U luajtën dje ndeshjet e para në grupe për Kupën e Shqipërisë, ku i vetmi rezultat i paparashikueshëm ishte humbja e Flamurtarit në Kamzë. Ndërsa përballjet e tjera nuk prodhuan surpriza dhe të gjitha ekipet e mëdha arritën të fitonin. Tirana, fituesja në fuqi, nisi mbrojtjen e kurorës së saj me një sukses 3-1 përballë peqinasve të Shkumbinit, në një ndeshje të luajtur në kryeqytet. Për bardheblutë shënuan Duro me penallti, Bala dhe lojtari nga Bahamas, Kamerun Heples. Po në këtë grup, Laçi mund në transfertë Apoloninë me të njëjtin rezultat. Kjo tregon në një farë mënyre se si Shkumbini dhe Apolonia e kanë marrë pa shumë seriozitet këtë kompeticion. Në grupin B, Teuta nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Pogradecit, ndërsa Kamza mundi Flamurtarin 1-0, falë golit të mbrojtësit Henri Ndreka. Në grupin C, Skënderbeu arriti një fitore minimale ndaj Besës në Kavajë, ndërsa Kastrioti mundi 4-1 gjirokastritët në Krujë. Edhe këtu shihet qartë se cilat nga katër skuadrat e shikojnë kupën si një objektiv për këtë sezon. Në grupin D, Vllaznia, në transfertë, arriti të fitonte 4-2 në fushën e Elbasanit, një prej tri skuadrave të Kategorisë së Parë, që kanë arritur të kualifikohen midis 16 më të mirave. Për herë të parë në këtë sezon, Kupa e Shqipërisë nuk luhet me një format të bazuar mbi eliminimin direkt. Të 16 skuadrat e mbetura pas fazës së parë, janë ndarë në katër grupe. Javën tjetër, më 26 tetor, në grupin A, Laçi pret Tiranën, ndërsa Shkumbini Apoloninë. Në grupin B, Flamurtari-Teuta dhe Pogradeci-Kamza. Në grupin C, Skënderbeu pret Kastriotin në Korçë, ndërsa Luftëtari luan me Besën. Dhe në grupin D, Vllaznia-Bylis dhe Dinamo-Elbasani.
Kupa e Shqipërisë
Grupi A
Tirana-Shkumbini 3-1
Shënues: Duro 24′ (p), Bala 28′,
Heple 78’/ A.Magani 53′
Apolonia-Laçi 1-3
Shënues: Pasha 34’/ Dragiçeviç 6′, Zefi 68′, 87′
Renditja
Laçi dhe Tirana nga 3 pikë, Apolonia e Shkumbini, zero pikë.
Grupi B
Teuta-Pogradeci 0-0
Kamza-Flamurtari 1-0
Shënues: Ndreka 9′
Renditja
Kamza, tri pikë, Pogradeci e Teuta nga 1 pikë, Flamurtari zero pikë.
Grupi C
Kastrioti-Luftëtari 4-1
Shënues: Vishaj 2′, 80′, Tepshi 7′, 48’/ Kalemi 83′
Besa-Skënderbeu 0-1
Shënues: Muzaka 20′
Renditja
Kastrioti dhe Skënderbeu nga tri pikë, Besa dhe Luftëtari, zero pikë.
Grupi D
Bylis-Dinamo 2-1
Shënues: Dimo 31′ (p), Xhafa 54’/ Shehu 87′
Elbasani-Vllaznia 2-4
Shënues: Halilaj 77′, Olatunji 90’/ Vajushi 42′ (p), Sukaj 65′, 75′, Djepaxhia 81′
Renditja
Vllaznia dhe Bylis nga tri pikë, Elbasani e Dinamo nga zero pikë.
© Panorama.al











