Që të krijosh një shoqëri aksionere me ofertë private, duhet që të deklarohet një kapital minimal prej 35 milionë lekësh. Ky është propozimi që vjen në ndryshimin që i është bërë ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, një propozim i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Sikurse shpjegon edhe relacioni që bashkëshoqëron projektligjin, kjo nevojë për rritje të dyshemesë për kapitalin minimal të krijimit të një shoqërie aksionere bëhet në kuadër të përafrimit të legjislacionit me vendet e BE-së. Pas nënshkrimit të MSA-së, trajtimi në mënyrë të barabartë i shoqërive tregtare europiane me ato shqiptare është një kusht. “Ky projektligj synon të trajtojë në mënyrë të barabartë sh.a-të me ofertë private të VE-së dhe ato shqiptare. Rrjedhimisht, të gjitha këto lloj kompanish do të mund të krijohen me një kapital minimal prej 25 mijë eurosh në të gjithë BE-në, si dhe në Shqipëri”, thuhet në relacionin e projektligjit. Ndërkaq, ky nivel minimal kapitali do të ketë vlerë edhe për shoqëritë aksionare të krijuara më herët, për të cilat është dashur një kapital më i ulët sipas ligjit në fuqi, i cili pranon një vlerë 20 milionë lekë apo 16 mijë euro si kapital minimal. Për këto shoqëri do të lihet afat deri në një vit nga hyrja në fuqi e ligjit për të rritur kapitalin, të paktën deri në shumën 35 milionë lekë apo 25 mijë euro. Projektligji parashikon sanksione ekstreme për ata që nuk do të respektojnë këtë kufi minimal kapitali. “Shoqëritë aksionere ekzistuese me ofertë private, të cilat nuk përmbushin detyrimin për të rritur kapitalin në vlerën që përcaktohet, vlerësohen të prishura dhe çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit pas përfundimit të procedurës së zbatueshme të likuidimit”, thuhet në nenin 2 të projektligjit të propozuar.
35 milionë lekë
duhet të jetë vlera minimale e kapitalit për krijimin e një shoqërie aksionere me ofertë private sipas propozimit të Ministrisë së Ekonomisë në projektligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.











