Ksera: Nuk do ndryshojë mosha e daljes në pension

Oct 11, 2011 | 10:46
Spiro Ksera ne komisionin e shendetesise

Mosha e daljes në pension nuk do të ndryshojë. Reformimi i ligjit për sigurimet shoqërore nuk do të sjellë asnjë ndryshim në këtë pikë. Shqiptarët, njësoj si tani, do ta ndërpresin punën respektivisht në moshën 60 vjeç për femrat dhe 65 vjeç meshkujt. Këtë garanci dha dje në Komisionin Parlamentar ministri i Punës, Spiro Ksera. Sipas tij, ndryshimet kanë të bëjnë vetëm me përafrimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit, dhe jo rritje e moshës së daljes në pension. “Ka reformim të ligjit për sigurimet shoqërore, por kurrsesi nuk ka rritje të moshës së pensionit. Do të ketë një indeksim që ka të bëjë me moshën, por kurrsesi nuk ka rritje. Ka indeksim në nivele të ndryshme të pensioneve, siç janë ato të fshatit, në sektorin bujqësor, të invaliditetit dhe gjithë pensioneve të tjera. Me një fjalë, nuk ka të bëjë me rritjen e moshës së pensionit”, u shpreh ministri. Në raportimin e tij përpara deputeteve ai theksoi se është gati ligji për trajtimin e moshës së tretë. Ndër të tjera, në të parashikohet strehim dhe transport falas për të moshuarit. “Aksesi i tyre nëpër qendra ditore, në transportin publik dhe në gjithë ato që jep ligji i statusit të të moshuarit. Drafti është bërë gati nga grupi i punës, është diskutuar edhe me aktorë të tjerë, me OJF-të që operojnë në këtë fushë. Pritet që ne t’i japim formën përfundimtare. Ka një buxhet të konsiderueshëm, por që qeveria është e gatshme që ta mbështesë këtë ligj”, theksoi Ksera. A foli gjithashtu edhe për fondet e qeverisë për ndihmën sociale. Sipas tij, 9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto shkon për të moshuarit dhe njerëzit në nevojë. Lidhur me këtë, ai kërkoi bashkëpunim më të madh nga pushteti vendor që ky fond të shkojë atje ku duhet. “Në Shqipëri mosha e tretë zë rreth 8-9% të popullsisë, ndërkohë që në vende të tjera kjo shifër arrin mbi 20% dhe sipas studimeve dhe prognozave demografike, pas 15 vjetësh, popullsia e moshuar do të zërë 33% të popullsisë në vendet europiane”, tha ministri. Sipas tij, qoftë në kontekstin europian të plakjes së popullsisë, edhe në realitetin shqiptar, fenomene të tilla si rritja e jetëgjatësisë së popullsisë dhe ulja e lindshmërisë paraqesin sfida të konsiderueshme ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore. Ato kërkojnë veprim të përbashkët politik për afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.

Rritja e pensioneve
Ministri u ndal edhe te rritja e të ardhurave për moshën e tretë. “Në vitin 2010 të ardhurat minimale të 381 mijë pensionistëve në qytet u rritën me 6%, ndërsa të 162 mijë pensionistëve në fshat me 10%, krahasuar me një vit më parë, duke arritur që të ardhurat minimale të pensionistëve në qytet të shkojnë në 12 840 lekë në muaj dhe në fshat 7870 lekë në muaj”, bëri me dije ministri Ksera para Komisionit.

Dalja në pension
.    60 vjeç  për femrat

.    65 vjeç meshkujt

.    9% e PBB shkon për të moshuarit

.    8-9% të popullsisë janë të moshuar

.    Në Europë: 20% e popullsisë të moshuar

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura