Patozi, Ruçit: Hiqni postëbllokun për integrimin

Oct 6, 2011 | 13:10

TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Astri Patozi kundërshtoi sërish sot paktin prej 10 pikash të propozuar nga kreu i PS-së, Edi Rama. Ai e quajti paktin një tekë të Edi Ramës, dhe një rreng fëminor të tij.

Në përgjigje të homologut të tij, Gramoz Ruçi i cili kërkoi sërish përgjigje për paktin, Patozi tha se opozita bën sikur nuk e dëgjon përgjigjen.

“Bashkimi Europian pret prej nesh plotësimin e 12 rekomandimeve dhe 5 prej tyre janë përfshirë edhe sot në agjendën e Parlamentit por që opozita nuk pranon t`i miratojë duke përdorur 10 pikat për të bllokuar integrimin” tha ai.

Ai tha se opozita dhe maxhoranca kanë detyrim të përbashkët, si një interes kombëtarë, që të plotësojnë detyrat konkrete të vënë nga bashkimi Evropian në kuadër të integrimit.

Patozi ftoi edhe njëherë opozitën që të votojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, duke iu drejtuar opozitës me fjalët, “Hiqni postbllokun  për integrimin.

Rendi i ditës
• Disa ndryshime në ligjin “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë, të ndryshuar”.
• Marrëveshja me Austrinë për Gjendjen Civile.
• Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative.
• Katër nisma ligjore për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal.
• Dy nisma ligjore për ndryshimin e Kodit Detar.
• Tre nisma ligjore për ndryshime dhe shtesat në Kodin Rrugor.
• Një shtesë në Kodin Ajror.
• Projektligj “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë”.
• Miratimi i buxhetit faktit 2010.
• Plotësimi i vendeve vakante në institucione.
Në seancën e shkuar , kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i dorëzoi maxhorancës publikisht paktin prej 10 pikash të propozuar nga opozita për zgjidhjen e krizës politike. Por, që nga e enjtja e kaluar asgjë nuk ka ndryshuar. Në fuqi vazhdon të jetë kundëroferta e maxhorancës, e cila pranon vetëm tri nga këto dhjetë pika dhe që janë: reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit nga opozita. Pavarësisht nga kjo situatë, Partia Demokratike duket se po tenton sërish të vërë në provë opozitën kur e fton atë të votojë katër kode dhe ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative.

Kjo është seanca e fundit e Kuvendit përpara se Komisioni Europian, të mërkurën e ardhshme, më 12 tetor, të publikojë progres-raportin për Shqipërinë, që sipas të gjitha gjasave, nuk do të rekomandojë dhënien e statusit për vendin kandidat.

Ndërkohë pika e parafundit e rendit të ditës Interpelancë me Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi kërkuar nga deputeti Erjon Braçe, u shty per seancen pasardhese.

© Panorama.al

Te lidhura