Kutitë, Prokuroria kundër KQZ

Oct 26, 2011 | 11:47

Hetimi i Prokurorisë për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë duket i rrezikuar për shkak të planit të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit. Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëjnë të ditur për gazetën se Prokuroria ka mbërritur në dyer e këtij institucioni dhe ka marrë kutitë e votimit të 10 njësive vendore, ku u votua në zgjedhjet lokale të 8 majit. Këto burime saktësojnë gjithashtu se nuk ka ardhur deri tani asnjë kërkesë e Prokurorisë për kutitë e Bashkisë së Tiranës, ku PS-ja pretendonte mosrakordim të shifrave. Sipas një vendimi të miratuar muajin e kaluar, nga dita e djeshme nisi zyrtarisht periudha dymujore e djegies së fletëve të votimit dhe sot do të hapen kutitë e para. Nga ana tjetër, burime të Prokurorisë së Tiranës kanë thënë dje se ky institucion ka në hetim dy çështje në lidhje me zgjedhjet e 8 majit. Organi i akuzës theksoi se njëra nga çështjet bën fjalë për procesin dhe për rezultatin në disa komuna në periferi të kryeqytetit, ndërsa dosja e dytë bën fjalë për rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Në të dy rastet, pretendimet janë për mospërputhje të numrit të votave me numrin e banorëve, megjithatë, Prokuroria theksoi se hetimet janë të ndara dhe procedurat janë duke vazhduar. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se Prokuroria ka marrë në KQZ dokumente nga kutitë e materialeve zgjedhore për komunat në periferi të Tiranës në 2-3 raste. Megjithatë, Prokuroria konfirmoi se ende nuk ka marrë asnjë dokument nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i përket rezultatit për Bashkinë e Tiranës. “Është një çështje në hetim për Tiranën dhe procedurat po vazhdojnë. Deri tani Prokuroria nuk i është drejtuar KQZ-së dhe nuk ka marrë materiale aty, pasi hetimi ka procedurat dhe ecurinë e tij”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që grupi i hetimit t’i kërkojë KQZ-së kutitë e materialeve zgjedhore sa i përket rezultatit në Bashkinë e kryeqytetit, pasi ka kallëzime që flasin për numër më të madh votash se votuesit në lista. Çështjet zgjedhore janë bërë objekt i punës së Prokurorisë në disa raste, gjatë viteve të fundit. Rastet më të bujshme u regjistruan në Ruzhdie, Fier, në Shkodër dhe në disa rrethe të tjera të vendit. Prokuroria ka në hetim çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 8 majit, mirëpo KQZ thekson se 25 tetori është afati kur KQZ nis djegien e fletëve të 8 majit. Një ditë më parë, Prokuroria mësohet se ka marrë në pyetje dy prej drejtorëve të KQZ-së, ndërkohë që në Lezhë Prokuroria ka bllokuar disa kuti votimi. Tri ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës është parë madje edhe anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, por nuk është e qartë nëse ai është pyetur për zgjedhjet apo ka qenë në Prokurori për çështje të tjera. Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe tezaurimit të ankimimeve, më 26 shtator 2011, KQZ vendosi asgjësimin e fletëve të votimit të 8 majit. Komisioni Qendror ndau fondin prej 54 milionë lekësh të vjetra për boshatisjen e kutive dhe djegien e fletëve, procedurë e cila mbyllet më 31 dhjetor.            t.s/a.sh

© Panorama.al

Te lidhura