
Konflikti i armatosur në Gjykatën e Lezhës, ku mbeti i vdekur një person e katër të tjerë u plagosën, çon në pranga edhe një efektiv të policisë. Dritan Lorenci, punonjës i qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë së Lezhës, është arrestuar pasditen e djeshme duke e çuar në gjashtë numrin e të ndaluarve. Burime të Policisë së Lezhës bënë të ditur se arrestimi i efektivit të policisë rrugore është bërë menjëherë pas përgjigjes nga ekspertiza balistike në laboratorët e kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme, nga ku ka rezultuar se në ngjarjen e ndodhur më 15 tetor është qëlluar edhe me armën e Lorencit. Ekspertiza e një prej gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes rezultoi se i përkiste armës së efektivit të policisë. Në fakt, ditën e ngjarjes pati dyshime për përfshirjen e efektivit në shkëmbimin e armëve, por policia e Lezhës e mohoi këtë, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë efektiv të saj të përfshirë me armë në këtë ngjarje. Ngjarja që tronditi Gjykatën e Lezhës, nisi që në sallën e gjyqit ndërmjet palëve, të cilat ishin në proces gjyqësor për çështje pronësie. Palët kanë nisur të konfliktohen dhe më pas kanë nxjerrë armët, ku mbeti i vdekur shtetasi Endri Betaj, ndërsa katër të tjerë u plagosën. Pas ngjarjes, policia arrestoi shtetasit Alban Deda, Viktor Bershimi, Ermal Lulasha, Sokol Sejdiaj dhe Mëhill Ndreu. Ky i fundit gjatë procesit për marrjen e masës së sigurisë u la në arrest shtëpie, ndërsa ndaj personave të tjerë gjykata vendosi masën e arrestit me burg. Mëhill Ndreu, ish kreu i PD-së së Lezhës, ka qenë bashkë me nipin e tij, i cili mbeti viktimë e këtij konflikti. Ndreu ndodhej në Gjykatë, pasi familja Deda nga Shëngjini e kishte hedhur në gjyq, duke pretenduar se ai kishte ndërtuar një lokal dhe hotel në tokën-truall në pronësi të tyre. Policia deklaroi se ngjarja ka ndodhur në oborrin e Gjykatës dhe më pas palët janë përfshirë në konflikt në ambientet e brendshme. Por nga pamjet e realizuara në sallën ku është mbajtur seanca gjyqësore, dallohet qartë përgjakja brenda saj. Burime të Policisë së Lezhës nuk bënë të ditur detaje rreth deklaratës që ka bërë efektivi i policisë në këtë ngjarje, por as motivi i përfshirjes së tij me të shtëna armësh.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI











