Kukës: Pronat, banorët bllokojnë firmën e nikelit

Oct 27, 2011 | 12:09
Gjatë ndërhyrjes së policisë për qetësimin e situatës

KUKES – Dy furgona me policë të forcave speciale janë ndalur nga banorë të lagjes Meçaj në fshatin Mamëz të komunës së Kolshit, në tentativën për të zhbllokuar punimet e bllokuara të firmës koncesionare nga banorët. Banorët e grupuar kanë ndalur zhvillimin e operacionit, po ashtu dhe përparimin e automjeteve të firmës. Ata pretendojnë se kanë gjithë dokumentacionin e duhur, se janë pronarë të tokës ku nxirret nikel dhe se, sipas tyre, firma ka dëmtuar tokën, kullotat dhe tokën e tyre. Banorët nuk janë përleshur me forcat e policisë, por momentet e tensionit nuk kanë munguar. Forcat e policisë janë zmbrapsur pa shoqëruar asnjërin prej banorëve dhe kanë zbritur në qytet. Ndërkohë dhe policia konfirmon faktin se nuk ka të ndaluar dhe thotë se nuk ka pasur ushtrim dhune nga dy palët, por thjesht një operacion, që është ndërprerë pikërisht për të shmangur dhunën me banorët. Ditë më parë, policia e Kukësit pati ndaluar disa banorë të zonës që pengonin punimet në këtë fshat, por ata u liruan pas pak orësh. Ky nuk është konflikti i parë për mineralet në zonën e Kukësit, pasi edhe në zona të tjera mineralmbajtëse banorët janë konfrontuar me pronarët e firmave. Këta të fundit pohojnë se shteti nuk po u krijon kushtet e duhura për ushtrimin e licencave, pasi sipas tyre ata i paguajnë shtetit detyrimet, por nuk marrin mineralin, sepse banorët i pengojnë.

© Panorama.al

Te lidhura