Kreu i PS Vlorë ikën tek LSI, Toçi: Shitje dinjiteti

Oct 21, 2011 | 16:40

TIRANE- Vetëm pak orë pas lajmërimit të dorëheqjes së kreut të Partisë Socialiste të rrethit Vlorë, Kujtim Sulçe dhe kalimit të tij tek LSI, ka reaguar deputeti i PS-së, Fatmir Toçi i cili e ka quajtur dorëheqjen e Sulçes, një shitje të shëmtuar dinjiteti.

Më herët gjatë ditës, Sulçe e justifikoi dorëheqjen e tij me faktin se janë shkelur të gjitha parimet në Partinë Socialiste, parime mbi të cilat është ngritur kjo parti, tha ai.

Deklarata e plotë e deputetit të PS-së, Fatmir Toçi

Dëgjova sot me keqardhje lajmin se Kujtim Sulçe, kryetari i PS të rrethit të Vlorës ka dhënë dorëheqjen dhe ka kaluar në kampin e LSI-së. Ka qenë nga një miqtë e mi më të afërt në Vlorë me të cilin për vite me radhë na ka lidhur ideali i përbashkët rreth programit të Partisë Socialiste, lufta e përbashkët kundër korrupsionit, kundër drejtimit kriminal të vendit nga aleanca hibride PD + LSI, përpjekjet për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë dhe forcimit të vazhdueshëm të strukturave të PS, si e vetmja forcë që do të mund ta nxjerrë vendin nga varfëria dhe ta integrojë atë në strukturat e Bashkimit Evropian.

E konsideroj veprimin e kryer prej tij, jo vetëm të nxituar, por edhe të gabuar, pavarësisht nga pretendimet dhe argumentet që ai ka sjellë për vendimin e tij. Siç ja kam kumtuar edhe atij vetë, asnjë lloj justifikimi nuk mund të përligjë këtë veprim, të tradhtojë qindra mijëra socialistë vlonjatë më të cilët ka punuar për dy dekada, për qejfmbetje apo interesa personale, të cilat unë i di dhe i kemi debatuar ditët e fundit.

Kujtim Sulçe, akoma i turbulluar nga oferta çburrëruese e atyre që e shohin politikën si merkato dhe si fushë interesash e përfitimesh të paskrupullta nuk e ka kuptuar akoma se ç’ka humbur. Ka humbur dinjitetin dhe personalitetin e njeriut, ka humbur shokët e vërtetë dhe miqësitë e sinqerta, ka humbur dashurinë dhe simpatinë e vlonjatëve të zhgënjyer prej tij. Dhe përse? Për një vend pune dhe përfitime të tjera. Si mik i tij ia kam thënë dhe ia them përsëri: nuk shitet dinjiteti dhe ideali me para.

Ngulmoj të them se nuk ka vend për të debatuar mbi argumentet e tij. Ato mund t’i konsideroja për debat vetëm nëse nuk do dija, personalisht, të vërtetën që vetë Kujtimi më ka rrëfyer mua kur ishte ende i turbulluar nga oferta e Ilir Metës. Ka ikur tek Ilir Meta për interesa e favore, e jo për parime. Problemet dhe shqetësimet, edhe kur janë vërtet të tilla, zgjidhen brenda familjes. Ka ikur tek Ilir Meta për karrige jo për argumente. Ka ikur nga PS-ja si një i shitur i radhës, jo si një socialist idealesh.

Fjalët e sotme të Kujtimit e bëjnë edhe më të turpshme tradhtinë e tij dhe shumë më të ulët figurën e tij. E kam pasur mik por sot i them: na ke zhgënjyer të gjithëve.

© Panorama.al

Te lidhura