Kreu i PS së Vlorës bashkohet me LSI: Rama drejton pa pyetur

Oct 22, 2011 | 12:27
Ish-kryetari i PS-së së rrethit të Vlorës, Kujtim Sulçe

Kryetari i PS-së së rrethit të Vlorës, Kujtim Sulçe, u largua dje nga kjo parti për t’iu bashkuar LSI-së. Shkak i këtij vendimi, sipas Sulçes, është mënyra se si Edi Rama po drejton PS në mënyrë të personalizuar dhe pa u konsultuar me strukturat e PS të zgjedhura. “Në këto vite që Partia Socialiste drejtohet nga z. Rama, mund të deklaroj prerazi që demokracia në parti nuk ekziston, që strukturat partiake nuk funksionojnë, që mendimi kolegjial nuk merret në konsideratë, që vendimmarrja për të gjitha problemet bëhet nga një njeri dhe ky është z. Rama. Për ta bërë më konkrete, po ju jap disa shembuj. E para, Kryesia e Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk funksionon prej shumë kohësh dhe vendimmarrja në emër të saj bëhet nga kryetari. E dyta, përzgjedhja e kandidaturave për kryetar bashkie e komunash nuk u bë nga strukturat e partisë, por nga kryetari dhe deputetët e zonave. E treta, në një vit e gjysmë që unë jam kryetar i partisë për rrethin, z. Rama nuk ka ardhur asnjëherë në selinë e Partisë Socialiste, nuk më ka marrë asnjëherë në telefon, dhe kjo situatë është e njëjtë për të gjitha rrethet. E katërta, punët e partisë z. Rama i bën me të zgjedhurit vendorë. Ata janë të deleguar në fushata partie. Ata caktojnë delegatët e kongresit. Madje kanë arritur deri aty sa të caktojnë edhe kryetarin e partisë, të bashkisë apo komunës”, u shpreh Sulçe dje përmes një deklarate për mediat. Ai tha se “deklaron dorëheqjen nga të gjitha funksionet që mban në Partinë Socialiste dhe largimin e tij nga radhët e kësaj force politike, pasi “e shikoj të pamundur për të vazhduar punë normale dhe kjo për shkak të drejtimit personal të Partisë nga z. Rama. Dorëheqja nga partia nuk ka qenë e lehtë”. Sulçe deklaroi bashkimin e tij me LSI-në. “E zgjodha këtë parti për të vazhduar politikën si një parti e re progresiste e majtë, një parti që mbron idealet e luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, një parti që lufton për integrimin e Shqipërisë në BE, për të dhënë dhe unë ndihmesën time modeste në politikë”, u shpreh Sulçe.
Dje, deputeti i qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi, reagoi ndaj dorëheqjes së kreut të PS së rrethit Vlorë duke e quajtur “një shitje të shëmtuar dinjiteti”. “Kujtim Sulçe, akoma i turbulluar nga oferta zhburrëruese e atyre që e shohin politikën si merkato dhe si fushë interesash e përfitimesh të paskrupullta, nuk e ka kuptuar akoma se ç’ka humbur. Ka humbur dinjitetin dhe personalitetin e njeriut, ka humbur shokët e vërtetë dhe miqësitë e sinqerta, ka humbur dashurinë dhe simpatinë e vlonjatëve të zhgënjyer prej tij. Dhe përse? Për një vend pune dhe përfitime të tjera. Si mik i tij ia kam thënë dhe ia them përsëri: nuk shitet dinjiteti dhe ideali me para”, shprehet Toçi në një deklaratë të shpërndarë për mediat.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura