Shqipëria po përgatitet të nisë sërish bisedimet me Greqinë për firmosjen e marrëveshjes për ndarjen e kufirit detar në Jug të vendit. Këtë e konfirmoi dje ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në një komunikim me mediat, pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, të gjitha institucionet e përcaktuara do të sjellin përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që të nisin negociatat me palën greke. “Mund të them që kemi dizajnuar komisionin përkatës, përbërjen e tij. Ky komision do të plotësohet nga përfaqësues të institucioneve respektive, të cilat do të jenë pjesë e ekipit, i cili do të shqyrtojë me palën greke të gjitha hapësirat dhe mundësitë për ta konkluduar marrëveshjen në fjalë”, u shpreh Haxhinasto.
Pala shqiptare, e cila po hyn për herë të dytë në negociata për ndarjen e kufirit detar me vendin fqinj, duket se kësaj radhë po bën kujdes për të marrë paraprakisht edhe plotfuqishmërinë e Presidentit, sipas përcaktimit në Kushtetutë dhe në ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas Haxhinastos, Tirana zyrtare nuk do të pranojë asnjë presion nga Greqia lidhur me këtë çështje. “Në momentin që ky grup do të konstituohet, do të plotësohet me përfaqësues nga institucionet përkatëse, do të merret edhe plotfuqia përkatëse nga Presidenti i Republikës. Shqipëria nuk pranon asnjë lloj presioni përsa u takon çështjeve mbi të cilat ajo është sovrane. Sigurisht që është shprehur një kërkesë nga pala greke, që ky proces të vazhdojë dhe të konkludohet pakti”, theksoi më tej ministri i Jashtëm, njëherësh zv.kryeministër i vendit. Mungesa e aktit të plotfuqishmërisë nga ana e Presidentit ishte një prej shkeljeve të konstatuara nga Gjykata Kushtetuese, që çoi në rrëzimin e marrëveshjes së firmosur në Tiranë gjatë vizitës së Kryeministrit grek, Karamanlis. Në nenin 4 të ligjit nr. 8371, dt.9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” parashikohet pajisja e delegacionit me plotfuqi nga Presidenti i Republikës për marrëveshjet ku Republika e Shqipërisë është palë, pikërisht për të garantuar respektimin e parimeve kushtetuese që shërbejnë si bazë themelore për funksionimin e shtetit, siç është edhe ai i shprehur në nenin 3 të Kushtetutës, që lidhet me paprekshmërinë e tërësisë territoriale. “Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, përbën cenim të një garancie kushtetuese”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në OKB për njohjen e Kosovës”
“Çështje e rëndësishme në të gjitha këto takime ishte Kosova, nxitja e njohjeve të reja për shtetin e ri”, u shpreh dje Haxhinasto për takimet në OKB. Ai foli gjithashtu për çështjen palestineze, duke argumentuar qëndrimin e qeverisë shqiptare që mbështet ekzistencën e dy shteteve që jetojnë në fqinjësi e paqe me njëri-tjetrin. Përsa u përket tryezave rajonale, ministri Haxhinasto vuri theksin te takimi i Kartës së Adriatikut A5, të cilin ai e kryesoi. Ministri Haxhinasto foli edhe për angazhimin e Shqipërisë në mbështetjen e qeverive të tranzicionit në Afrikën Veriore, si në Tunizi e Libi.
WikiLeaks, Athina presion Tiranës për detin
“Qeveria greke po bën presion te qeveria shqiptare që ajo të pranojë kërkesat e saj në negociatat dypalëshe për demarkacionin e kufirit detar mes dy vendeve. Athina po kërcënon gjithashtu se do të refuzojë ratifikimin e MSA-së për Shqipërinë me BE-në pas një çështjeje të diskutueshme që përfshin varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri, në atë që qeveria shqiptare e sheh si një përsëritje të shantazhit të Greqisë, të përdorur kundër ambicieve të Maqedonisë për anëtarësimin në NATO. Bisedimet mbi çështjen e varrezave vazhdojnë, pasi raundi i fundit i negociatave, më 30 shtator, përfundoi pa konkluzione”, thuhet në një kabllogram të Ambasadës Amerikane në Tiranë, drejtuar Departamentit të Shtetit.
Lambrinidis: Pakti të zbatohet
Athina zyrtare përsëriti pak javë më parë sërish qëndrimin e saj për paktin detar. “Marrëveshja e ujërave ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zbatohet. Kjo marrëveshje është e nënshkruar nga dy shtete të lira, prandaj presim që kjo marrëveshje të implementohet. Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë sikur vendet në rajon, në një pozitë që të jetë një vend kandidat. Ne dëshirojmë që Shqipëria të ketë perspektivë dhe ardhmëri në BE. Kemi investuar shumë në rajon dhe vazhdojmë të investojmë aty dhe të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë”, ka thënë Stavros Lambrinidis pas takimit me zyrtarë të qeverisë së Kosovës në Prishtinë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











