar problemet me kumarin në jetën dhe karrierën tuaj?
Shumë. Kanë ndikuar tej mase, si në jetë edhe në karrierën time. Megjithatë, kam qenë me fat. Gruaja ime mendonte se në bankë kishim miliona dollarë dhe kur kuptoi se të gjitha ato i mori era, më tha kështu: “Nëse na duhej të humbnim diçka për të paguar gabimet tona në jetë, atëherë më mirë që humbëm paratë. Mund të kishte qenë shumë më keq, nëse humbnim një të afërm ose shëndetin”. Kjo ishte fjalia që më bëri të ndryshoj gjithçka dhe të lë pas krahëve atë periudhë të vështirë. Në raste të tilla ndihesh i braktisur nga të gjithë, por unë isha me fat që pata njerëz që më mbështetën maksimalisht.
Sa ju kushtuan këto probleme në karrierën tuaj si trajner?
Sa i përket karrierës si trajner, problemet me bastet më ndodhën ndoshta në periudhën time më të mirë, në kohën kur isha i lirë dhe nuk kisha impenjime të mëdha. Madje, asokohe isha plot kreativitet dhe energjik. Pra, dua të them se kjo ndodhi në periudhën kur unë kisha mundësi ta përballoja këtë problem edhe nga ana psikologjike.
Si hytë në botën e kumarit? Ju në rininë tuaj kurrë nuk ishit marrë me baste, apo jo?
Shikoni, kur flasim për të hyrë në rrugën e gabuar, ajo u ndodh edhe njerëzve më të mirë. Dikujt kjo i ndodh nëpërmjet alkoolit, dikujt me drogën, dikujt me diçka tjetër. Nuk ka pse të duket kaq e çuditshme, sepse të gjithë njerëzit bëjnë gabime në jetë. Unë besoj se u përfshiva në lojërat e fatit, sepse jam i dhënë pas matematikës. Kam qenë gjithnjë një matematicien i shkëlqyer dhe si i tillë më pëlqenin lojërat, më pëlqenin rezultatet e sakta dhe fitoret. Ishte si një sfidë për mua. Edhe shah kam luajtur shumë mirë, jam i mirë edhe me letra. Në një moment, fatkeqësisht, më ndodhi që të më shfaqet një nevojë për lojëra. Ishte një tërheqje e re, një sfidë e re, por shumë e rrezikshme dhe kështu erdhi deri te pasioni ndaj basteve, sidomos në rulet. Në kazino luaja vetëm ruletë, asgjë tjetër.
Keni humbur një shtëpi në Zagreb, rrezikuat edhe shtëpinë tjetër me shumë vlerë në qendër, ndërsa djalit tuaj ia dogjën veturën për shkakun tuaj…
Ato ishin momente të tmerrshme, në të cilat nuk mund të flitet për asnjë mendim racional. Djegia e veturës ishte vepër e disa mjeranëve, por duhet të më kuptoni; nuk dua të flas më tepër rreth kësaj. Unë asnjëherë nuk e kam fshehur se kam gabuar. Kam luajtur, kam humbur shumë miliona, kam paguar për kalimin tim në rrugën e gabuar, por përsëri jam këtu, aty ku duhet të jem dhe të jetoj i lumtur.
Sa ju ka përndjekur historia e basteve si trajner?
Gjithmonë më përndjek. Çdo njeri bën gabime apo zgjedhje të gabuara në jetë dhe unë kam një të kaluar për të cilën nuk krenohem. Nuk mund ta mohoj se problemet me kumarin dhe me bastet më kanë lënë pasoja në jetë. Por ama, kam qenë i vetëdijshëm për gabimin që kam bërë dhe me sinqeritetin më të madh ua kam treguar të gjithëve. Jo të gjithë më mirëkuptuan dhe jo të gjithë besuan se e kisha hedhur pas krahëve atë periudhë dhe, për fat të keq, kjo më mërzit edhe sot.
Çfarë doni të thoni?
Shikoni, nëse dikush në të kaluarën do të më pyeste për fakultetin që kisha mbaruar, nuk do të flisja rreth kësaj sepse më dukej vetja mburravec. Por në momentin kur bastet dhe kumarin i ilustronin me pamjen e fytyrës sime, atëherë fillova t’ua përmend të gjithëve se kam kryer një fakultet, se flas katër gjuhë të huaja, se kam kryer shkolla të futbollit në Këln e Kroaci dhe se i kam përfunduar ato me rezultate të shkëlqyera. U kujtova atyre që më kritikonin vazhdimisht se kisha arritur rezultate mbresëlënëse si trajner në një periudhë të shkurtër. Madje, në disa raste më kishte ndodhur që të flisja edhe në mënyrë brutale dhe këtë e bëja sa herë që njerëzit më flisnin keq dhe më quanin kumarxhi.
Tani si jeni financiarisht?
Të them të drejtën nuk kam më para që të mund të jetoj pa punuar. Kur më goditi sëmundja në shtator, u frikësova se nuk do mund të punoja më, por gjërat shkuan mirë.
Trajneri i Dinamos së Zagrebit, Vahid Salihoxhiç, ju ka kritikuar shpesh dhe ashpër kohët e fundit. Çfarë po ndodh mes jush?
As që e kam idenë se çfarë kërkon të përfitojë Salihoxhiç me deklaratat që bën, por nuk u jam përgjigjur asnjëherë deklaratave të tij dhe nuk kam për ta bërë as tani këtë gjë.

10  Mijë euro në muaj është kontrata e Josip Kuzhesë me Federatën Shqiptare të Futbollit. Atij i skadon marrëveshja me FSHF-në më 31 dhjetor të këtij viti, por ka shumë
gjasa ta rinovojë.

15 Mjië euro shpërblim akordoi qeveria shqiptare për trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe, pas fitores 1-0 kundër Bjellorusisë. Ajo ishte një nga ndeshjet më të mira në historinë e kuqezinjve.

© Panorama.al

Te lidhura