Kuvendi, hiqen vizat me Serbinë

Oct 28, 2011 | 11:20

Sajmir Tahiri ne Kuvend

Tahiri akuzon Vokshin e Berishën, Topalli ndërpret seancën

Opozita bashkoi dje votat sërish me maxhorancën për dy marrëveshje me Italinë e Serbinë, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Pavarësisht konsensusit në momentin e votimit, gjatë seancës palët debatuan ashpër, veçanërisht për paktin me Beogradin, që përcakton heqjen e vizave mes qytetarëve të dy vendeve.
Debati
Fillimisht ishte deputeti i PS-së, Pandeli Majko, që u pozicionua kundër marrëveshjes për shkak se me këtë marrëveshje po njihet një minoritet serb në Shqipëri. “Ministria e Jashtme tha se këto marrëveshje janë standarde dhe janë lidhur edhe me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnjën. Me këto shtete Shqipëria ka njohur minoritetet e këtyre vendeve. Të përdorësh një standard të tillë marrëveshjeje me një shtet jofqinj, do të thotë se i ke njohur nga pikëpamja e standardit ekzistencën një minoriteti të këtij shteti në Shqipëri. Sot në Shqipëri po legalizohen edhe minoritetet, dhe ky është një problem që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë. Ne do të kemi në të ardhmen një marrëdhënie më se normale me serbët dhe Serbinë, por dua që kjo të bëhet në publik, jo në kanalet e ujërave të zeza, as duke u garantuar lëvizje të lirë njerëzve të mafies serbe”, u shpreh Majko. Lidhur me këto deklarata të ish-kryeministrit socialist, reagoi deputeti i PD-së, Tritan Shehu, duke thënë se “të krahasosh Parlamentin me kanalet e ujërave të zeza është një gabim fatal, një denigrim i Parlamentit dhe më vjen çudi që e bën një koleg që ka një jetë të gjatë dhe me kontribut në Parlamentin shqiptar. Pra kërkojnë të arrijnë në këtë mënyrë rezultatin e një politike antieuropiane, antiintegruese, kundër lëvizjes së lirë. Celulë apo jo, gjejeni ju atë punë”.
Replikat
Gjatë diskutimit të marrëveshjes, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ndërpreu seancën në një rast për shkak se deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, në fjalën e tij u ndal te vendimi i gjykatës për ta dënuar atë me 3.3 milionë lekë për shpifje ndaj Albana Vokshit. “Të premtoj se jam për marrëveshjen këtu. Që këtu vdesin 26 veta në Gërdec dhe nuk dënohet asnjëri, ndërkohë që i prishet humori një deputeteje të maxhorancës dhe dënohemi, kjo është e vërtetë. Që këtu badigardi i djalit të Kryeministrit plagos si sherif një kamerier në lokal dhe nuk dënohet, ndërkohë që i prishet humori një deputeteje të maxhorancës dhe ne dënohemi, kjo është e vërtetë”, u shpreh Tahiri dhe menjëherë pas këtyre fjalëve, kryeparlamentarja ndërpreu punimet e Kuvendit. Në të njëjtën kohë, edhe deputeti Taulant Balla u shpreh se Tirana zyrtare nuk është rakorduar me Prishtinën për miratimin e kësaj marrëveshjeje dhe këtë, sipas tij, e tregon fakti që në të njëjtën orë, në Parlamentin kosovar po diskutohej për pikat kufitare në Veri të Kosovës. I ashpër në qëndrimin e tij ishte edhe deputeti Ilir Gjoni, i cili deklaroi se “aktualisht ne diskutojmë për një marrëveshje të lëvizjes së lirë dhe na është prurë Kodi Detar për të kaluar disa amendamente, ndërkohë që sot që flasim, Republika e Shqipërisë, në prag të 100-vjetorit të saj është pa kufi të përcaktuar detarë në Jug të saj. Kjo është e realizuar përmes ligjit të vitit 2008, ku keni hedhur poshtë edhe Protokollin e Firences të vitit 1925. Partia jonë dhe grupi jonë parlamentar është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka lëvizja e lirë në zonën e Ballkanit. Përfaqësuesit e PS kanë deklaruar se janë parimisht dakord për këtë marrëveshje. Grupi i PS është pro marrëveshjes për lëvizjen e lirë”. Në fund, pavarësisht debateve, marrëveshja me Italinë për faljen e një borxhi rreth 20 milionë euro u votua me 124 vota pro, marrëveshja me Serbinë për heqjen e vizave mori 110 vota pro, një kundër (Alfred Dalipi) dhe 11 abstenime nga grupi i opozitës, ndërsa ligji për shoqëritë tregtare u votua me 120 vota pro dhe 3 abstenime.

Betimi
Mbledhja e djeshme e Kuvendit nisi me betimin e deputetes së re të Partisë Socialiste. Paulina Hoxha, deputete e PS-së në qarkun e Shkodrës, ndoqi formulën që u lexua nga kryeparlamentarja Topalli dhe më pas tha “betohem”, çka u shoqërua edhe me duartrokitje nga të dyja palët në sallë.
Dy javë më parë, Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Beqja, pasi u konstatua se ai kishte përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit gjatë kohës që kishte marrë mandatin.

Demi
Deputeti i Partisë Demokratike, Leonard Demi tha gjatë seancës së djeshme të Parlamentit, se marrëveshja me Serbinë nuk e dëmton Kosovën. “Marrëveshja nuk e dëmton Kosovën, nëse do ta dëmtonte do të isha unë i pari që do ta votoja kundër. Çdo deputet që mendon se kjo marrëveshje mund të ketë ndonjë dyshim, për mua është krejt i pavend dhe unë do të ftoja të gjithë deputetët ta votonin si një marrëveshje që jep një kontribut të madh drejt politikave të përbashkëta”, tha Demi.

Kodet
Deputetët e Partisë Socialiste nuk pranuan as në seancën e djeshme të Parlamentit që të votojnë kodet që kërkojnë tre të pestat e votave. Megjithëse në rendin e ditës ishin futur Kodi Detar dhe Kodi Rrugor, kryeparlamentarja Topalli, duke parë qëndrimin refuzues të opozitës, i kaloi këto pika duke vijuar me votimin e dy marrëveshjeve, me Serbinë dhe Italinë. Në një moment të seancës, kur deputetët e PS-së kundërshtuan marrëveshjen me Serbinë, Topalli u kërkoi atyre që të votojnë ligjet me tre të pestat. “Dakord, këtë mund të mos e votoni, por mund të votoni Gjykatën Administrative, mund të votoni shumë ligje të tjera që i kemi në rendin e ditës”, iu drejtua Topalli opozitës.

Pa viza edhe me Brazilin
Shqipëria do të nënshkruajë një marrëveshje edhe me Brazilin për heqjen e regjimit të vizave. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ndodhet në vendin e Amerikës Jugore, ku ka zhvilluar takime me zv.presidentin e vendit, Michel Miguel Elias Temer Lulia dhe kreun e komisionit të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes. “Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto, vazhdon vizitën zyrtare në Brazil. Sot ai takohet me ministrin e Jashtëm të Brazilit, z. Antonio Patriota, me të cilin do nënshkruajë marrëveshjen për heqjen e vizave dhe dy memorandume të rëndësishme”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme.

Debati në Kuvend
Pandeli Majko: Ministria e Jashtme tha se këto marrëveshje janë standarde dhe janë lidhur edhe me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnjën. Me këto shtete Shqipëria ka njohur minoritetet e këtyre vendeve. Të përdorësh një standard të tillë marrëveshjeje me një shtet jofqinj, do të thotë se i ke njohur nga pikëpamja e standardit ekzistencën një minoriteti të këtij shteti në Shqipëri. Sot në Shqipëri po legalizohen edhe minoritetet, dhe ky është një problem që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë. Ka mjaft kolegë që me shqetësim e kanë trajtuar këtë marrëveshje si një pikë të rëndësishme të procesit të integrimit europian, por sot në Parlament ka shumë projekte të rëndësishme për integrimin, dhe unë nuk mund ta filloj duke votuar për projektligjet e procesit të integrimit europian duke i dhënë votën time pro për një marrëveshje që ka të bëjë në marrëdhëniet me Beogradin. Falna Zot! Nuk besoj se integrimi i Shqipërisë kalon nga Beogradi.
Jozefina Topalli: Dakord, këtë mund të mos e votoni, por mund të votoni Gjykatën Administrative, mund të votoni shumë ligje të tjera që i kemi në rendin e ditës.
Tritan Shehu: Të krahasosh Parlamentin me kanalet e ujërave të zeza, është një gabim fatal, një denigrim i Parlamentit dhe më vjen çudi që e bën një koleg që ka një jetë të gjatë dhe me kontribut në Parlamentin shqiptar. Pra kërkojnë të arrijnë në këtë mënyrë rezultatin e një politike antieuropiane, antiintegruese, kundër lëvizjes së lirë. Celulë apo jo, gjejeni ju atë punë.
Sajmir Tahiri: Para dy ditësh, pa u zbardhur ende vendimi i gjykatësit, në media u përhap lajmi se unë u dënova me një gjobë 33 milionë lekë të vjetër për deklaratat e mia ndaj një deputeteje.
Jozefina Topalli: Brenda temës. Ju tërheq vëmendjen.
Sajmir Tahiri: Më lër, për marrëveshjen do flas. Mos më ndërprit.
Jozefina Topalli: Po ku të iku marrëveshja…?
Sajmir Tahiri: Ne një këpucar e kemi në Parlament. Mos u bëj rrobaqepëse të na qepësh gojën. Gjyqtari me emrin Asim Vokshi më dënoi pse fola për Albana Vokshin. Ky gjyqtar më dënoi pse thashë të vërtetën për një deputete të Kuvendit. U dënova me 33 milionë lekë pse thashë të vërtetën për deputeten, kur në të njëjtën ditë, pse vdiq një minator dhe u plagosën tetë të tjerë në Bulqizë, kompania u dënua me 500 mijë lekë të vjetër. Kushton humori i Albana Vokshit më shumë se jeta e një minatori? Për gjyqtarin po. Fatkeqësisht gjyqtari që më dënoi, e shoqja i punon asistente e Argita Berishës, vetë ai punon asistent i Flutura Kolës. Kujt nuk i kujtohet, është ortakja e Argitës.
Jozefina Topalli: Në bazë të rregullores, për kohën që ju ka mbetur, ose flisni për marrëveshjen, ose uluni, për ndryshe është hera e tretë që të tërheq vëmendjen.
Sajmir Tahiri: Të premtoj se jam për marrëveshjen këtu. Që këtu vdesin 26 veta në Gërdec dhe nuk dënohet asnjëri, ndërkohë që i prishet humori një deputeteje të maxhorancës dhe dënohemi, kjo është e vërtetë. Që këtu badigardi i djalit të Kryeministrit plagos si sherif një kamerier në lokal dhe nuk dënohet, ndërkohë që i prishet humori një deputeteje të maxhorancës dhe ne dënohemi, kjo është e vërtetë.
Jozefina Topalli: Ndërpres seancën plenare pesë minuta. Zotëria është jashtë rendit të ditës.
Pas 15 minutash rifillon seanca parlamentare.
Sajmir Tahiri: E gjykoj të paarsyeshme ndërprerjen. Edhe për marrëveshjen, por edhe për të vërtetat e kësaj qeverie, ne nuk do të mbyllim gojën. Për marrëveshjen unë jam dakord, mjafton që të vëmë disa standarde, që të mos dalin pastaj deputetë si Albana Vokshi, që pse janë mësuar me bonuse dhe preferenca në koncesionet e qeverisë, duan edhe bonuse dhe korsi preferenciale në kufi.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura