Kukës, kapet i shumëkërkuari i SHBA

Oct 5, 2011 | 13:22

Arrestohet në Morin i shumëkërkuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hektor Kelmendi, i njohur dhe me emrin Deme Nikqi, 53 vjeç, u ndalua dje në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, pasi emri i tij rezultonte në atë të Interpolit si një ndër 5 personat më të kërkuar nga Amerika. Kosovari i lindur në qytetin e Pejës akuzohet për trafik qeniesh njerëzore, kryer në SHBA, ku në një prej rasteve ka shkaktuar dhe mbytjen e dy personave. Por, ky trafik është shoqëruar me një sërë ngjarjesh të rënda, që kanë përfunduar me plagosje, gjymtim e deri vrasje të personave të përfshirë në veprimtarinë e Kelmendit. Të dhënat për arrestimin e 53-vjeçarit u bënë të ditura nga Policia e Shtetit. Në deklaratën zyrtare të saj mësohet se arrestimi i një prej personave më të kërkuar nga Shërbimet e Emigracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u krye nga strukturat e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar në Policinë e Shtetit. Hektor Kelmendi (Deme Nikqi), ka lindur në Pejë të Kosovës në vitin 1958 dhe rezulton i pajisur me pasaportë serbe. Ai ka ndjekur rrugën tokësore për të hyrë nga Kosova për në vendin tonë, kur është verifikuar emri i tij si një ndër të kërkuarit për vepra të rënda penale.
“Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Uashingtoni, pasi mbi të rëndojnë një sërë akuzash për kryerjen e krimeve shumë të rënda, si: organizim të emigracionit ilegal, plagosje me pasojë vdekjen, gjymtim dhe vrasje, si dhe organizim të trafikut të qenieve njerëzore”, bëhet e ditur nga Policia e Shtetit. Ndaj Kelmendit, urdhri i arrestit ndërkombëtar është lëshuar më 19 maj të vitit të shkuar nga ana e Gjykatës së Rajonit Lindor të Nju Jorkut, e cila e quajti person të dyshuar për një sërë veprash penale të rënda. Sipas këtij vendimi, bëhet fjalë për akuza të formuluara për një rast të nxitjes së të huajve për të hyrë në territorin amerikan, me pasojë vdekjen, për tri raste të nxitjes ndaj një të huaji për të hyrë në territorin amerikan, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore dhe vënien në rrezik të jetës, 13 raste të provuara për kontrabandë të huajsh e dhjetë herë vepra penale për nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan. Burime të Policisë sqarojnë për gazetën se trafiku i qenieve njerëzore realizohej nga ana e Kelmendit mes kufijve të Amerikës Veriore dhe Kanadasë. Nëpërmjet një prej liqeneve të zonës së Ontarios, Kelmendi vinte në zbatim trafikun klandestin për të kaluar shtetasit e interesuar nga SHBA në Kanada. Për të shmangur kufirin tokësor, ku masat janë tërësisht të rrepta për personat pa dokumentacionin e duhur, organizatorët e trafikut zbuluan rrugën nëpërmjet ujit. Me anë të skafeve apo duke i mbyllur në kamionë që më pas imbarkoheshin në anije, trafikoheshin klandestinë për në Kanada. Për çdo individ pagesa që kërkohej ishte nga 30 deri në 40 mijë dollarë. Në një prej këtyre rrugëve të trafikut, dy persona humbën jetën pasi ranë në ujërat e liqenit duke u mbytur. Pas arrestimit, Kelmendi është transferuar në Drejtorinë e Policisë së Kukësit, në pritje për t’u dorëzuar te Interpol Tirana për procedurat e mëtejshme.

Ekstradimi
Arrestimi i bujshëm i Hektor Kelmendit pritet të shënojë dhe një precedent në Drejtësinë shqiptare. Kosovari me pasaportë serbe u ndalua në tokën shqiptare pasditen e djeshme. Në rastet kur shtetasit shqiptarë janë të kërkuar nga Interpoli i SHBA-ve, nisin procedurat për ekstradimin e tyre në kontinentin e largët, falë marrëveshjes së ekstradimit të vendosur mes dy vendeve. Por, nuk dihet ende se si do të procedohet me 53-vjeçarin Hektor Kelmendi, i lindur në Pejë të Kosovës dhe i pajisur me dokument të lëshuar nga shteti i Serbisë.

Kelmendi trafikoi dy moldave në Kosovë
Më 2 shkurt të vitit 2001, Hektor Kelmendi, i njohur edhe me emrin Deme Nikqi, u dënua me 3 vjet e gjashtë muaj burgim, pasi u arrestua në Pejë të Kosovës për trafikim, shfrytëzim prostitucioni dhe përdhunimin e dy vajzave moldave. Sipas burimeve nga Policia, Nikqi i kishte trafikuar dy vajzat nga Moldavia dhe i kishte punësuar fillimisht në lokalin e tij në Pejë si kameriere e më pas i ka detyruar të ushtrojnë prostitucion. Ndërkohë, pas arrestimit të tij, vajzat e pyetura nga policia kanë deklaruar se përveçse janë shfrytëzuar si prostituta nga Nikqi, ai gjithashtu ka abuzuar me to seksualisht.

© Panorama.al

Te lidhura