Në ambientet e FSHF-së është hedhur dje shorti për fazën e dytë të Kupës së Shqipërisë, për edicionin 2011-2012. Shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, ka shpjeguar mënyrën e zhvillimit të shortit, duke treguar se si janë përcaktuar pozicionet e skuadrave në vazo, gjithnjë sipas renditjes në edicionin e fundit futbollistik 2010-2011. Më pas janë hedhur goglat dhe janë përcaktuar katër grupe, me nga katër skuadra secila. Gjithashtu është përcaktuar rendi i ndeshjeve dhe datat se kur do luhen. Formula e re e Kupës hyn në fuqi nga ky tur dhe duhet parë nëse do jetë e suksesshme apo jo. Ndeshjet e para do luhen më datë 19 tetor 2011, me skemën sipas grupeve: 2-shi me 3-shin dhe 4-ta me 1-shin. Thënë ndryshe: Tirana-Shkumbini dhe Apolonia-Laçi. E njëjta gjë edhe për grupet e tjera, B, C dhe D. Ndeshjet e dyta do zhvillohen më 26 tetor 2011 me skemën sipas grupeve: 1-shi ndaj 2-shit dhe 3-shi ndaj 4-rës. Ndeshjet e treta luhen më 23 nëntor 2011m sipas skemës: 3-shi kundër 1-shit dhe 2-shi kundër 4-rës. Ndeshjet e katërta do luhen më 30 nëntor 2011, 1-shi kundër 3-shit dhe 4-ra kundër 2-shit. Ndeshjet e pesta, më 14 dhjetor 2011, me skemën sipas grupeve: 3-shi me 2-shin dhe 1-shi me 4-rën. Dhe ndeshjet e gjashta do luhen më 21 dhjetor 2011, me skemën sipas grupeve: 2-shi ndaj 1-shit dhe 4-ra ndaj 3-shit. Sipas formulës së sivjetme, dy skuadrat e para për çdo grup kalojnë për më tej. Më pas, tetë ekipet që do kualifikohen, sipas renditjes (1A, 1C, 2B, 2D): ekipi i parë i A-së, ekipi i parë i C-së, ekipi i dytë i B-së dhe ekipi i dytë i D-së do jenë në grupin A dhe (1B, 1D, 2A, 2C) ekipi i parë i B-së dhe D-së, si dhe ekipi i dytë i A-së dhe B-së do bëjnë pjesë në grupin B. Pas ndeshjeve që do luhen mes tyre, dy të parat do kalojnë për në gjysmëfinale dhe vetëm atëherë do të hidhet short i lirë, nga ku do të dalin në fund edhe dy finalistët.
Grupet e Kupës së Shqipërisë
Grupi A – Laçi, Tirana, Shkumbini,
Apolonia.
Grupi B – Flamurtari, Teuta, Pogradeci, Kamza.
Grupi C – Skënderbeu, Kastrioti, Luftëtari, Besa.
Grupi D – Vllaznia, Bylis, Dinamo, Elbasani.











