Kuzhe: Nuk rri për më pak parà në Shqipëri

Oct 15, 2011 | 10:03

Josip Kuzhe nuk di të thonë nëse do jetë apo jo trajner i Shqipërisë. Për herë të parë tekniku kroat ka theksuar edhe fjalët se mund edhe të mos rinovojë kontratën, pasi si federata dhe ai vetë mund të shikojnë alternativa të tjera. “Nuk mund të flas për kontratë tani. Do të shohim, do të analizojmë gjendjen dhe më pas do të vendosim. Presidenti ka idetë e tij, unë kam idetë e mia. Mund të largohem ose mund të ndodhë që edhe të qëndroj. Unë nuk dua të jap një deklaratë për këtë. Ka shumë mendime. Sigurisht edhe federata e di se çfarë duhet bërë. Ata do të marrin vendimin më të mirë nga ana profesionale. Federata do të shohë edhe mundësi të tjera, ashtu do të bëj edhe unë”, ka thënë Kuzhe, gjatë një interviste për “Klan TV”.
Kombëtarja – I pyetur nëse ai vetë shikon ndonjë të ardhme për Kombëtaren shqiptare, Kuzhe përgjigjet se skuadra që ai ka pasur në dispozicion ka nevojë të rinovohet dhe të rinjtë që kanë ardhur premtojnë shumë. Gjithsesi, ai sqaron se nuk është ende i qartë nëse do qëndrojë apo jo në krye të ekipit, gjithnjë nëse gjen akordin me Dukën. “Po vijnë disa lojtarë të mirë, të rinj. Shqipëria duhet të ndërtojë një skuadër që të luajë korrekt dhe të luajë në grup. Por Shqipëria duhet të bëjë përzgjedhje, të kërkojë lojtarë të tjerë, t’i përfshijë këta lojtarë. Pas kësaj, duhet të zhvillohet organizimi i lojës, shpirti i skuadrës. Gjithsesi, nuk mund të them që nuk dua të qëndroj, sepse kam kaluar shumë mirë në Shqipëri. Nëse puna ime do të analizohet si pozitive, mund të vazhdoj të jem me Kombëtaren. Megjithatë, çdo vendim që do të merret do të jetë i përbashkët dhe me frymë miqësore”, ka vazhduar Kuzhe.
Analiza – Sakaq, i pyetur për momentet më të bukura në drejtim të ekipit tonë përfaqësues, Kuzhe është ndalur te ndeshja me Bjellorusinë. “Janë të shumta momentet e bukura. Ndeshja kundër Bjellorusisë ishte e bukur, njerëzit u lumturuan pas saj, ndërsa momenti më i keq, nga ana profesionale, ishte humbja me Luksemburgun. Ishte shumë e dhimbshme për ne. E paharrueshme do të jetë kur një vit më parë unë u sëmura, dhe që shumë njerëz u kujdesën për mua. Është diçka që do ta mbaj mend për gjithë jetën. Unë nuk do ta harroj lehtë Shqipërinë dhe shqiptarët”, vazhdon kroati. Në fund, i pyetur nëse ai do të ishte i gatshëm të vazhdonte aventurën e tij me Shqipërinë, por për më pak parà, Kuzhe ka thënë se nuk do ta bënte një gjë të tillë. “Jo, nuk mund ta them këtë. Po flas hapur, unë kam nevojë për parà, familja ime ka nevojë për parà, unë po punoj për këtë. Por megjithatë, paratë nuk janë shumë të rëndësishme për mua, sepse unë kënaqem shumë duke shpenzuar parà. Sakaq, dua të them se më vjen turp që nuk mësova dot pak shqip. Nuk u përqendrova si duhet, pasi edhe mund ta kisha bërë këtë gjë”, përfundon Kuzhe.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura