Kuzhe: Mund Rumaninë dhe rinovoj kontratën

Oct 11, 2011 | 11:50

Josip Kuzhe nuk e shikon veten larg Kombëtares shqiptare.   Një ditë para ndeshjes së fundit ndaj Rumanisë, kualifikuese për EURO 2012, kroati ka theksuar se sot dëshiron me çdo kusht që të marrë një fitore dhe më pas të ulet me presidentin Duka për të diskutuar mbi të ardhmen e tij në drejtim të ekipit. Kuzhe ka sqaruar gjithashtu se nuk ka dashur asnjëherë që t’i bëjë presion federatës për rinovimin e kontratës, edhe pse ka pasur mundësi që ta bënte një gjë të tillë që para ndeshjes së shtatorit ndaj Francës.
Mister në formacionin bazë, shikojmë se keni lënë Hykën në stol dhe po luani me Bakajn, a mund të na e shpjegoni këtë lëvizje?
Shikoni, kjo nuk ka të bëjë shumë me Hykën si lojtar. E di shumë mirë që ai është në formë të mirë. Luajti mirë si me Francën në ndeshjen e fundit, por edhe në miqësoren me Malin e Zi, por unë kam preferuar Bakajn, pasi shikoj se ai është më i motivuar në këtë ndeshje. Luan në kampionatin rumun dhe afërmendsh që do kërkojë të jetë në fushë, si dhe të bëjë më të mirën ndaj Rumanisë.
Keni vënë Lilën në krahun e majtë të mbrojtjes, pozicion në të cilin ai nuk ka luajtur veçse në një ndeshje të vetme te Janina…
E di, por kam pasur arsye për vendosjen e tij në atë pozicion. Pikë së pari, kam mungesa lojtarësh për arsye pezullimi në atë pozicion (mungon Vangjeli dhe Agolli) dhe mendoj se Lila është i vetmi që mund të luajë aty. E di që ai ka luajtur vetëm një ndeshje në atë pozicion te Janina, por nisur nga karakteristikat që ai ka si edhe nga fakti se në atë krahë Rumania do ketë Torje (një lojtar shumë i shpejtë), mendoj se vetëm një si Lila mund ta ndalë, duke mos e lejuar që t’i afrohet portës sonë.
Ka një çështje të portierit te Shqipëria?
Ne e kemi analizuar mirë ndeshjet e fundit edhe në këtë aspekt. Ujkani ka pësuar disa gola në këto ndeshje, por gjithsesi unë kam shumë besim tek ai. Mos harroni se luan në Serinë A, një nga kampionatet më të forta në botë, ndaj gjykoj se nuk duhet t’ia hedhim totalisht atij fajin, dhe prandaj i kam dhënë gjithë besimin e duhur për këtë takim.
Mister, si ndihet një trajner një ditë para ndeshjes së fundit kualifikuese dhe kur nuk di nëse do t’i rinovohet kontrata?
Unë personalisht e di të ardhmen time: do vazhdoj të jem një trajner. E di që në harkun e pak muajve gjendja ime në krye të Shqipërisë ka ndryshuar, kjo parë edhe në aspektin mediatik. Por unë po ju them me sinqeritet se, nëse do kisha dashur më shumë rinovimin e kontratës sime sesa rezultatet në krye të kësaj skuadre, këtë mund ta kisha bërë pa problem që para ndeshjes së parë me Francën. Kisha mundësi që t’i bëja presion federatës dhe t’i kërkoja me patjetër rinovimin, por unë nuk e kam parë asnjëherë, e përsëris asnjëherë në këtë prizëm. Kam refuzuar që të flas në mënyrë kategorike, pasi kam dashur pikë së pari që të marr rezultate të mira.
Po flisni sikur nuk do jeni më trajneri i kësaj skuadre…
Jo, jo, s’ka lidhje fare. Unë bëj një analizë të thjeshtë që mund ta bëjë çdo trajner: nëse gjatë edicionit ti ke arritur të nxjerrësh tre-katër lojtarë të rinj dhe ke në dorë një skuadër që në gjykimin tënd premton, atëherë nuk ka arsye që të largohesh. Por me këtë nuk dua të them që aman më mbani, se më duhet kjo punë ose që më duhet kjo rrogë. Sigurisht, nuk jam hipokrit, pasi mund edhe të bëj zgjedhje të tjera, por po ju them se për mua është shumë e rëndësishme që të kem një atmosferë pozitive në një skuadër të mirë që e njoh dhe të shikoj një perspektivë, një të ardhme pozitive sipas gjykimit tim.
A është normale sipas jush që dy ndeshjet miqësore të nëntorit t’i drejtojë trajneri i ri, nëse nuk do jeni ju?
Nuk di ta them, por kjo është në dorë të federatës. Unë me drejtuesit kam një marrëdhënie shumë të mirë, por gjykoj se është normale që federata të mendojë për të ardhmen dhe ato dy ndeshje duhen drejtuar nga trajneri që duhet të vazhdojë të drejtojë edhe kualifikimet e Botërorit. Gjithsesi, pas ndeshjes me Rumaninë, unë do të ulem me presidentin dhe do të flasim për të ardhmen. Më pas do shikoj nëse do marrë lule (qesh) nga federata apo thjesht një përshëndetje.

Bastet
Bastexhinjtë kanë parashikuar një fitore të rumunëve, përderisa kanë vënë koeficiente më të larta për skuadrën tonë. Fitorja e kuqezinjve kuotohet nga 3.30 deri në 3.60 (varet nga kompanitë e basteve), barazimi nga 3.23 deri në 3.30 dhe fitorja e Rumanisë kuotohet nga 2.10 deri në 2.20.

Shqipëri-Rumani
Shqipëria:
Ujkani, Dallku, Cana, Teli, Lila, Roshi, Lala, S.Lilaj, Bakaj, Salihi, Bogdani.
Rumania: Pantilimon, Lushin, Tamash, Goian, Latovlevici, Lazaro Bourçeanu, Ad.Kristea, Torje, Marica, Mutu.

LEONARD KARAJ


© Panorama.al

Te lidhura