Kuman jep dorëheqjen, i “lirë” për Shqipërinë

Oct 19, 2011 | 13:34
Ervin Kuman

Ervin Kuman rikthehet si alternativë për stolin e Shqipërisë. Holandezi 50-vjeçar ka dhënë dje dorëheqjen nga Utrehti, duke u hapur kështu rrugën bisedimeve të mundshme me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Burime pranë presidentit Armand Duka kanë bërë të ditur për “Panorama Sport” se holandezi është i preferuari i tij prej kohësh. Në vitet 2008-2010 Kuman drejtoi Hungarinë, ndërkohë që në verën e këtij viti u vendos në krye të pankinës së ekipit holandez, Utreht. Kuman kishte nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me drejtuesit e këtij klubi, mirëpo dje në mënyrë të papritur ai dha dorëheqjen. “Drejtuesit e klubit nuk më krijuan kushtet e nevojshme për të realizuar objektivat që unë kam në drejtimin e Utrehtit. Në këtë mënyrë, po largohem”, është shprehur Kuman për mediat holandeze në lidhje me arsyet e dorëheqjes së tij. Pas 9 ndeshjesh në drejtimin e Utrehtit, skuadra holandeze arriti të grumbullonte 12 pikë, duke u renditur në vendin e 10-të. Të shtunën e kaluar Utrehti humbi në transfertë me PSV-në dhe kjo ndeshje vulosi largimin e Kumanit.
Në FSHF tregohen të rezervuar për të dhënë sqarime në lidhje me mundësitë që kanë emrat e përfolur për të marrë drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë. Gjithsesi, bu-rime pranë Dukës tregojnë se Kuman ka qenë gjithnjë në planet e tij. Holandezi e ka bindur edhe më shumë presidentin e FSHF-së kur ishte në krye të Hungarisë. Kjo e fundit ka qenë në një grup me Shqipërinë në grupin kualifikues për Kupën e Botës 2010. Në të dyja ndeshjet që Shqipëria luajti me Hungarinë dështoi. Kuman fitoi jo vetëm sfidën ndaj shqiptarëve, por edhe atë me trajnerin e asaj kohe të kuqezinjve, holandezin Ari Han. Në rang klubesh Kuman ka kulmin e tij në vitin 2005-, kur iu besua drejtimi i Fejenordit. Megjithatë, ai është largua nga ky klub për rezultate të dobëta.

Dario Boneti, në garë për stolin e Kombëtares
Trajneri italian, Dario Boneti, është kandidat për stolin e Kombëtares. Ai ka shprehur interesim për të marrë drejtimin e kuqezinjve dhe ka nisur kontaktet e para me presidentin e FSHF-së. Sipas burimeve brenda FSHF-së mësohet se në zyrat e këtij institucioni ka mbërritur një faks nga Boneti, i cili shpreh interesimin e tij për këtë post. CV-ja e tij ka bërë që të ngadalësohen tratativat me Besnik Hasin dhe të shqyrtohet mundësia e afrimit të italianit. Si lojtar ai ka luajtur për Breshia, Sampdoria, Roma, Juventus dhe Milan. Ndërsa si trajner ka drejtuar skuadrën amatore Sestrese, Dandi në Skoci, Dinamon e Bukureshtit, dhe së fundmi ishte trajner i kombëtares së Zambias.

Sreçko Katanec
Trajneri slloven, Sreçko Katanec, është një tjetër kandidat për të marrë drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë. Katanec ka pasur një ecuri të suksesshme si trajner i Sllovenisë në vitet 1998-2002. Më pas ka drejtuar Olimpiakosin në Greqi për një sezon dhe i është kthyer drejtimit të kombëtareve me ekipin e Maqedonisë, në vitet 2006-2009. Së fundmi, ish-mbrojtësi i Sampdorias drejtoi për dy vite përfaqësuesen e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Hasi, kandidati nr.1
Edhe pse përfliten shumë emra trajnerësh si kandidatë për të marrë drejtimin e Shqipërisë, mësohet se kosovari Besnik Hasi mbetet në “pole-position” për pankinën kuqezi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë një bisedë paraprake me ish-kapitenin e Kombëtares, ndërkohë që tashmë pritet të bëjë edhe një takim zyrtar këtë fundjavë. “Po, Hasi është një alternativë për të marrë drejtimin e përfaqësueses”, ka thënë dje sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.

© Panorama.al

Te lidhura