Jevgeni Jevtushenko në dhomën ku u vra Mehmet Shehu, ç’deklaroi disidenti rus për shqiptarët gjatë vizitës në Tiranë më 1991

May 26, 2025 | 13:52

Jevgeny Yevtushenko mbetet një nga të mëdhenjtë e poezisë ruse dhe botërore, i përkthyer në 72 gjuhë. Ai ishte poet dhe disident.

Yevtushenko

Jevtushenko e përqendroi gjithë punën e tij krijuese në krimet e luftës dhe denoncoi antisemitizmin dhe diktatorët. Pasqyrë e kësaj ishte vepra, me të cilën u bë i njohur, Babi Yar, duke përkujtuar përmes saj një nga mizoritë më të tmerrshme naziste të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën dhjetëra mijëra hebrenj u burgosën e të tjerë u vranë në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.

Gazeta “Panorama” risjell krijimtarinë e poetit rus, i cili ka botuar më shumë 150 përmbledhje me poezi dhe u propozua për çmimin Nobel për letërsi, në vitin 1963. Jevtushenko fitoi famë në ish-Bashkimin Sovjetik qysh në moshën 20-vjeçare, ku me poezinë e tij denoncoi Stalinin. Ndërsa famë ndërkombëtare fitoi si një i ri revolucionar me poemën Babi Yar, e shkruar në vitin 1961, poemë që tregoi masakrën e rreth 34.000 hebrenjve nga nazistët dhe denoncoi antisemitizmin që ishte përhapur në të gjithë Bashkimin Sovjetik. Deri në publikimin e Babi Yar, historia e masakrës ishte e fshehur, nën mjegullën e Luftës së Ftohtë.

“Unë nuk e quaj atë poezi poetike”, ka thënë Jevtushenko, në një intervistë në vitin 2007 në Associated Press, në shtëpinë e tij në Tusla, i cili pat ndarë kohën e tij midis Oklahamës dhe Moskës.

“Unë e quaj atë poemë për të drejtat e njeriut; poemë që mbron ndërgjegjen njerëzore si vlerën më të madhe shpirtërore”. Jevtushenko tha se ai e shkroi poemën pas vizitës së tij në vendin e vrasjeve masive në Kiev, Ukrainë, dhe për të memorizuar çfarë ndodhi atje, – një shenjë, disa histori të shënuara, – por nuk gjeti gjë.

“Unë isha i shokuar”, -tha ai. “Unë isha absolutisht i tronditur kur e pashë, që njerëzit nuk mbanin një kujtim në lidhje me të”. Ajo i mori atij dy orë për të shkruar poemën, që nis: “Asnjë monument nuk qëndron mbi Babi Yar.

Një rënie e dukshme, si një gur varri e papërpunuar. Unë jam i frikësuar. Kjo është çfarë ata marrin! Në kulmin e famës së tij, Jevtushenko ka lexuar veprat e tij në stadium duke përfshirë një turmë prej 200 mijë njerëzish në vitin 1991, gjatë një përpjekjeje për grusht shteti, që dështoi, në Rusi. Ai tërhoqi vëmendjen mbi pasionin e poezisë që ishte karakteristikë e Rusisë, ku poezia nderohet më gjerësisht se sa në perëndim. Jevtushenko ka lindur në Siberinë e thellë, në qytetin Zima, një emër që përkthehet për dimrin. Ai u rrit gjatë sundimit të Nikita Hrushovit.

Poezia e tij ishte e hapur. Disa e konsiderojnë se ajo ishte e rrezikshme, edhe pse të tjerë thonë se ai ishte vetëm një disident në sytë e publikut, i cili kurrë nuk i kaloi limitet e asaj çfarë zyrtarët do t’i lejonin. Ai u prek pas bombardimit të qytetit të Oklahamës, ku një grua humbi të afërmit në shpërthimin e vitit 1995, pastaj komentoi se gratë ruse kanë duruar gjithë jetën e tyre vuajtje të tilla. Ai thuhet se ka shprehur dëshirën që të varroset pranë laureatit të Çmimit Nobel, Boris Pasternak.

******

Çfarë deklaroi disidenti rus për shqiptarët gjatë vizitës në Tiranë më 1991

Shkrimtari rus Jevgeni Jevtushenko në dhjetor të vitit 1991 erdhi në Tiranë në një aktivitet letrar në emër të PEN International, dhe ndërkohë kishte mbyllur angazhimin e tij politik si deputet në votimet e fundit njëpartiake (1989) në parlamentin rus.

Jevtushenko është rasti i vetëm kur një personalitet jashtë politikës ftohet dhe mban fjalim në parlamentin tonë pluralist dhe fjala e tij nuk është përfshirë në botimin e Kuvendit për përshëndetjet e personaliteteve të huaja. Seanca u zhvillua me datën 16 dhjetor të vitit 1991 kohë kur Parlamenti drejtohej nga Kastriot Islami. Gazeta “Panorama” mëson se në atë seancë përshëndeti poeti i madh rus Jevgeni Jevtushenko dhe fill pas u paraqit programi i qeverisë së Vilson Ahmetit për të cilin pati diskutime në Kuvend. Ish- kryeparlamentari Kastriot Islami e përshëndeti poetin rus në emër të parlamentareve shqiptarë duke i uruar punë të mbarë në pasurimin shpirtëror të popullit sovjetik, i cili në atë kohë po kalonte momente të zhvillimit të demokracisë.

DITËT NË TIRANË

Shkrimtari i njohur Visar Zhiti në librin e tij “Si na erdhi ai, i ndaluari”, rrëfen me detaje ditët e qëndrimit të shkrimtarit rus në Tiranë në vitin 1991. “Jam i pari shkrimtar rus që vizitoi Shqipërinë pas rënies së Murit të Berlinit, – kështu do të më thoshte Jevtushenkoja, jo pa mburrje, larg, në një vend të huaj e mbase ai ishte dhe shkrimtari i parë i huaj që, ndërsa perandoria komuniste binte, shkelte vendin tonë, por edhe i fundit, thashë me vete, kur diktatura ishte zëvendësuar me një qeveri teknike, mes varfërisë dhe kaosit” tregon Visar Zhiti.

Shkrimtari ynë rrëfen më pas se: “Jevtushenko shumë u ngazëllye me Pazarin e Ri në Tiranë, qe çlodhur nga bezditë e pritjes zyrtare, zhurmat demokratike, nga tronditja që i kishte shkaktuar varfëria, “më e madhe se në Rusi”, kështu kishte thënë, të cilën e dinte më të varfrën në botë. Por ja që ka më të varfër se më të varfrit. Këtë vend e paskan drejtuar kriminelë, iu kthye me mllef të qetë Londos. Në Pazarin e Ri kishte vajtur vetëm, herët në mëngjesin e freskët të atij dhjetori aq të butë. Shitësit e paktë kishin hapur mbi tezgat e lagështa prodhimet e stinës: patate, qepë, mollë, bulmet, më tej zogj, pula, mishra të varura. Gjindja e kishte njohur, po e thërrisnin në emër: Jevtushenko, Jevtushenko, çudi! Ndokush dhe donte t’i jepte ndonjë frutë, mollë a gjelin, ta përqafonte… Lavdia, njohja si kishin arritur deri këtu, me ç’magji? Një natë më parë e kishin parë në televizor, kishte dhënë një intervistë të gjatë dhe kaq mjaftonte për t’u miqësuar me të. Jemi me poetin disident, – e nisi bisedën e saj gazetarja. As jam dhe as më duhet, i kishte mërmëritur Jevtushenkoja Londos, që do të përkthente…

Ecte me hapa të gjatë përmes Pazarit të Ri dhe përshëndeste me dorë a duke tundur kryet leshradrejtë, që, edhe pse të rralluara, në ngjyrën gri të ditës, ia arrinin ballin. Kështu po e përfytyroja. Diku dhe do të ndalej. Për aq sa donte, merrej vesh. Dhe do të zbërthente kopsat e xhaketës a do ta hiqte fare. S’është dimër ky këtu”. Visar Zhiti në rreshtat e librit shkruan se poetin rus “e joshnin pazaret, kuptohet dhe nga poezia e tij “Pazari i Samarkandit”, e kisha sjellë në shqip, që kur isha student”. “I kishin pëlqyer dhe studiot e piktorëve në Tiranë, por sidomos buka thatë me djathë. Ma gjej, e dua patjetër, ndiej pështjellim në stomak. Më thanë se i kishte pëlqyer Jugu, deti…

NË VILËN E MEHMETIT

Jevtushenkoja kishte bujtur në “Bllok”, jo shumë larg vilës së diktatorit Enver Hoxha. “Ndoshta do të kishte dashur ta vizitonte, të shihte dhe telefonat, ku Stalini nga ferri e merrte për t’i dhënë porosi, por jo, ajo vilë ende mbahej mbyllur dhe e çuan të flinte në vilën e kryeministrit të (vetë)vrarë, të Mehmet Shehut. Janë interesante përjetimet e ndryshme në atë vilë misterioze. Zgjime natën, rënkime të përgjakura, ikje për të mos u kthyer më. E dija se atje kishin bujtur dhe të tjerë, me famë, pa famë, që kishin ardhur për vizitë në Tiranë. Nga ata që njihja unë, shkrimtarit nga Prishtina Adem Demaçi, i njohur për burgjet e gjata në ish-Jugosllavi, pas gjumit aty a mosgjumit, sikur iu trondit ca sindroma e mbetur e enverizmit, kështu m’u duk, si me tjetër ankth. Edhe Mentor Çoku, president i Unionit Islamik për Perëndimin në Romë, sikur donte të fliste për natën që kaloi aty. Në zë kishte një si triumf mbi jezitin”, – shkruan Visar Zhiti.

Kurse shkrimtari-shkencëtar, argjentinasi me origjinë arbëreshe nga njëri gjysh, Ernesto Sabato, përmend Zhiti, e refuzoi atë fjetje aty dhe kërkoi ta çonin në një hotel çfarëdo. “Kujtoj piktorin Ibrahim Kodra, e shoqëroja unë si diplomat i Ambasadës sonë në Itali, por edhe si mik. Ne, pjesëtarët e grupit, u shpërndamë nëpër mjedise të ndryshme të vilës, por Mjeshtrit Kodra nuk i thamë që ndodhej pikërisht në dhomën ku vrau veten kryeministri, se me siguri do të zemërohej keqas si besëtytë që ishte”. Teksa endesha mesoreve aty, mundohesha të gjeja se ku mund të ishte tuneli i nëndheshëm nga duhej të kishte dalë vrasësi i kryeministrit. Po dhoma e djalit të tij të vogël, Bashkim Shehut, ku ishte? E njihja që atëherë, e doja edhe si shkrimtar, edhe si bashkëvuajtës, kishte një mirësi të pandryshueshme.

NDODHIA ME AKTOREN

Shkrimtari Visar Zhiti në librin e tij rrëfen dhe një tjetër episode me gruan e aktorit Italian. “Qeshja kur më tregonte shkrimtari Ylljet Aliçka ndodhinë me aktoren Annie Girardot, bashkëshorten e aktorit italian Renato Salvatori, e ftuar nga Ministria e Kulturës. Kur kishin vajtur për ta marrë në vilën kryeministrore, që të vazhdonin programin, vizita a xhirime, nuk e di, ajo, e sapodalë nga dushi, me peshqirin e madh të hedhur mbi trup, kur i thanë për ta habitur nëse e dinte që kishte bërë gjumin e pasdites pikërisht në dhomën ku kishte vrarë veten kryeministri i vendit, qe habitur vërtet, madje tmerruar. Ashtu me peshqir, lakuriq, doli nga vila, vrapoi rrugëve e s’u kthye më. Dhe darka e përcjelljes së Jevtushenkos aty në atë vilë u bë. Ishte dhe ambasadori rus. Patjetër dhe Dritëro Agolli, kryetari i shkrimtarëve shqiptarë.

Kadareja kishte kërkuar azil politik në Francë. Zëvendëskryeministri i qeverisë teknike, gjysmë i dehur, kishte ngritur një dolli për poetët dhe prostitutat, dy kategoritë njerëzore ku ai kishte miqtë. Gjysma e darkëtarëve ishin gra, ulën kryet. Jevtushenkoja u bë më ironik. Buzëqeshte ftohtë, përgjysmë. Të nesërmen në aeroport do t’i thoshte Londos se kishte marrë vesh që shqiptarët ishin të sëmurë. Nga se, e pyet Bardhi me shpoti të pakuptimtë. Nga marrëzia e protagonizmit, e madhështisë, ia ktheu Jevtushenkoja, se mbrëmë dëgjova gjithë ata ministra e shkrimtarë që thoshin, secili për veten e vet, se kishte sjellë demokracinë”,- tregon shkrimtari Visar Zhiti.

******

POEZI NGA JEVGENI JEVTUSHENKO

MOS U LARGO…

Mos u largo… mos u largo prej meje

Kështu do të largohesh dhe nga vetja

Duke tradhtuar veten përgjithmonë

Do të bësh gjënë më të pandershme

Mos u largo… të largohesh është e thjeshtë

Të bashkohesh sërish është e pamundur

Vdekja prej fundesh përgjon çdo lëvizje

Dhe në një çast të shkurtër ajo është e pafundme

Mos u largo… harroje njeriun e tretë

Në dashuri ka vetëm dy. Nuk ekziston i treti

Le të jemi më të pastërtit në Ditën e Gjykimit

Kur boritë do të ushtojnë në kohën e rrëfimit

Mos u largo… e kemi shpërfillur mëkatin

S’na zë ligji, nuk jemi mëkatarë

Së bashku do të jemi më të denjë për të falur

Ata që në zemër na plagosën pa dashur

Mos u largo… kushedi sa largohen këtë çast

A mund të ritakoheni ju të dashuruar në shekujt që vijnë?

A është e mundur dyshja juaj në botë

Po dyshja jonë? Vetëm mërzi për fëmijët

Mos u largo… ma jep dorën

Në të kam shkruar: unë të besoj gjer në fund

Ajo që e bën dashurinë të tmerrshme

Nuk është dashuria, por frika nga humbja.

******

JO, NUK DUA TË MARR GJYSMËN E GJITHÇKAJE

Jo, nuk dua të marr gjysmën e gjithçkaje.

Më jep tërë qiellin! Tokën e pafundme ma sill afër!

Detet, lumenjtë dhe ortekët malorë

Të gjitha janë të miat! S’pranoj asgjë më pak!

Jo, jetë, ti nuk mund të më gënjesh me një pjesë.

Le të jetë gjithçka, ose asgjë. Unë mund ta bëjë këtë, mund!

Nuk dua kurrsesi gjysmë lumturie

Dhe gjysmë trishtimi, nuk dua!–

Megjithatë ka një jastëk që do ta ndaj përgjysmë

Aty ku shtypet butësisht faqja jote

Si një yll që këputet, një yll që shket shpejt

Unaza shkëlqen në gishtin tënd.

******

E TMERRSHME, TË MOS KUPTOHESH…

E tmerrshme të mos kuptohesh,

të mos kuptohesh dhe të përqafohesh,

por sado qoftë e çuditshme,

është njësoj, po aq e frikshme

Por lëndojmë njeri-tjetrin, gjithsesi.

Por unë ca gjëra, tashmë i di,

shpirtin tënd të brishtë assesi

s’dua ta bëj fli me moskuptimin

dhe as ta vras me mirëkuptimin.

******

ADAMI DHE EVA PA PARTI

Adami dhe Eva nuk patën parti,

Arkën e sajoi Noè i paparti.

Të gjitha partitë me buzëqeshje

Dhe djalli shije ferri ka.

qenë krimbi dhe gjarpëri bashkë.

njerëzit më pas u krimbëzuan.

Politika shpiku policinë më parë,

politika shpiku udhëheqësit,

donte t’i shihte të gjallët të ndarë

dhe ndau nëpër parti njerëzit.

Ku është partia e vejushave, të gjymtuarve,

Ku është partia e fëmijëve, familjeve?

Ku është kufiri mes Magadan-it¹

Partitë kanë për t’i kujtuar si diçka të largët,

si diçka të egër prej Babilonisë së dikurshme.

Dhe bota do të jetë plot kopshte, e blertë

Dhe jeta në botë do të jetë,

për të gjithë veç mrekulli.

Një parti, një fe do të jetë.

Me emrin e thjeshtë – Njeri.

******

DREQI E MORI, JAM PROFESIONIST

Jam profesionist, dreqi e mori.

Gjëra të bukura mund të krijoj

me lotët që shoh kudo dhe më lodhin,

mbush stilografin tim si të jetë bojë.

Mjeshtëri e poetit ësht’e turpshme

se nis me rima rrëfen siç ka qejf,

kur të tjerët e nxjerrin të gëzueshme,

ai dhembjet e jetës nxjerr në treg.

Gjakun e tjetrit pi kush është poet,

por jo se e ka qëllim në vetvete,

urrej dhe veten për këtë pushtet

që ka fjala kur me dhembje ushqehet.

Ti, si u ngrite, o lavdi të ndyrësh

mbi sa eshtra, mbi sa lotë të hidhur?

Mallkuar qofsh, o mjeshtëri vampirësh,

që poshtërsisht me poezi je ngritur.

Për këtë mjeshtëri falje s’mund të ketë.

Gjak i tjetrit u ngjan si trëndafil…

Këtu veç njihet poet i vërtetë,

kur për vetë fjalën, ndjen neveri.

******

LAMTUMIRË FLAMUR I KUQ

mbi atë rajshtag në flakë

mashtrim i madh gjithçka.

Armik të patëm dhe vëlla të mirë.

Të patëm në llogore shok,

por e kuqja jote u bë gardh,

mbushur përplot me të mjerë

të burgosur porsi skllevër.

gjithë ata që nga varri s’çohen.

Por dhe ti je për t’u kujtuar,

ke qenë dhe ti një i mashtruar.

lotë s’gjej ndër sy për të fshirë

sepse ti me tërbim na godet

me cepat e tu të kuqërremtë.

Hapin e parë drejt lirisë

ti flamur na jepje shtysën

të mos na shkelte me këmbë sërish

Mbaj mend, kur qemë fëmijë

kur luanim donim të ishim “të kuqtë”

“të bardhët” qenë të këqijtë.

por ai Atlantida qe për ne

Shtrirë tani ai flamur, si peng,

shtyhen blerësit, kush e kush ta marrë.

S’ kam sulmuar Pallatin e Dimrit si revolucionar.

S’kam qenë mbi Reichstag.

Jo, s’kam qenë as “komunar”.

Por shoh këtë flamur e më vjen për të qarë…

******

QENIT TIM

Te dritarja ngjesh hundën e zezë,

dhe pret qeni, gjithnjë dikë pret.

Në qimet e tij duart i ngjesh,

dhe unë gjithashtu, dikë e pres.

Të vjen ndërmend, hë, o qen,

dikur këtu banonte një femër.

a ndoshta do të ketë qenë ime bijë,

që ndonjëherë i kërkoja ndihmë.

Ajo është larg… Dhe ti po hesht.

Këtu s’do të vijë më ndonjë femër.

O qen i shtrenjtë, sa t’mirë të kam,

por ç’e do që ti nuk pi, eeeh, gjynah!

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura