Kriza e dritave, Bode: Borxhi do rritet

Nov 25, 2011 | 8:53
Ministri i Financave, Ridvan Bode

Ministri i Financave pohoi dje në emisionin “Top-Story” të gazetarit Sokol Balla, se kriza energjetike do të detyrojë buxhetin të garantojë blerje e energjisë nga KESH. Bode pranoi dje se kriza energjetike do të përkthehet në rritje të nivelit të borxhit dhe theksoi se nuk do të ishte tabu prekja e nivelit 60% të GDP, që përcakton ligji për buxhetin. Aktualisht, KESH është duke importuar energji në vlera rreth 30 milionë euro në muaj. Situata hidrike në hidrocentrale bën që më shumë se dyfishi i energjisë të importohet dhe të shitet me çmim minimal për CEZ. Kjo ka sjellë rrënimin financiar të korporatës, e cila është e detyruar me kontratë që të furnizojë me energji rreth 60 për qind të konsumit të dritave në vend. Pamundësia financiare e KESH-it ka detyruar qeverinë të parashikojë fonde “në formë subvencioni” për KESH-in. “Shteti duhet të garantojë kredinë për Korporatën Energjetike, çka do të thotë që borxhi prej 60 përqindësh nuk mund të jetë tabu. Ai është i përkohshëm”. Ministri la të nënkuptohet që shumë shpejt mund të ndryshojë ligji dhe limiti i borxhit, të paktën përkohësisht, të kalojë 60%. I pyetur për inflacionin dhe ndikimin që mund të ketë vendimi i Entit Rregullator të Energjisë, ministri tha se pritet që çmimi i energjisë të mos rritet për konsumatorët, por të ketë një rregullim të çmimeve që KESH dhe OST aplikojnë për CEZ-in. “Vendimi nuk ka dalë akoma, e presim. Me sa kam dëgjuar, nuk do të ketë ndryshim në politikën e çmimeve të energjisë. Mund të ketë vetëm një zhvendosje të marrësve brenda përbrenda zinxhirit të prodhimit të shitjes”, theksoi dje Bode.
I prerë dhe pa asnjë shpresë për ndikim në treg, ministri ishte për çmimin e karburanteve. Ai theksoi se qeveria nuk do të ndikojë fare në uljen e çmimeve me anë të politikave lehtësuese fiskale. “Çmimi i naftës reflekton koniunkturën ndër-kombëtare, pra ne i kemi çmimet të liberalizuara”. Por transporti, apo përdorimi i makinës do të bëhet më i shtrenjtë edhe për shkak të një tarife tjetër, atë të përdorimit të rrugëve. Shumë shpejt, qeveria do të japë me koncesion rrugët e mëdha që ka ndërtuar. Koncesioni nuk do të jetë për pagesën e kostos së ndërtimit të rrugës, por për koston e mirëmbajtjes së saj. Sipas ministrit, e para do të jetë rruga Durrës-Kukës, pagesa e së cilës për çdo makinë do të vendoset pas tenderit që do zhvillojë qeveria.

Mbitaksa për biznesin
Ministri i Financave e ka quajtur arritje mosaprovimin nga qeveria të mbitaksës për kompanitë që kanë normë të lartë fitimi. Në emisioni e djeshëm “Top Story”, Bode pranoi publikisht se nisma Kryeministrit është tërhequr. Pak muaj më parë, Berisha kërkoi publikisht në mbledhje qeverie vendosjen e taksimit progresiv, sipas përqindjes së fitimit, për bizneset e mëdha. Sipas Berishës, kush ka norma të larta fitimi, mbi 20% apo më shumë, do të kishte normë më të lartë taksimi. Bode pranoi se kjo nisëm ishte e gabuar dhe u shpreh se tërheqja e këtij ndryshimi është veprimi më i mirë që u bë nga qeveria.

© Panorama.al

Te lidhura