Kultura e plehrave

Nov 4, 2011 | 10:27

ELSA BALLAURI

U ndjeva vërtet keq që nuk munda të arrij në kohë në protestën kundër importit të plehrave. Ndjehesh keq sidomos kur je ndër ata njerëz që e vuan mjedisin e papastër që të shoqëron sapo zbret shkallët e shtëpisë, që ke thirrur dhe kritikuar kaq herë se mosvëmendja e pushtetit lokal ndaj papastërtive është jashtëzakonisht e lartë dhe se interesi i qytetarëve për të mbrojtur veten, jetët e shkurtra nga kudondodhja e plehrave (qofshin këto kryeqytetase apo fshatare), është jashtëzakonisht i lartë…. Kemi vite që jetojmë me plehrat, i shkelim, i shohim, i nuhasim, kthejmë kokën nga ana tjetër dhe shëmtojmë fytyrën, shajmë nëpër dhëmbë se Bashkia nuk e bën punën e vet. I shohim kazanët të mbushur plot në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, që e shkatërron pamjet estetike të zonave ku jetojmë edhe më shumë se sa ndërtesat e mbira pa kriter apo rrugët e prishura. Por, për çudi, nuk revoltohemi. Çdo kalimtar mund të hedhë si pa të keq një mbeturinë, letër, ushqim, send…. Çfarëdo. Ky kalimtar mund të jetë i afërmi ynë, fëmija ynë, shoku ynë. Dhe pikërisht ne që kemi rrudhur surratin pasi kemi parë plehrat e rrugës, nuk i themi asgjë atij shokut, të afërmit apo fëmijës. Fjala që shoqëron rëndom është: “Kjo është Shqipëria, kështu bëjnë të gjithë”.
A mos vërtet ky lloj realiteti ka mbështetur dhe lehtësuar edhe psikologjinë e politikanëve që vendosin se ç’do të bëhet me mbetjet e botës, për ta pasur të lehtë të vendosin ligjin e ri për plehrat? A mos ata janë të bindur se ky popull, që gati “jeton me plehrat”, s’ka pse të “kurdisë” protesta – gjithçka shkon konform rrjedhës së zakonshme urbane ku plehrat janë një pjesë e spikatur  tradite?…
Psikologjia shqiptare në raport me mbeturinat është ndër më të çuditshmet në Europë. Nuk ka vërtet asnjë vend ku prezenca e plehrave të jetë kaq e dukshme dhe prepotente. Prania e tyre edhe në institucione, edhe në zyra, edhe në shkolla, edhe në ashensorë, edhe në shkallë pallatesh, edhe në kopshtet e fëmijëve. Prania e tyre është kthyer në kulturë. Çudia është kur je në mes të natyrës së bukur, diku nëpër male apo buzë detit, dhe befas sheh se peizazhi rëndohet me qese plastike me ngjyra apo letra të hedhura, me gjithfarë mbeturinash… menjëherë kupton se po i afrohesh një zone të banuar…
Më vjen keq se udhëtimi i fundit i verës në bregun e bukur të Vlorës është stampuar në kujtesën time si një rrugë e trishtuar, ku njerëz të lodhur dhe të bezdisur nga vendi i tyre, si lajmës të këqij, kishin përplasur nga një mbeturinë të shëmtuar anës rrugës… Sa herë flasim për këtë temë, pyes veten: kaq shumë e urrejmë këtë vend ku jetojmë, kaq shumë nuk na dhimbset vetja?
Psikologjia e prezencës së plehrave është e përgjithshme, e njëjta psikologji qytetare, fshatare dhe… shtetërore: të gjitha palët pranojnë prezencën e ambientit të papastër si pjesë e natyrshme e ekzistencës së tyre, dhe më e keqja është se tashmë e pranojmë edhe si një pjesë historie sociale.
Çështja e plehrave na bën të gjithëve fajtorë. Qytetarët që protestuan sot, për fat të keq, nuk kanë dalë asnjëherë tjetër në ndonjë protestë kundër pushtetit lokal që nuk ka ditur të menaxhojë plehrat, shoqatat po ashtu. Natyrisht që protesta e sotme ka një vlerë të padiskutueshme, por është jo e plotë kur kjo bëhet pasi është hartuar një ligj. Pra, nuk duhet të presim deri këtu kur ndërkohë kemi jetuar për vite të tëra me plehrat dhe s’na është dukur e panatyrshme. Ku ishim ne të gjithë dhe ku jemi ende për të protestuar për çdo shishe që hidhet nga dritarja, për çdo banane që fluturon nga makina, për çdo sjellje të shëmtuar të individëve që u duket çdo cep rruge si kosh plehrash. Protesta duhet të ndikoje jo vetëm mbi ligjin e mbetjeve që do vijnë nga bota dhe që ne, në mënyrë të frikshme s’do mund t’i kontrollojmë dot, por ajo duhet të ndikojë për të ndryshuar kulturën e plehrave, vëmendjen mbi çdo lloj mbeturine që cenon ambientin tonë. Nëse kjo do të transmetohet siç duhet, atëherë qeveria duhet të mendohet për të diskutuar ligje të tilla si ai aktuali. Parlamentarët do të jenë më të kujdesshëm dhe më seriozë ndaj një reagimi që është insistues dhe i pandërprerë.
Lëvizja që ka nisur është një aksion serioz që duhet t’i bëjë ligjvënësit të respektojnë rregullat e lojës demokratike ku vendimet merren me konsensus dhe me bashkëbisedim me qytetarët. Qëllimi që të gjithë të gëzojmë shtëpinë e madhe ku jetojmë mund të arrihet vetëm me bashkëpunim pozitiv dhe pa paragjykime që dëmtojnë marrëdhëniet.

© Panorama.al

Te lidhura