Kufizimi i imunitetit, PD e PS pro ndryshimit të Kushtetutës

Oct 19, 2011 | 11:40

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike shprehën dje vullnet të për të hequr imunitetin përmes ndryshimeve në Kushtetutë. Ilir Rusmali nga Partia Demokratike dhe Fatmir Xhafaj nga Partia Socialiste u shprehën të gatshëm të votojnë në Parlament këto ndryshime. Deklaratat u bënë gjatë tryezës për reformimin e sistemeve të imunitetit të organizuar nga Euralius, Projekti i Këshillit të Europës për përmirësimin e legjislacionit në Shqipëri dhe PACA, projekt i Bashkimit Europian, të zhvilluar dje paradite në hotel “Sheraton”. “Ne rikonfirmojmë se kemi vullnetin e plotë politik dhe parlamentar të mbështesim iniciativën për amendime kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë të shtetit, që bazohet në vlerën/parimin e barazisë para ligjit dhe synon të adresojë problemet e abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit përmes një procesi transparent parlamentar, me mbështetjen e ekspertizës së kualifikuar vendëse e ndërkombëtare”, u shpreh deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, nënkryetar i komisionit parlamentar të ligjeve. Ai dha propozime konkrete se si mund të shkohet deri në votimin e tyre në Parlament. Propozimi i opozitës parlamentare është konkret. “Të miratohet menjëherë një komision ad-hoc parlamentar, që të shqyrtojë përmes një procesi transparent propozimet e bëra, në praninë dhe asistencën e kësaj ekspertize të kualifikuar ndërkombëtare e vendëse, në konsiderim edhe të opinionit të Komisionit të Venecias për këtë çështje, si dhe të paraqesë një projekt konkret me propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese e ligjore, pjesë e një reforme që synon realisht luftën ndaj korrupsionit përmes forcimit real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese”, u shpreh Xhafaj. Në fjalën e tij, përfaqësuesi i PD, kryetari i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali, hodhi dyshime për votën e socialistëve, të cilët sipas tij duan të ruajnë statuskuonë për të mos luftuar korrupsionin. Rusmali shprehu qëndrimin e PD se është e gatshme të votojë ndryshimet në Kushtetutë për heqjen e imunitetit. “PD e jep votën e saj të padiskutueshme për të gjitha amendamentet kushtetuese që atakojnë problemin, në sekondë në unanimitet. Në qoftë se ka një projekt kushtetues që kërkon jo heqjen e imunitetit sipas variantit që propozohet nga ekspertët e PACA, por qoftë dhe nga minimumi e vet, ne i japim votat, sepse vullneti ynë është i palëkundur. Ne jemi kundër këtij justifikimi që mban gjallë statuskuonë dhe mban ngrohtë korrupsionin”, u shpreh Rusmali. Ndërsa deputeti socialist, Pandeli Majko, duke pranuar bllokimin sa herë të palëve për të mos bashkuar votat për të bërë ndryshime kushtetuese në lidhje me imunitetin, u kërkoi palëve të mos bllokojnë njëra-tjetrën, por të votojnë me konsensus propozimet e bëra nga Euralius dhe PACA.

Debatet e djeshme në tryezën e Euralius dhe PACA
Fatmir Xhafaj:
Ne rikonfirmojmë se kemi vullnetin e plotë politik dhe parlamentar të mbështesim iniciativën për amendime kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë të shtetit, që bazohet në vlerën/parimin e barazisë para ligjit dhe synon të adresojë problemet e abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit, përmes një procesi transparent parlamentar, me mbështetjen e ekspertizës së kualifikuar vendëse e ndërkombëtare.
Ilir Rusmali: PD e jep votën e saj të padiskutueshme për të gjitha amendamentet kushtetuese që atakojnë problemin, në sekondë në unanimitet. Në qoftë se ka një projekt kushtetues që kërkon jo heqjen e imunitetit sipas variantit që propozohet nga ekspertët e PACA, por qoftë dhe nga minimumi i vet, ne i japim votat sepse vullneti ynë është i palëkundur. Ne jemi kundër këtij justifikimi që mban gjallë statuskuonë dhe mban ngrohtë korrupsionin.
Fatmir Xhafaj: Propozimi i opozitës parlamentare është konkret. Të miratohet menjëherë një komision ad-hoc parlamentar, që të shqyrtojë përmes një procesi transparent propozimet e bëra, në praninë dhe asistencën e kësaj ekspertize të kualifikuar ndërkombëtare e vendëse, në konsiderim edhe të opinionit të Komisionit të Venecias për këtë çështje, si dhe të paraqesë një projekt konkret me propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese e ligjore, pjesë e një reforme që synon realisht luftën ndaj korrupsionit përmes forcimit real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese.
Ilir Rusmali: Teza e mbrojtësve të korrupsionit është se nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit, sa kohë ka persona me imunitet. Kjo nuk është e vërtetë. Parlamenti e ka dhënë përgjigjen për të hequr imunitetin, sa herë ka raste korruptive.
Teza e dytë e mbrojtëseve të statuskuosë, nuk mund të hiqet imuniteti pa ndryshuar Kushtetutën. Ky është truku i madh i të gjithë debatit që kemi sot. Kjo tezë paraqitet sa herë që forcohet siguria apo garancia që votat për heqjen e imunitetit kushtetues apo ligjor nuk bëhen për shkak se mungojnë kompromiset, për shkak se nuk plotësohen 10 pikat e reja etj. Sa herë që garantohet që vota nuk arrihet, atëherë ngrihet zëri për heqjen e imunitetit me Kushtetutë. Këtë truk ne nuk e pranojmë.
Fatmir Xhafaj: Vetëm në vitet e fundit – koha kur flitet me më shumë pasion për kufizimin dhe deri heqjen dorë fare nga imuniteti –  ka 3 raste të kërkesave për heqje imuniteti për ministra të qeverisë, kalim të çështjeve në gjyq dhe përfundimi mbyllja e çështjeve për shkak procedurash. Përgjegjësia konkrete, e askujt. As e politikës, as e Kuvendit, as e Prokurorisë, as e Gjykatës. Fajtor procedurat!!!.
Pandeli Majko: Në procedurë unë do t’i jepja të drejtë deri diku kolegut Rusmali, pavarësisht se çfarë u tha dhe si, mendoj se proceduralisht ka qenë fillimisht PD ajo që ka kërkuar heqjen e imunitetit, kur ka qenë në opozitë dhe ka qenë PS ajo që ka shprehur rezerva. Ne u përpoqëm ta quanim si mungesë besimi mes palëve dhe ta zgjidhnim me zgjedhjen e presidentit dhe prokurorit të Përgjithshëm, me propozime dhe kandidatura nga PD. Kjo ishte një zgjidhje psikologjike dhe jo procedurale. Më pas, kur PS kaloi në opozitë, u pozicionua duke bërë një deklaratë për të hequr dorë nga imuniteti në mënyrë të moralshme dhe të njëanshme, por nga ekspertët na u tha se ky veprim ishte jo i vlefshëm. Ishte PD që e përsëriti në atë periudhë, se kjo mund të ishte e vlefshme nëse do të kishte vetëm ndryshime kushtetuese për heqjen e imunitetit. Dhe sot që PS kërkon ndryshime kushtetuese për heqjen e imunitetin, çuditërisht është PD që ka bërë atë që kemi bërë ne disa vite më parë, një deklaratë të moralshme se nuk kemi imunitet dhe heqim dorë nga imuniteti për çddo çështje që ka të bëjë me korrupsionin, duke e sjellë këtë si paralele të shembullit gjerman. Këto këmbime pozicionesh në thelb paraqesin mungesë të theksuar besimi, një fakt jo i panjohur ky në politikën shqiptare. Besoj se kjo tryezë mund të thuhet se i vuri disa pika në shprehjen e vullnetit mes palëve. Zoti Xhafa, në emër të PS, e tha qartë se ka vullnet nga PS për të ndryshuar Kushtetutën në lidhje me imunitetetin, sipas propozimeve të bëra nga PACA.

Dvorani: Duhen ndryshime kushtetuese
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, në emër të kësaj gjykate u shpreh dakord me kufizimin e imuniteteve, por kjo të mos përfshijë vetëm gjyqtarët. “Gjykata e Lartë ka diskutuar lidhur me çështjen e imuniteteve dhe, në parim, opinioni ynë është se, për momentin historik dhe shkallën e zhvillimit aktual të institucioneve, nivelin e zbatueshmërisë së ligjit, respektimit të parimeve të sistemit demokratik e të shtetit të së drejtës në Shqipëri, mund të diskutohet dhe, nëse vlerësohet se në tërësi janë pjekur kushtet, mund të ndërmerren nisma, pikë së pari kushtetuese, vetëm në drejtim të kufizimit të imuniteteve procedurale për gjyqtarët, por një gjë e tillë të vendoset më parë për dinjitarët e funksionarët e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, u shpreh Dvorani.

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura