Kule akuza Ministrisë: Abuzoi me shpërndarjen e kuotave

Oct 21, 2011 | 10:09
Dhori Kule

Një ditë pas urdhrit të Ministrisë së Arsimit për shpërndarjen e kuotave për transferim studimesh, reagon Universiteti i Tiranës. Rektori i UT-së, Dhori Kule, tha dje se numri i kuotave për këtë vit është sa 1/3 e vitit të shkuar. Kule shfrytëzoi konferencën për shtyp për të bërë edhe njëherë publik qëndrimin e tij lidhur me reformën e re financiare që pritet të aplikohet në shkollat e larta. Po kështu Kule u ndal edhe kuotat e mbetura bosh, por që nuk rishpërndahen nga MASH-i. Ai kërkoi shpjegime dhe denoncoi pakorrektësinë, sipas tij, të këtij dikasteri. “Vendet e mbetura bosh në universitete nuk janë shpërndarë sipas fakulteteve që kanë nevojë dhe që janë më të kërkuara. Ajo çfarë ne kemi konstatuar është shqetësimi i dhjetëra prindërve dhe studentëve që kanë ardhur pranë Rektoratit dhe kanë shprehur shqetësimit se pavarësisht se ata janë menjëherë pas studentit të fundit të regjistruar dhe pavarësisht se ka kuota bosh, ata tashmë nuk mund të regjistrohen, sepse Ministria e Arsimit i ka zhvendosur kuotat nga këto degë në degë më pak të preferuara”, është shprehur Kule. Sipas tij, Ministria e Arsimit duhet të japë sqarime për këtë shkelje. Rektori i Universitetit të Tiranës bëri me dije se dy ditë më parë është mbajtur një konferencë. Për këtë qëllim u mblodh grupi i punës, ku nuk bënte pjesë dhe nuk ishte i ftuar asnjë nga rektorët e universiteteve publike. “Drafti është diskutuar disa ditë më parë, por rektorët e universiteteve publike nuk ishin ftuar në konferencë. Ne nuk jemi kundër reformës së financimit, por janë disa pikëpyetje për të cilat kemi komunikuar zyrtarisht me Ministrinë e Arsimit dhe ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha Kule. Sipas tij, në draftin e hartuar ngrihen shumë paqartësi, duke nisur nga fakti si do të paguhen pagat e pedagogëve, në ç’raport do të jetë financimi i buxhetit të shtetit me të ardhurat e vetë universiteteve. Sipas rektorit të UT, ky model nuk është hartuar nga grupi i punës së ngritur për këtë qëllim, ku bën pjesë dhe ai dhe nuk është as model anglo-sakson, sikundër është rekomanduar nga Kryeministri. “Fillimisht duhet sqaruar se cilat janë pikat e dobëta të mënyrës aktuale të financimit të universiteteve dhe përse duhet hartuar një e re”, tha rektori. Ndërkohë që sot është fundi i afatit për dorëzimin e formularit A3. Aktualisht Universiteti i Tiranës ka mbi 200 kuota të mbetura bosh, ndërsa njoftohen edhe vende të tjera të lira për shkak të largimit të disa studentëve jashtë apo regjistrimit të tyre në institucione të tjera.

Shpërndarja
Këtë vit shpërndarja e kuotave të paplotësuara, por edhe të transferimeve, ka qenë shumë e reduktuar. Janë shpërndarë vetëm 100 kuota për të gjitha degët, ndërsa një vit më parë ka pasur 280 kuota. Sipas urdhrit për rishpërndarjen e kuotave, të publikuar dy ditë më parë nga MASH, rezulton se numrin më të lartë të shpërndarjes e kanë degët: Financë, Administrim Biznes, Gjuhë angleze, Mjekësi, Farmaci, Stomatologji, Fizioterapi, Drejtësi. Secila prej tyre ka 8 kuota dhe në rastin e Drejtësisë janë vetëm 10 kuota nga dhjetëra kërkesa dhe aplikime për të vazhduar studimet në këtë fakultet.

Problemet e ngritura
Skema e re e financimit

.Për hartimin e skemës mbi mënyrën e re të financimit të universiteteve nuk është marrë mendimi i stafit akademik.

.Në draft nuk është sqaruar si do të paguhen pedagogët.

.Nuk dihet në ç’raport do të jetë financimi i buxhetit të shtetit me të ardhurat e vetë universiteteve.

.Drafti nuk është hartuar nga grupi i punës së ngritur për këtë qëllim.

.Drafti nuk është model anglo-sakson, sikundër është rekomanduar nga Kryeministri.

.Nuk sqarohet se cilat janë pikat e dobëta të mënyrës aktuale të financimit të universiteteve dhe përse duhet hartuar një e re.

Kuotat

.Këtë vit UT ka vetëm 1/3 e kuotave të rishpërndara për transferim studimesh edhe të paplotësuara.

.Janë shpërndarë vetëm 100 kuota për të gjitha degët, ndërsa një vit më parë ka pasur 280.

.Kuotat bosh në universitete nuk janë shpërndarë sipas fakulteteve që kanë nevojë dhe që janë më të kërkuara.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura