
Mungesa e dialogut ishte arsyeja kryesore që Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat. Në një intervistë për “Dojçe Velen”, anëtari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, tha se për të zgjidhur krizën do të vijë në Shqipëri një delegacion i PE-së në muajin nëntor.
Z. Kukan, ku mendoni se janë rrënjët e krizës së gjatë politike dhe progresit të pamjaftueshëm të Shqipërisë në realizimin e reformave të kërkuara nga BE, dy arsyet kryesore që KE nuk e rekomandoi edhe këtë vit Shqipërinë për statusin e vendit kandidat?
Drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk janë të përfshirë në dialogun politik, përmes të cilit do të gjendeshin zgjidhje për t’i dhënë fund krizës dhe stanjacionit të gjatë politik. Kjo mungesë dialogu është arsyeja kryesore që Shqipëria nuk po shënon progres. Në të njëjtin konkluzion ka arritur edhe KE në raportin e tij, të publikuar më 12.10.2011. Se çfarë qëndron pas këtij qëndrimi kokëfortë të dy partive kryesore, nuk mund ta di. Ajo që di është që partia qeverisëse ka ofruar shumë propozime, të cilat janë refuzuar nga partia opozitare dhe po kështu ka bërë së fundi edhe kreu i opozitës, Edi Rama, por ende nuk ka një dialog politik mes tyte. Ndofta kjo situatë është pasojë e kulturës politike në Shqipëri. Kjo kulturë duhet të ecë drejt kulturës politike europiane, e cila u jep zgjidhje pikëpamjeve të ndryshme dhe mosmarrëveshjeve mes forcave politike përmes dialogut dhe kompromisit. Kjo është e vetmja rrugë, në mënyrë absolute, nuk ka rrugë tjetër. Pra, është e nevojshme që Shqipëria të përqafojë kulturën politike, që kanë të gjitha vendet anëtare të BE, të përqafojë mënyrën europiane për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve sepse kjo është në interes të vendit.
A ka ndonjë sinjal se kjo që thoni lidhur me përgjegjësinë në raport me të ardhmen e popullit dhe të Shqipërisë, ka filluar të ndihet nga politikanët drejtues?
Kohët e fundit ka disa zhvillime të reja inkurajuese: opozita është kthyer në Parlament dhe ka bërë disa propozime që Parlamenti Europian i inkurajon. Këto mund të jenë shenja të mira që klima politike në Shqipëri po fillon të ndryshojë. Por ne duam më shumë prova, ne duam të shohim që Parlamenti, që është institucioni demokratik për të bërë betejat politike, po funksionon normalisht, që deputetët marrin pjesë në seancat e tij, që secili merr pjesë në votim e kështu me radhë. Duket se në Shqipëri ende nuk janë krejt të sigurt që ky është funksionimi i qëndrueshëm dhe jetëgjatë demokratik i Parlamentit. Ne duam prova që ky lloj funksionimi i Parlamentit të kuptohet. Ka sinjale të mira nga Shqipëria për Europën se gjërat po ndryshojnë.
Për këtë, dy partitë kryesore ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Po BE dhe institucionet e tij a shohin ndonjë përgjegjësi për krizën e gjatë politike, që si thatë në krye të intervistës, është baza e refuzimit për statusin e vendit kandidat?
Shiko, kemi një projekt i përbashkët: anëtarësimi në të ardhmen i Shqipërisë në BE ka interes të ndërsjellë për Shqipërinë dhe BE. Në dëshirojmë të kemi një Europë të Bashkuar dhe të kemi të gjitha vendet europiane, anëtare të familjes europiane. Institucionet e BE kanë shprehur shumë herë gatishmërinë e tyre për të ndihmuar partitë politike në Shqipëri për të gjetur zgjidhje lidhur me qëndrimet e ndryshme dhe mosmarrëveshjet mes tyre. Ka pasur përpjekje të përbashkëta të grupeve kryesore politike të PE për të folur me dy drejtuesit kryesorë politikë. Por, reagimi, përgjigja e tyre nuk ka qenë e mjaftueshme. Institucionet europiane nuk mund të fajësohen për situatën në Shqipëri. Institucionet europiane nuk mund të firmosin marrëveshjen për kompromis politik mes dy partive më të forta. Janë vetë këto dy parti, vetë politikanët e tyre, që duhet të arrijnë këtë marrëveshje. Institucionet europiane nuk mund t’i zëvendësojnë ata. Kjo është përgjegjësia e tyre. Mendoj që institucionet europiane kanë treguar vullnetin e tyre për të ndihmuar politikanët e Shqipërisë të gjejnë zgjidhje për ndryshimet, diferencat në pikëpamjet e tyre politike dhe për të filluar të bëjnë hapa pozitivë dhe progresivë në procesin e integrimit europian.











