Kryeinfermierët e QSU, shpallen kriteret për konkursin

Oct 7, 2011 | 11:53

Drejtoria e QSUT-së ka përcaktuar kriteret dhe afatet për hapjen e konkursit të kryeinfemierëve dhe kryelaborantëve në këtë institucion. Dje, drejtori Saimir Ivziku firmosi urdhrin për zgjedhjen e 96 specialistëve të rinj. Nga sa bëri me dije zyra e shtypit, çdo kriter do të jetë i pikëzuar, që do të thotë se infermierët do të vlerësohen në bazë të pikëve që do të mbledhin. “Nota mesatare e shkollës së lartë, nëse është mbi 9, vlerësohet me 15 pikë. Nota 7-8 me 9 pikë. Peshën më të madhe do ta ketë testimi me gojë deri në 20 pikë”, thuhet në deklaratën për mediat të QSUT-së. Sipas urdhrit,  nga testimi përjashtohen rastet e personelit që punojnë, të cilëve u duhen edhe 2 vjet për të dalë në pension, nga data e daljes së këtij urdhri. “Çdo person mund të konkurrojë vetëm për një pozicion pune.  Do të pranohen vetëm dokumente të noterizuara. Dokumentacioni i kërkuar do të dorëzohet pranë zyrës së menaxhimit të burimeve njerëzore brenda datës 17.10.2011”, thuhet në urdhrin e lëshuar dje. Sipas tij, në momentin e dorëzimit të dokumentacionit bëhet protokollimi i tyre dhe firmosja për marrjen në dorëzim, duke specifikuar dokumentet si dhe numrin e faqeve të çdo dokumenti të dorëzuar. Një nga kriteret kryesore për pozicionin e kryeinfermierëve, përveç arsimit të lartë, është eksperienca të paktën mbi 3 vjet punë në QSUT. ”Preferohet përvojë e mëparshme në drejtim, qoftë dhe në një nivel më të ulët”, përcakton urdhri. Aftësitë dhe cilësitë profesionale, drejtuese, komunikuese (marrëdhëniet me eprorët, kolegët, vartësit, zbatimi Kodit të Etikës do të vlerësohen nëpërmjet testimit, që do të ketë edhe pikët maksimale.  Drejtori i spitalit “Nënë Tereza” liroi pak ditë më parë  nga detyra të gjithë kryeinfermierët dhe kryelaborantët e spitalit. Bëhet fjalë për 96 persona që kanë këtë pozicion në spital. Prej tyre, 85 kryeinfermierë, 11 laborantë dhe 1 fizioterapist. Të drejtën e konkurrimit për pozicionet e reja  ka çdo punonjës që plotëson kriteret që do të përcaktohen. Këtë të drejtë e ruajnë edhe kryeinfermierët-kryelaborantët aktualë.

Dokumentet
• Curriculum Vitae
• Kërkesë personale për vendin ku do të konkurrohet
• Diploma e Infermierisë & Lista e notave.
• Anëtarësimi në Urdhrin e Infermierit
• Licenca për ushtrimin e profesionit
• Karta e identitetit.
• Dëshmi të trajnimeve të ndryshme.
• Dëshmi e gjuhës së huaj.
• Dëshmi aftësie për programet bazë të kompjuterit

© Panorama.al

Te lidhura