
Pretenca e Prokurorisë në lidhje me gjykimin e nisur 4 vjet më parë për 16 personat e akuzuar si “anëtarë” të “bandës së Durrësit” do të lexohet në Gjykatë në seancën e 10 tetorit. Në një seancë me supermasa sigurie nga forcat speciale të policisë, Gjykata për Krimet e Rënda shtyu dje dhënien e pretencës për të pandehurit e akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, në kuadër të organizatës kriminale. Vendimi i gjykatës ishte në pranim të kërkesës së prokurorit Anton Martini, sipas të cilit trupës së prokurorëve i nevojiteshin edhe dy ditë kohë për të përfunduar konkluzionet. “Për shkak të kompleksitetit dhe volumit të dosjes, si edhe për shkak të shtrirjes së gjatë në kohë të veprave për të cilat akuzohen të pandehurit, kërkojmë edhe dy ditë kohë për të paraqitur para jush konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë”, u shpreh dje drejtuar trupit gjykues prokurori. Kërkesa e Prokurorisë nuk kaloi pa batuta nga ana e të pandehurve brenda kafazit, një prej të cilëve, duke iu referuar forcave të shumta të policisë tha: “Po pse i lodhe këta atëherë!”
GJYKATA E BLINDUAR

Gjykata për Krimet e Rënda nuk kishte parë ndonjëherë aq masa të forta sigurie, sa ato të djeshmet, para dhe gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore në ngarkim të dyshuarve si pjesëtarë të “bandës së Durrësit”. Prania jo e zakonshme në numër e efektivëve të policisë vihej re në të gjitha anët e jashtme të godinës së Gjykatës për Krimet e Rënda. Oficerë policie të repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të Policisë së Burgjeve, të Komisariatit Nr.3 kishin blinduar ambientet e brendshme dhe të jashtme të Gjykatës. Kësaj “armate” i shtoheshin edhe efektivët civilë të repartit RESI, të cilët ishin më të shumtë në numër se në ditët e tjera. Kontrollet e sigurisë kishin nisur që nga kontrolli me qenin anti-eksploziv të automjeteve të parkuara pranë rrethimit të jashtëm të godinës së Gjykatës. Në këtë kontroll nuk është kursyer as një automjet i parkuar dyshimtë, apo në mënyrë të gabuar, i cili është larguar me anë të një karrotreci. Në ambientet e sallës nr.1 të Gjykatës në të cilën u zhvillua gjyqi, siguria ishte në të njëjtat “maja”. Përveç tre efektivëve që mbulojnë me trup “dëshmitarin e drejtësisë”, të penduarin, Adriatik Coli, të cilët janë gjithmonë të veshur me antiplumb, në sallë dje ishin të pranishëm edhe të tjerë efektivë me të njëjtën veshje. Ndërsa numri i efektivëve në total brenda në seancë, përfshi edhe ata civilë, i kalonte të 20 vetat.
AKUZAT
Në seancën e 15 shtatorit, pak para se shqyrtimit gjyqësor të dosjes së “bandës” t’i jepej fund, përfaqësuesit e Prokurorisë riklasifikuan disa prej akuzave të të pandehurve. Plotësimi i akuzave nga Prokuroria u bë për shkak të ndryshimeve që ka pësuar Kodi Penal, nga viti 1995 e në vijim. Të dyshuarit si “anëtarë” të “bandës së Durrësit” janë gjykuar te Krimet e Rënda për një sërë akuzash të rënda penale, përfshi “vrasjet me paramendim”, të ndodhura në kuadër të organizatës kriminale. Në seancën e radhës, Prokuroria do të paraqesë pretendimet e saj në lidhje me çdo të pandehur, duke kërkuar fajësi apo jo për personat, që sipas saj, kanë qenë “aktivë” në grupin kriminal të njohur si “banda e Durrësit”.
Të pandehurit
Të pandehurit e kësaj dosje janë: Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti dhe Osman Korpuzi.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











