“Kushtet jo si thotë Edi Rama”- Amnistia, lirohen 101 të dënuar nga Burgu i Reçit në Shkodër! Flasin të burgosurit: Duhet bërë ndonjëherë burg, por pak!

Jul 15, 2026 | 10:20

Amnistia ka shpërblyer edhe 101 të dënuar në Burgun e Reçit në Malësi të Madhe. Ata fituan lirinë sot, falë amnistisë së miratuar nga Parlamenti.

Përfitues janë të dënuarit për vepra të lehta penale dhe ata të cilët ishin në muajt e fundit të dënimit.

Pas lirimit, disa prej tyre dhanë edhe përshtypjet, duke treguar kushtet në burg, dënimet që kishin bërë dhe çfarë mendonin për të ardhmen pas lirisë.

“Burgu më bëri mirë, se në Shqipëri nuk rrihet. Kam gjithë njerëzit jashtë, kam 3 kalamaj, po këtu nuk rrihet. Kam qenë i dënuar për lëndë narkotike, 3,4 vite, më ngelën e 7 muaj e 20 ditë që fitova nga amnistia. Unë dola përdorues, mendova se do ishin 6 muaj burg, këta kërkuan 7 vjet burg, me gjykim të shkurtuar”, thotë një nga të liruarit.

i denuari shkoder

Më tej ai shpjegon se ndonjëherë pak burg i bën mirë njeriut, por jo shumë, si rasti i tij që u dënua për shpërndarje droge, teksa ishte përdorues.

“Me thënë të drejtën duhet bërë ndonjëherë burgu, se të bën mirë. Me thënë të drejtën u deshtë, duhet me bë ndonjëherë, por pak jo shumë. Por ka njerëz që janë në burg pa të drejtë, si ata dhunë në familje, kam kaluar shumë vetë që kanë qenë kot në burg. Këtu në Shkodër kushtet e burgut janë mirë, se në Tiranë vallai. Duhet me falenderu Allahun”, përfundoi ai.

i burgosur2

Kurse një tjetër i dënuar i liruar, që kishte vuajtur burg për dhunë në familje, kritikoi kushtet e burgut dhe ushqimin, ndërsa nënvizoi se deklaratat e kryeministrit për gjendjen e burgjeve nuk ishin të vërteta.

I dënuari rrëfen se kishte përfituar vetëm 11 ditë nga amnistia.

“Isha për dhunë në familje. Përfitova vetëm 11 ditë. Kushtet katastrofë, jo s thotë Edi rama, janë krejt ndryshe, krejt falsifikim. Kam jetuar në Gjermani në një shtet ligjor, kurse këtu nuk ka shtet ligjor, do iki në Gjermani përsëri. Kam jetuar 22 vjet në Gjermani, por na ra në fukarenjve. E di çfarë është ligji. Periudhë e keqe, ushqimet katastrofë, shumë keq”, tha ai.

burgu recit1

© Panorama.al

Te lidhura