Megjithëse konsensusi mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste nuk duket në horizont, në mbledhjen e së enjtes në Kuvend do të tentohet sërish të kalohen ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Zyra e shtypit e Kuvendit ka publikuar dje rendin e ditës për mbledhjen e ardhshme të Parlamentit, në të cilën janë edhe një sërë ligjesh të tjera.
Një javë më parë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i dorëzoi maxhorancës publikisht paktin prej 10 pikash të propozuar nga opozita për zgjidhjen e krizës politike. Por, që nga e enjtja e kaluar asgjë nuk ka ndryshuar. Në fuqi vazhdon të jetë kundëroferta e maxhorancës, e cila pranon vetëm tri nga këto dhjetë pika dhe që janë: reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit nga opozita. Pavarësisht nga kjo situatë, Partia Demokratike duket se po tenton sërish të vërë në provë opozitën kur e fton atë të votojë katër kode dhe ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative. Kjo është seanca e fundit e Kuvendit përpara se Komisioni Europian, të mërkurën e ardhshme, më 12 tetor, të publikojë progres-raportin për Shqipërinë, që sipas të gjitha gjasave, nuk do të rekomandojë dhënien e statusit për vendin kandidat. Përgjegjësia për këtë përgjigje negative nga Brukseli duket se do të debatohet edhe në seancën e ditës së nesërme. Në jo pak raste opozita ka bërë përgjegjëse shumicën parlamentare për mendimin negativ të Komisionit Europian sa i përket integrimit në BE, ndërkohë që Partia Demokratike ka akuzuar PS-në për bllokim të integrimit. “Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009. Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt kongresit dhe të marrë vendimet e tij, vendime të cilat do t’i japin në 2013-n disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet. Nuk do reformë zgjedhore. Përkundrazi, do me çdo kusht ta bllokojë atë. Nuk do reformë të Rregullores së Parlamentit. Përkundrazi, do me çdo kusht ta bllokojë atë. Njeriu që ka shndërruar bllokimin në parzmore të tij dhe kujton se nuk e sheh kush. Të gjithë e shohin. Me bllokimin, zoti Rama, ke shkuar nga disfata në disfatë”, u shpreh pak ditë më parë Kryeministri Sali Berisha lidhur me paketën prej 10 pikash të propozuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Rendi i ditës
• Disa ndryshime në ligjin “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë, të ndryshuar”.
• Marrëveshja me Austrinë për Gjendjen Civile.
• Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative.
• Katër nisma ligjore për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal.
• Dy nisma ligjore për ndryshimin e Kodit Detar.
• Tre nisma ligjore për ndryshime dhe shtesat në Kodin Rrugor.
• Një shtesë në Kodin Ajror.
• Projektligj “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë”.
• Miratimi i buxhetit faktit 2010.
• Plotësimi i vendeve vakante në institucione.











