
Katër emra të rinj grumbullohen në Kombëtare për ndeshjet e fundit eliminatore kundër Francës dhe Rumanisë, që luhen respektivisht më 7 tetor në Paris dhe 11 tetor në Tiranë. Trajneri Josip Kuzhe publikoi dje listën, teksa binin në sy mbrojtësit Agonit Sallaj e Arsen Sykaj, e gjithashtu mesfushorët Sabien Lilaj e Odise Roshi, të cilët mund të quhen si hyrje të reja në Kombëtare. Kuzhe kishte paralajmëruar ndryshime pas humbjes në Luksemburg dhe tashmë në planet e tij janë futur katër lojtarë, të cilët janë afirmuar më parë me Kombëtaren U-21. Kosovari Sallaj është grumbulluar edhe në miqësoren e luksit me Argjentinën, por thirrja e parë zyrtare për mbrojtësin që luan në Ligën e Dytë zvicerane me FC Biel Bienne mund të quhet kjo e tanishmja. Ndërkohë, risi në listën e Kuzhesë është thirrja e shkodranit Sykaj. Mbrojtësi i Vllaznisë ka shkëlqyer me Shpresat dhe tashmë shikohet si alternativë për Kuzhenë. Nga ana tjetër, më në fund kroati grumbulloi edhe talentin fierak, Odise Roshi, që aktivizohet me Këlnin në Bundesligë. Një thirrje surprizë mund të quhet për mesfushorin korçar, Sabien Lilaj, i cili këtë sezon aktivizohet në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit. Lilaj u bë i njohur në kampionatin shqiptar me Tiranën, por gjithsesi ai ka qenë i grumbulluar rregullisht me Kombëtaret e moshave. Ndërkohë, të katër lojtarët e thirrur për të parë një ndeshje zyrtare të përfaqësueses janë të moshës 19 deri në 22 vjeç. Pritet që në ndeshjen me Francën, trajneri Kuzhe mund t’i japë hapësirë njërit prej tyre, por gjithsesi kjo mbetet për t’u parë.
Të tjerët – Pjesa tjetër e listës së Kombëtares është thuajse e njëjtë me atë të ndeshjeve të fundit. Kuzhe i ka besuar portën sërish treshes Ujkani-Hidi-Shehi, ndërsa në mbrojtje rikthehet Andi Lila, i cili mungoi ndaj Francën dhe Luksemburgut për shkak të kartonit të kuq që mori në Bosnje. Konfirmohet në këtë repart talenti vlonjat, Franc Veliu, që po kalon një formë të shkëlqyer te Flamurtari. Cana, Dallku e Vangjeli janë titullarët e mbrojtjes, ndërsa Teli, edhe pse i grumbulluar, nuk do të mund të luajë ndaj “gjelave”, për shkak të kartonëve. Gjithsesi, ai do të jetë i gatshëm në sfidën kundër Rumanisë. Në repartin e mesfushës nuk ka surpriza, përveç Lilajt dhe Roshit. Edhe për sulmin janë preferuar të zakonshmit Bogdani, Salihi, Kapllani dhe Januzi.
Mungesat – Në listën e shpallur dje binte në sy lënia jashtë e Ervin Skelës dhe Ansi Agollit. I pari i ka thënë lamtumirë Kombëtares, ndërkohë që nuk është grumbulluar për dy sfidat e fundit, edhe për shkak se UEFA e ka dënuar me 5 ndeshje pezullim. Gjithashtu, Agolli e ka mbyllur edicionin, pasi kartoni i kuq në Luksemburg i kushtoi 3 ndeshje pezullim. Kuzhe ka preferuar të lërë jashtë mesfushorin durrsak, Emiljano Vila, i cili ende nuk ka debutuar për PAS Janinën. Ndërkohë, nga të grumbulluarit, në ndeshjen e parë në Francë, trajneri nuk do të ketë të gatshëm 4 lojtarë. Bëhet fjalë për Telin, Lalën, Bogdanin dhe Bulkun. Tre të parët janë me kartonë, ndërsa Bulku vështirë se mund të riaftësohet nga dëmtimi që ka pësuar pak ditë më parë. 4 titullarët pritet të jenë në fushë në ndeshjen me Rumaninë.
LISTA E KOMBËTARES
Portierë Klubi
Samir Ujkani Novara
Isli Hidi AEL Limasol
Orges Shehi Skënderbeu
Mbrojtës
Lorik Cana Lacio
Armend Dallku Vorskla Poltava
Andi Lila PAS Janina
Admir Teli Karabak
Kristi Vangjeli Çernomorets
Agonit Sallaj FC Biel Bienne
Franc Veliu Flamurtari
Arsen Sykaj Vllaznia
Mesfushorë
Altin Lala Hanover 96
Ervin Bulku AZAL Baku
Jahmir Hyka Luzernë
Odise Roshi Këln
Gjergji Muzaka Skënderbeu
Sabien Lilaj Lokomotiv Zagreb
Gilman Lika Tirana
Klodian Duro Tirana
Elis Bakaj Dinamo Bukuresht
Sulmues
Erjon Bogdani Çezena
Hamdi Salihi Rapid Vjena
Edmond Kapllani Augsburg
Ahmed Januzi Vorskla Poltava
Benzema dsia-dsa
Sulmuesi i Francës rrezikon seriozisht që të mos luajë kundër Shqipërisë në mbrëmjen e 7 tettorit. Bomberi i Realit të Madridit ka pësuar një tërheqje muskulore dhe është detyruar që të dielën të mos jetë pjesë e skuadrës për përballjen me Espanjolin. Mediat në Madrid bëjnë të ditur se atij mund t’i duhen dy javë pushim.
JORGIS MEMO
© Panorama.al











