Krujë, digjet fabrika e sfungjerëve, 3 plagosen

Oct 18, 2011 | 13:08
Zjarri në fabrikën e sfungjerëve

KRUJE – Shkrumbohet fabrika 3-katëshe e sfungjerëve, rrezikohet jeta e 80 punëtorëve, si dhe banesat ngjitur me objektin. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:00, ndërsa zjarrfikëset lokalizuan flakët pas rreth 7 orësh luftë me to. Fillimisht, flakët ranë në katin e parë të godinës e më pas u përhapën me shpejtësi në të tri katet e saj, duke rrezikuar jetën e punëtorëve të cilët fillimisht tentuan të shuajnë zjarrin. Por, kur kanë parë se situata ishte jashtë kontrollit, ata nxituan të dalin jashtë. Në tentativë për të dalë, mbetën të plagosur tre punëtorë, një burrë dhe dy gra, të cilët u dërguan me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Ndërsa të tjerët arritën të dalin pa u lënduar. Zjarrfikës të Krujës, Durrësit, Laçit e Tiranës mbërritën me urgjencë, pasi në ambientet e fabrikës ndodhej një cisternë gazi 5000-litërshe që përdorej për vënien në punë të mjeteve për prodhimin e sfungjerit. Specialistë të zjarrfikëseve bënë të ditur se nxehtësia që çliron zjarri mund ta shpërthente atë. Policia evakuoi banorët e të gjithë Lagjes Nr. 4 të Krujës, pasi zjarri rrezikonte ndërtesat përreth. “Janë mbi 100 shtëpi të cilat ndodhen afër godinës së fabrikës. Një shpërthim i mundshëm i cisternës do të shkaktonte një tragjedi me përmasa të paimagjinueshme”, bënë të ditur burime nga vendi i ngjarjes. Fabrika është në pronësi të Ali Kaloshit, i cili e zhvillonte aktivitetin prej dhjetë vitesh. Nga hetimet paraprake rezultoi se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike pas luhatjeve të tensionit. Megjithatë, pritet një ekspertizë e hollësishme për të nxjerrë shkaqet, ndërsa dëmi llogaritet në miliona lekë.          r.n

© Panorama.al

Te lidhura