Kuvendi, reforma zgjedhore dhe Rregullorja më 4 nëntor

Oct 17, 2011 | 10:23

Kuvendi ka përfshirë në kalendarin trejavor reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore. Në datën 3 nëntor në Kuvend, Parlamenti do të votojë për draftin e dorëzuar nga Partia Socialiste për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Drafti do të kalojë paraprakisht në Komisionin e Ligjeve, që është edhe komisioni përgjegjës. Gjithashtu, konferenca e kryetarëve ka përfshirë në planin 3-javor edhe miratimin e reformës zgjedhore. Më parë, palët duhet të bien dakord për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, e cila deri tani i ka mbajtur palët në pozicione të palëvizshme. Demokratët kërkojnë përfshirjen në reformën zgjedhore vetëm të 52 rekomandoimeve të OSBE-ODIHR-it, ndërsa socialistët kërkojnë dhe çështje që nuk trajtohen tek 52 rekomandimet. Socialistët kërkojnë që të diskutohet çështja e sistemit zgjedhor, i cili pritet të pësojë një korrektim kombëtar, por dhe ndarje të qarqeve, nga 12 në 6 qarqe të mëdha për të mundësuar në këtë mënyrë një barazi të votës për një mandat deputeti. Gjithashtu, socialistët kërkojnë ndryshim të formulës së KQZ-së, përfshirje të emigrantëve në votim dhe identifikim të zgjedhësve ditën e votimit përmes pajisjeve elektronike.
Procedurat
Gjatë këtyre ditëve pritet që drafti për reformën zgjedhore të shqyrtohet nga juristët e të dyja partive politike. Ditën e hënë, kur Komisioni i Ligjeve do të miratojë edhe kalendarin e tij, pritet që të caktohet relatori i draftit për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Do të jetë i njëjti relator ai që do të referojë edhe në seancë plenare. Deputetët në seancë do të kenë mundësinë e pyetjeve dhe të diskutimeve, kjo sipas kohës që do të përcaktohet më parë nga subjektet. Pas përfundimit të diskutimeve të deputetëve që do të jenë në listën e diskutimeve, në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së, pritet që të shprehë qëndrimin Lefter Koka. Pas tij, sipas kalendarit, është caktuar që në emër të Grupit Parlamentar të PS, të flasë Gramoz Ruçi, ndërsa në emër të Grupit Parlamentar të PD, Astrit Patozi. Maxhoranca është shprehur kundër ndryshimit të rregullores, duke akuzuar opozitën se kërkon të bllokojë seancat plenare. Por deputetët e majtë shprehen se ndryshimi i Rregullores me vendimin nr. 88, datë 24.02.2011, godet opozitën në të drejtën e debatit publik në Parlament dhe me masa shtrënguese për deputetët e saj.

OSBE
Prezenca e misionit të OSBE-së në Tiranë ka qenë shumë aktive në negociatat mes palëve politike shqiptare, për të gjetur një konsensus lidhur me nisjen nga puna të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Socialistët kanë shpresuar se faktori ndërkombëtar do të ishte përcaktues në arritjen e një konsensusi të munguar mes palëve.

Ndryshimet e kërkuara
Socialistët kërkojnë ndryshimin e Rregullores aktuale të Kuvendit, siç ishte para ardhjes në pushtet të demokratëve. Në draftin e dorëzuar nga opozita në Kuvend kërkohet rikthimi i votimit të fshehtë, veçanërisht për emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese, si: Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Deputetët e majtë kërkojnë zvogëlimin e të drejtave të kryetarit të Kuvendit, duke i hequr në këtë mënyrë Kryetares Jozefina Topalli të drejtën e përjashtimit nga seancat plenare të deputetëve “rebelë”, por dhe vendosjen e 60-minutësisht në fillim të seancave dhe jo në fund të saj.

Negociatorët e PD-PS
Damian Gjiknuri dhe Vasilika Hysi kanë negociuar për javë të tëra me dy homologët e tyre, Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi, për të rënë në një mendje lidhur me modalitetet që duhet të ndjekë komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Por palët mbeten në pozicionet e para, ku PD kërkon përfshirjen në këtë reformë vetëm të 52 rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, ndërsa PS kërkon dhe ndërhyrje në Kushtetutë për këtë reformë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura