Myslim Pashaj ka qenë drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, kolonel, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i laureuar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”. Myslim Pashaj kreu shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe atë të Oficerëve në vitin 1965. Shërbeu në Detashmentin Topogjeodezik të Shtabit të Përgjithshëm, e më vonë në Institutin Topografik të Ushtrisë në detyra të ndryshme. Kreu studimet e larta në degën “Gjeodezi” të Universitetit të Tiranës në vitin 1975. E gjithë veprimtaria e tij në fushën e hartografisë dhe fotogrammetrisë është e përfshirë në kontribute brenda strukturave ushtarake.
Në vitin 1983 ndëshkohet nga Partia e Punës për ndikime ideologjike e krijime grupazhesh në Institut. Largohet në një njësi ushtarake në Fier deri në vitin 1991, kur kthehet sërish në Tiranë. Largohet nga Ushtria në vitin 1992. Me një grup kolegësh krijon byronë hartografike “Gjeo-Vjosa” dhe punon aty deri në vitin 1997. Po këtë vit rikthehet në ushtri. Drejton për dhjetë vjet Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, 1997-2007. Është autor i dhjetëra botimeve teknike dhe së fundi “Deti që nuk falet”. Është i martuar me bashkëshorten Leonorë dhe ka tre fëmijë: Auronin, Ejontën dhe Ditonin.











