Kushtetuesja zbardh vendimin, pse iu hoq mandati Beqjes

Oct 8, 2011 | 11:46
Ilir Beqja

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin prej 26 faqesh për shpalljen të papajtueshëm me Kushtetutën të mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Ilir Beqja. Pas rreth katër muajsh nga seancat e zhvilluara, tetë anëtarë të kësaj gjykate kanë votuar pro kërkesës së Kuvendit për t’i hequr mandatin deputetit socialist të qarkut të Shkodrës, ndërsa njëri prej tyre, Sokol Berberi, ka votuar kundër. “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 70/3, 70/4, 131 shkronja ‘e’ të Kushtetutës, si dhe të neneve 66/3 dhe 67/2 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, me shumicë votash, vendosi: Konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqja; dërgimin e vendimit Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses. Gazeta zbardh sot pjesë nga vendimi i Gjykatës për çdo pretendim të avokatëve të deputetit socialist. Një grup deputetësh të PD-së vunë në lëvizje Kuvendin dhe më pas Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar si të papajtueshëm me ligjin themeltar të shtetit mandatin e deputetit Beqja, sepse gjatë kohës kur ai ishte deputet, më 17 shkurt 2010, firma e tij, “Intech+”, fitoi një tender prej 24 milionë lekësh për informatizimin e Bashkisë së Durrësit. Pas heqjes së mandatit, vendin e Ilir Beqjes deri në zgjedhjet e ardhshme do ta zërë Paulina Hoxha.
Votimi i hapur
Partia Socialiste pretendoi se votimi në Kuvend ishte i pavlefshëm, pasi ai u bë i hapur, ndërkohë që kur bëhet fjalë për emra konkretë, votimi duhet të jetë i mbyllur. Sipas arsyetimit të Gjykatës, “pretendimi i subjektit të interesuar është i pabazuar dhe nuk duhet pranuar”. Gjykata theksoi se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Rregullorja e Kuvendit nuk parashikojnë mënyrën e votimit për raportin e 1/10 së anëtarëve të Kuvendit, kur vendoset dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. “Në çështjen në shqyrtim, subjekti i interesuar pretendon se meqë votimi për miratimin e vendimit të Kuvendit kishte të bënte me një deputet konkret, si rrjedhojë, votimi duhej të ishte bërë i fshehtë. Gjykata thekson se, në çështjen konkrete, anëtarët e Kuvendit nuk votuan për heqjen ose për pavlefshmërinë e mandatit të deputetit Ilir Beqja, por votuan për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar ose jo papajtueshmërinë e mandatit të tij. Rezultati i votimit në Kuvend nuk solli shpalljen e papajtueshmërisë ose përfundimin e mandatit të deputetit, por vetëm vënien në lëvizje të Gjykatës, siç parashikohet në nenin 70/4 të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tetë gjyqtarëve, mënyra e votimit të hapur nuk e bën të pavlefshëm vendimin e Kuvendit për këtë çështje.
Votimi me 70 vota
Një tjetër argument i përfaqësuesve të deputetit të PS-së për pavlefshmërinë e votimit në Parlament ishte fakti se pro dërgimit të çështjes në Kushtetuese votuan 70 deputetë, ndërkohë që të pranishëm ishin 140. “Sa i takon argumentit të dytë, lidhur me pavlefshmërinë e vendimit të Kuvendit nr.65, dt.21.10.2010, pra të mosarritjes së shumicës së kërkuar për miratimin e tij, Gjykata çmon se ky pretendim nuk është i bazuar. Koncepti i shumicës së votave lidhet, në kuptimin primar të saj, me votimin pro ose kundër të gjysmës së votave të anëtarëve të organit që voton plus një votë. Ndryshe kjo njihet edhe me shprehjen shumicë e thjeshtë”, thuhet në vendim. Sipas Gjykatës, vendimi i Kuvendit konsiderohet i miratuar kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm. “Gjykata vlerëson se vendimi i Kuvendit për dërgimin e çështjes para saj për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit të zotit Ilir Beqja është votuar rregullisht dhe ka marrë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që kanë votuar”.
Momenti i votimit

Faksimile e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

“Vendimi nr.65, dt.21.10.2010 i Kuvendit, sipas interpretimit të mësipërm të Gjykatës, në kushtet kur votojnë të gjithë deputetët e pranishëm, duhet të votohej me 71 vota pro. Në rastin konkret, është votuar fillimisht për praninë e deputetëve në sallë me qëllim përcaktimin e kuorumit të domosdoshëm për votimin e kërkesës së grupit të deputetëve. Sipas tabulateve të Kuvendit të Shqipërisë, rezulton se lidhur me praninë në sallë kanë votuar 137 deputetë. Pas verifikimit të pranisë së deputetëve në sallë, në një interval kohor prej disa minutash, është votuar për kërkesën e një grupi deputetësh të Kuvendit për dërgimin e çështjes Gjykatës Kushtetuese. Sipas tabulateve të këtij votimi rezulton të kenë votuar 139 deputetë. Nga këta, 70 deputetë kanë votuar pro, 67 deputetë kundër dhe 2 kanë abstenuar. Nga procesverbali i votimit rezulton se 3 deputetë (P. Sterkaj, D. Tahiri dhe F. Tushe) nuk kanë votuar për praninë në sallë, por kanë votuar lidhur me kërkesën e grupit të deputetëve. Ndërsa një deputet (F. Toçi), megjithëse ka votuar për praninë e tij në sallë, nuk ka votuar lidhur me kërkesën e grupit të deputetëve. Kjo ka sjellë që numri i deputetëve sipas votimit për praninë të mos përputhet me numrin e deputetëve që kanë votuar lidhur me kërkesën. Për sa më sipër, Gjykata konfirmon qëndrimin e saj të mëparshëm se për përcaktimin e kuorumit në një proces votimi duhet t’i referohemi vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar, dhe jo numrit të përgjithshëm të deputetëve që ndodhen në sallë dhe që nuk votojnë. Sa i takon pretendimit të subjektit të interesuar, se deputeti F. Toçi ka votuar lidhur me kërkesën e grupit të deputetëve, por vota e tij nuk është llogaritur qëllimisht, Gjykata vlerëson se në seancë nuk u soll asnjë provë që të vërtetojë këtë pretendim”, thuhet në vendim.
Fillimi i mandatit
Një tjetër argument i socialistëve është fakti se tenderi i firmës së Beqajt u fitua gjatë kohës kur ai ende nuk e kishte bërë betimin. Deputetët e opozitës e bënë betimin në fund të shkurtit të vitit të kaluar, gati gjashtë muaj pasi Parlamenti kishte bërë mbledhjen e tij të parë. “Gjykata çmon se momenti i betimit të deputetit shënon datën e fillimit të ushtrimit të detyrës së tij si deputet, dhe jo fillimin e mandatit të deputetit. Në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës, megjithëse Ilir Beqja ka bërë betimin si deputet në datën 25.2.2010, mandati i tij parlamentar konsiderohet i fituar në momentin e shpalljes deputet nga KQZ-ja, pra në datën 1.8.2009, dhe jo ditën e betimit”, shprehet Kushtetuesja. Sipas saj, “Deputeti Ilir Beqja kishte detyrimin që në momentin e shpalljes së tij fitues nga KQZ-ja të shmangte çdo rast të papajtueshmërisë. Pretendimi i tij kryesor, se ai në atë periudhë nuk ishte deputet pasi nuk kishte bërë betimin, është i pabazuar. Së pari, mandati i tij ka filluar që në datën 1.8.2009, ndërsa të ardhurat nga Bashkia Durrës ai i ka marrë në datën 17.2.2010 dhe 21.5.2010. Së dyti, mosbërja e betimit nga ana e tij nuk mund të paraqitet si shkak i ligjshëm, pasi ky veprim ishte rezultat i vendimmarrjes personale të tij bazuar mbi motive politike të bëra publike pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”.

Sokol Berberi kundër
“Vendimi i mësipërm i Kuvendit është absolutisht i pavlefshëm, për arsye se nuk ka marrë shumicën e kërkuar të votave sipas Kushtetutës dhe vendimit nr. 29 të Gjykatës. Fillimisht janë parashtruar argumentet mbi të cilat është arritur në përfundimin se shumica, në vlerësimin e pretendimit të mësipërm të subjektit të interesuar, nuk është mbështetur në kuptimin normativ të nenit 78 të Kushtetutës, të interpretuar nga Gjykata me vendimin nr. 29”, thuhet në mendimin e pakicës së anëtarit, Sokol Berberi.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura