Kuper: S’mund të përfshihen temat që kërkon Serbia

Oct 12, 2011 | 11:35

Lehtësuesi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, Robert Kuper, u takua dje në Kosovë me kryenegociatoren kosovare, Edita Tahiri dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, duke ndarë të njëjtin mendim- se temat politike nuk mund të shtrohen në tryezën e bisedimeve teknike. Beogradi ka këmbëngulur se pa u zgjidhur çështja e dy pikave të kalimit kufitar, nuk ka për t’u ulur në bisedime me Prishtinën. Ndërkohë që Kuper tha se palët duhet medoemos të takohen, por sqaroi se ata kanë nevojë për konsultime shtesë. Gjatë vizitës së Kuperit, Prishtina zyrtare u shpreh e gatshme të vazhdojë dialogun për çështje teknike me Serbinë, por pa përfshirë në axhendë edhe çështjet politike të ngritura nga Beogradi. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se e ka njoftuar zyrtarin e BE-së me pozicionin e Prishtinës kundër futjes së temave politike në agjendën e bisedimeve. Ajo tha se edhe ndërmjetësuesi Kuper është pajtuar që bisedimet nuk mund të përfshijnë temat e kërkuara nga Serbia, për diskutimin e “zgjidhjeve në pikat doganore 1 dhe 31, në Veri të Kosovës”. “Në bisedat në Beograd, zoti Kuper sërish është ballafaquar me kërkesën e palës serbe, që çështja e pikave doganore të shtrohet në kuadër të dialogut teknik. Për këtë kërkesë, qëndrimi i BE-së ka qenë refuzues. Pra, është refuzuar që kjo çështje të shtrohet në kuadër të dialogut. Në këtë pikë, ne pajtohemi me BE-në, se për çështjet e sovranitetit shtetëror nuk bisedojmë me shtetin fqinj”, tha Tahiri. Kryenegociatori serb, Borisllav Stefanoviç, tha për REL se qeveria serbe do të vazhdojë bisedimet, por nuk do të tërhiqet nga kërkesa për zgjidhjen e çështjes së pikave kufitare 1 dhe 31 në Veri të Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura