Kreditë për biznesin, bankat shtrëngojnë kushtet

Oct 19, 2011 | 11:25
Banka e Shqiperise

Konsumatorët dhe biznesi presin që ecuria e ekonomisë në vend të jetë më pozitive në muajt në vijim. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë del në përfundimin se treguesi i ndjesisë ekonomike për tremujorin e tretë të vitit u përmirësua, edhe pse në nivel modest prej 0.6 përqindësh. Këtë rritje e mbështet përmirësimi i besimit në sektorë si industria, ndërtimit dhe shërbimet, por edhe konsumatorët.
Biznesi
Sektori i industrisë, në ndryshim nga tremujori i dytë i vitit, kur pati një përkeqësim të besimit, gjatë tremujorit të tretë pati një përmirësim prej 1.7 përqindësh. “Veçanërisht, problemet me energjinë elektrike, korrupsioni, ekonomia informale, gjendja e rendit dhe e sigurisë në vend, si dhe klima e brendshme politike kanë ulur ndikimin negativ në aktivitetin e bizneseve të industrisë”, thuhet në vrojtimin e BSH. Një efekt pozitiv në industri ka pasur kërkesa e jashtme. Për tremujorin e katërt, biznesi që operon në sektorin e industrisë pret zhvillime më pozitive. Me një optimizëm më të lartë shfaqet edhe treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit, i cili, krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, shënoi një rritje me 3.5 për qind. Gjithsesi, ndërtuesit ankohen për kuadrin ligjor dhe zbatueshmërinë e tij, korrupsionin dhe ekonominë informale. Shfrytëzimi i kapaciteteve në këtë sektor është afër mesatares historike, çka shihet pozitivisht. Gjendja ekonomike e kompanive vijon të vlerësohet si negative, por me një masë më të ulët sesa në tremujorët e hershëm. Në sektorin e shërbimeve besimi i rrit me 3 pikë përqindje. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është mbi mesataren afatgjatë, por edhe në këtë sektor, klima politike, ekonomia informale dhe kuadri ligjor vijojnë të jenë pengues të aktivitetit. Edhe konsumatorët shprehen më optimistë për tremujorin e katërt të vitit. Lidhur me gjendjen financiare, konsumatorët vërejnë se situata e tyre ka vijuar e njëjtë.
Kreditimi
Bankat kanë vijuar të shtrëngojnë dhënien e kredive si për biznesin, ashtu dhe për konsumatorët. Një ndër arsyet që duket se ka ndikuar direkt në shtrëngimin e kushteve të dhënies së kredive ka qenë portofoli i huave me probleme, i cili deri në fund të muajit shtator ishte 18 për qind, por edhe situata ekonomike ka dhënë efekt negativ. “Njëkohësisht, ekspertët e bankave kanë vlerësuar se gjendja e likuiditetit, huat me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme ndikuan në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë për individët”, thuhet në vrojtimin e BSH. E, ndërsa oferta ka qenë me kushte të shtrënguara, edhe kresa e bizneseve dhe individëve për kredi ka qenë më e ulët gjatë tremujorit të tretë të vitit, ndërsa për tremujorin në vijim pritet që kërkesa të rritet.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura