Nëse shumica e qytetarëve kursimet e tyre “ua besojnë” bankave në formën e depozitave, numri i atyre që nuk kanë besim në sistemin bankar dhe që preferojnë që paratë t’i mbajnë në shtëpi nuk është i vogël.
Raporti i politikës monetare për tremujorin e tretë të këtij viti, i hartuar nga Banka e Shqipërisë, vlerëson se përqindja e kësaj kategorie është 38.4 për qind. Por përveç qytetarëve që kursejnë, janë edhe ata që janë të detyruar të marrin borxh. Raporti i stabilitetit financiar për pjesën e parë të vitit reflekton një tendencë në rritje të borxhit informal të marrë nga qytetarët dhe një rënie të aftësisë paguese.
Kursimi
Banka e Shqipërisë nga rezultatet e vëzhgimit të saj për sjelljen e konsumatorëve vlerëson se një pjesë e madhe e tyre i mbajnë paratë në bankë, plot 49.8 për qind, kurse një pjesë më e vogël preferojnë që paratë t’i mbajnë në shtëpi. “Krahasuar me rezultatet e marra në të njëjtin tremujor të një viti më parë, vihet re një rritje e preferencave të konsumatorëve për depozitat në sistemin bankar. Një vit më parë, rreth 57.9% e konsumatorëve preferonte të mbante kursimet në monedha e kartëmonedha dhe vetëm 37.7% e tyre në depozita”, thuhet ë raportin e BSH-së. Ndër faktorët që qytetarët marrin parasysh para se të depozitojnë para në bankë, janë siguria dhe norma më e lartë e fitimit. Nga vëzhgimi dalin edhe të tjera përfundime, ku rezulton që pjesa më e madhe preferojnë t’i mbajnë kursimet në lekë, ndërsa vetëm 10 për qind në valutë, ndërkohë që lidhur me realizimin e të ardhurave rezulton që 96 për qind e qytetarëve i realizojnë të ardhurat në monedhë vendëse.
Huamarrja
Një pjesë e mirë e familjeve shqiptare kanë aktualisht një borxh për të paguar të marrë në ndonjë bankë apo person fizik. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh të familjeve nxjerr në pah disa shifra. “Në totalin e familjeve të intervistuara, 24.8% pohojnë se kanë aktualisht një borxh për të paguar. Burimi kryesor i marrjes së borxhit është një person fizik në 59.3% të huamarrësve dhe banka për 37.4% të tyre. Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të 2010 (periudha referuese e vrojtimit të parë), vihet re një rritje e huamarrjes nga bankat me 6.7%, por edhe një rritje e huamarrjes informale me rreth 4.4%”, vlerëson BSH. Për pjesën e parë të vitit, familjet raportojnë një rënie të aftësisë paguese të borxhit, kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve dhe pritshmëria e tyre për pjesën e dytë që po mbyllet është e njëjtë.











