Kujtesë mbi programin për 100-vjetorin e pavarësisë

Oct 18, 2011 | 10:46

NDRIÇIM KULLA

Të shkruash për rëndësinë e njëqindvjetorit të pavarësisë, sidomos për një popull si yni, me një histori të lashtë që shkon deri në gjenezën e parahelenizmit, është pa dyshim diçka e kuptueshme nga gjithkush.  Madje është aq e thjeshtë, sa për një shtet si yni, në prag të sfidave të mëdha të konsolidimit e të integrimit europian, kjo duhet të përbënte një ngjarje. Një ngjarje që duhet ta kish nisur fillin e ceremonive e kremtimeve të veta që tani, që në nëntorin që po afron; ashtu siç pamë të ndodhte me një përvjetor të tillë (150-vjetor) edhe në një shtet të zhvilluar e modern si Italia, ku gjithkush mund të mendonte se patriotizmi dhe ethet kremtuese duhet të mos jenë aq të ndezura për njërin nga shtetet më të zhvilluara të Europës. Kuptohet, pra, qartë se zhvillimi, moderniteti e rrënjosja e ndjenjës nacionale nuk bien aspak në kundërshti as në këtë epokë të menduar të gjithërrafshuar nga vlerat globale. Atëherë ç’duhet të mendojmë për kombin tonë, që ka jetuar gati gjysmën e këtij njëqindvjetori në një liri që mund t’i sillte zhvillim e modernitet? Për të një rast i tillë duhet të ishte shfaqur si i artë, si  i papërsëritshëm, që duhej të ishte projektuar edhe shumë kohë më parë, e jo të qe strukur mjegullave të politikës apo të qe rrasur në ndonjë cep të ngecur të mekanizmit burokratik të shtetit. Ja pse ky kremtim duhet të kish filluar, duhet të ishte i strukturuar, i financuar dhe i detajuar, deri edhe në një banderolë, në një spot, në një ritual, jo më në vijat e përgjithshme e në programin konkret të aktivitetit kombëtar e kulturor që ai nënkupton. Dëgjuam me kënaqësi para pak ditësh se Tirana po përpiqet ta kthejë vëmendjen që në këto prag festash nga hartimi i një programi të tillë, madje ka akorduar edhe një fond prej 1 milion eurosh për kulturën në kryeqytet. Ndërkohë që nuk dimë ende se ç’programe kanë ministritë përkatëse për këtë njëqindvjetor. As për financimin e as për fillimin e përgatitjeve, pasi jemi shumë vonë në të gjithë këto komponentë. Patjetër që është menduar, diskutuar, debatuar, ka projekte, ide për t’u realizuar, ka dhe ngjarje të mëdha që pritet të inaugurohen, por duke mos u tërhequr vëmendja e shoshitja e mendimeve që tani, për hartimin e fillimin e zbatimit të këtij programi, duhet të druhemi nga fjala e urtë popullore, “ngutja i nxjerr këlyshët si të verbër”. Duke qenë afër këtij shqetësimi prej kohësh, do të qe mirë të konturoheshin edhe fushat ku impakti i këtij njëqindvjetori të qe sa më efektiv, afatgjatë e i drejtpërdrejtë, jo i përciptë, i tërthortë, jetëshkurtër a gati i rëndomtë, siç mund të qenë idetë e festimeve dhe aktiviteteve argëtuese, të ngjeshura me panaire e grumbullime të gjithëllojshme. Kjo gjë s’është e s’duhet të jetë emblema e njëqindvjetorit, ajo i shkon më përshtat një përvjetori të thjeshtë. Po çka do të qe vërtet ngjarje në këto kremtime? Ato programe që lidhen ngushtë me perspektivën tonë integruese në radhë të parë dhe përfaqësuese në një botë gjithnjë e më globale, në radhë të dytë. Duhet t’u vihet theksi i promovimit atyre ngjarjeve, atyre njerëzve, atyre episodeve dhe veprave që më shumë na ndriçojnë mendjet dhe zemrat përballë këtyre sfidave. E, si një emërues i përbashkët i gjithë këtyre premisave, do të qenë programet që nxjerrin në pah identitetin tonë, qoftë kombëtar e kulturor, ashtu dhe modern e integrues. Është për t’u përshëndetur këtu që edhe një ministri jo drejtpërdrejt e lidhur me këtë program (siç është p.sh Ministria e Arsimit), ka shpallur si prioritet të saj për vitin që vjen temën e pavarësisë dhe integrimin kulturor të shqiptarëve me njohjen sa më të mirë të Europës, ku po përpiqemi të shkojmë. Është kjo qasja më e drejtë dhe largpamëse që duhet t’i bëhet problemit, se këto janë dy anë më të çmuara të emblemës që duhet të ketë ky kremtim i njëqindvjetorit. Pastaj, për t’i zbërthyer në komponentët e vet përbërës, s’mund të lihen pa përmendur edhe disa linja të mirëpritura që të përbëjnë bazën e këtyre aktiviteteve. Së pari, në rastin e raportit me Europën, përfshirja sa më e gjerë, sa më e thellë e sa më kapilare e të gjitha shkollave e nxënësve në një aktivitet të përbashkët, pikërisht në vitin e këtij përvjetori të madh, do të na jepte atë penelatë moderniteti dhe kozmopolitizmi që s’duhet të na mungojë asnjëherë. Ashtu siç, nga ana tjetër, duhet t’u vëmë një rëndësi parësore projekteve që promovojnë traditat tonë më të vyera kombëtare,  tharmin e individualitetit shqiptar, gjenezës, historisë dhe karakterit të veçantë të prurjeve që ai i ka dhënë njerëzimit. Sidomos në kohën e sotme globale, identiteti karakteristik njerëzor dhe aspektet e veçanta historiografike, por edhe ato fetare a ekumenike, janë një identitet i rëndësishëm përtej planeve sociale, administrative dhe politike që kushtëzojnë integrimin tonë. E, meqenëse albanologjia është e vetmja fushë e dijes që e ruan, e zhvillon dhe e pasqyron më me dinjitet dhe kompetencë këtë identitet kombëtar, prioriteti do të qe të hartoheshin sa më shumë kontribute albanologjike të traditës shqiptare. Theksimi i identitetit kombëtar përballë sfidave të zhvillimeve kulturore dhe postnacionale në epokën e sotme të globalizmit, forcimi i karakterit shkencor të prurjeve tona historike përballë sfidave të sotme albanologjike, i cili veçanërisht në fushat e sot-debatuara të historisë së Skënderbeut, sundimin venedikas në Shqipëri dhe kronologjisë së historisë shqiptare, kërkojnë diktime autoritetesh të padiskutueshëm nëpër qarqet akademike europiane, do të ndihmonte edhe në atë valë emocionale që duket të jetë ngritur vrullshëm këto kohët e fundit nga një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik. E, çështjen emocionale të një karakteri kombëtar duhet ta ketë si bazë çdo program që synon të jetë barazisht aktual dhe shteg-shënjues, sa frymërisi-krijues aq edhe mjegull-davaritës nga pikëpamja shkencore, po kaq divulgativ aq dhe edukues për të gjitha llojet e audiencës. Ja pse kërkuam edhe në fillim sa më shumë përmbajtje, lëndë e kompetencë shkencore në programin e njëqindvjetorit, sesa formë e trajtë festive e argëtuese. Ato jo vetëm që ikin e shkojnë, por janë edhe tymuese, në një kohë kur ne kemi nevojë t’i paraqitemi botës me këtë shkas, me gjithë fuqinë e më së mirës së historisë, traditave dhe kulturës që ai ka arritur të prodhojë gjatë këtyre shekujve. Kështu, qindvjetori do t’i shpërblejë thesarisht investimet e mëdha njerëzore, programore dhe financiare që do të bëhen për të, e s’do të kujtohet si një shans i humbur i një ngjarjeje të madhe, si shumë të tjera në vargun tonë të gjatë të mostakimit me historinë fituese.

© Panorama.al

Te lidhura