Krasniqi nxjerr Pacollin jashtë loje

Apr 5, 2011 | 11:14

Zgjedhja e Presidentit në Kosovë është bërë akoma më e komplikuar nga sa ishte parashikuar.AKR-ja kërkon që President i vendit të jetë vetëm Pacolli, opozita kërkon që President i vendit të mos jetë absolutisht Pacolli, ndërsa variantet për kandidatë të mundshëm shtohen. Qeveria e Thaçit, përpos kërcënimeve nga AKR-ja se do të largohet nga koalicioni nëse Pacolli nuk rivendoset President, rrezikon një dështim të thellë brenda votave të deputetëve të saj për kandidatin presidencial. Jo të gjithë deputetët e PDK-së e duan Pacollin dhe jo të gjithë qëndrojnë në krah të Thaçit si dikur. Aktori kryesor i skenës politike në Kosovë duket se është bërë Jakup Krasniqi. Në pritje të Pacollit për të bërë dorëzimin e detyrës së Presidentit (një ceremoni që Pacolli nuk e ka me qejf), Kryetari i Kuvendit ka kërkuar një marrëveshje me opozitën për çështjen e Presidentit dhe një ndryshim në Kushtetutë. Vetëm hyrja në diskutime me opozitën do ta eliminonte tërësisht variantin e Pacollit nga Presidenca. Sipas Krasniqit, PDK-ja nuk duhet më të zhvillojë bisedime vetëm me AKR-në në lidhje me Presidentin. “Tani gjendja është kthyer në zero. Unë mendoj se paraprakisht një marrëveshje politike mes partive që janë në Kuvend, është e domosdoshme për të ecur më tej, për të zgjedhur Presidentin. Ne konsiderojmë se janë dy-tri mundësi që kemi përpara. Mundësia e parë është që partitë politike të bëjnë një marrëveshje dhe të bëjnë një zgjidhje të një kandidati të mundshëm për president. Çështja tjetër është të ndërrohet Kushtetuta brenda këtij afati sa mund të shfrytëzohet detyra e ushtruesit të detyrës së Presidentit dhe të shkohet me zgjedhje nga qytetarët”, tha Krasniqi në një intervistë për REL. Kryetari i Kuvendit tha se të mërkurën, ai do të mbledhë të gjitha përfaqësuesit e partive politike në vend për çështjen e Presidentit.
Takimet “sekrete” me Dell
Liderët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së kanë nisur takimet me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kristopher Dell, në kërkim të opsioneve për daljen nga situata aktuale politike, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit si President ishte proces antikushtetuese. Sipas burimeve të “KosovaOnline”, brenda AKR-së dhe LDK-së Dell ka mbajtur një takim të përbashkët me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ish-Presidentin Behgjet Pacolli. Ai ka takuar edhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa. Tema ka qenë vetëm një: zgjedhja e Presidentit. Sipas “Koha Ditore”, pasditen e djeshme, makina e Pacollit është parë të hyjë në Ambasadën Amerikane, në takimin e dytë brenda ditës mes Pacollit dhe Dell. Nga AKR-ja, burime “anonime” kanë njoftuar se Pacolli e ka kundërshtuar kandidaturën e mundshme të Agim Çekut si President konsensual dhe ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit të Ibrahim Makollit nga AKR-ja, por edhe ndryshimin e nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës.
Kushti i LDK-së
LDK-ja do ta pranonte Pacollin për President, vetëm nëse paraprakisht do të siguronte një marrëveshje, se deri në verën e vitit 2012 vendi do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme, parlamentare dhe presidenciale. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë për emisionin “Rubikon” të transmetuar mbrëmë në KTV, me besimin se opozita në Kosovë ka më shumë vota se sa pozita, tha se është i vendosur që të mos lejojë zgjedhjen e Presidentit pa konsultimin paraprak mes partive parlamentare. Ai fajësoi Thaçin për situatën aktuale, dhe paraqiti kushtin e tij për të ndihmuar në kapërcimin afatshkurtër të krizës. Mustafa tha se koalicioni qeverisës do të mund të llogarisë në pjesëmarrjen e deputetëve të tij në Parlament gjatë votimit të Presidentit, vetëm nëse nënshkruan kontratë me Thaçin dhe partitë parlamentare, që pas një viti vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Paketa e tij është mbështetur edhe nga AAK-ja.

“Besnikë të koalicionit, por President, vetëm Pacolli”

Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re kanë zhvilluar një takim të përbashkët dje pasdite mbi zhvillimet politike aktuale në vend, e kryesisht mbi zgjedhjen e Presidentit. Sipas mediave të Kosovës, takimi ka zgjatur disa orë. Në të kanë marrë pjesë edhe disa nga këshilltarët e Pacollit, të cilët kanë punuar në kabinetin presidencial për më shumë se një muaj, kur ai ishte President. Pas takimit, ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, përmendi dëshirën e kësaj partie për të respektuar koalicionin qeveritar, por edhe kushtet për ta bërë këtë. Aleanca Koosva e re kishte raportuar më parë se do të braktiste koalicionin qeveritar, nëse Pacolli nuk zgjidhej President i vendit, pasi ky ishte kushti kryesor i marrëveshjes së AKR-së me PDK-në. Të gjithë drejtuesit e lartë të kësaj partie ranë dakord për të mos toleruar në tri pika:

1. AKR mbështet koalicionin në të gjitha pikat dhe kërkon zbatimin e saj të plotë

2. Vetëm Pacolli dhe askush tjetër duhet të jetë president

3. Opozita duhet të jetë konstruktive

Nëse të tria këto nuk respektohen, atëherë AKR-ja do të rishikojë seriozisht marrëveshjen me PDK-në. Makolli nuk tha se përfundimisht ata do të dilnin nga koalicioni.

Kërkesa në Kushtetuese

Qeveria e Hashim Thaçit ka dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, për të sqaruar nëse prania e të gjithë deputetëve në sallë gjatë votimit të Presidentit është obligim kushtetues. Ky dyshim u nxit nga vetë Gjykata, kur në vendimin e vet të fundit lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së Pacollit bojkotimi i seancës nga deputetët e opozitës ka qenë i paligjshëm.

Vetëvendosja propozon Demaçin

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Adem Demaçin, si personin e duhur për të qenë President i Kosovës. Këshilli i kësaj lëvizjeje në Podujevë deklaroi se veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, do të përfaqësonte unitetin e popullit dhe do gëzonte përkrahjen e shumicës së deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Sipas gazetës kosovare “Zëri”, Vetëvendosje ka deklaruar se zgjedhja në këtë pozitë e Demaçit do të kthente dinjitetin e nëpërkëmbur të institucioneve të Kosovës dhe do të faktorizonte korpusin politik shqiptar. Për më tepër, do ishte një njohje e kontributit të tij nga elita politike dhe intelektuale për përpjekjet e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Agim Çeku e pëlqen ofertën për President

Ministri aktual i Forcës së Sigurisë në Kosovë, Agim Çeku, ish-kryeministër i Kosovës, ka komentuar se nuk do ta refuzonte ofertën për të kandiduar për postin e Presidentit të Kosovës. Sipas televizionit shtetëror RTK, Çeku është shprehur se për hir të stabilitetit të vendit, do të pranonte që të kandidonte për President. Megjithatë, kjo varet nga kërkesa e subjekteve politike të Kosovës. Emri i Çekut si kandidaturë e mundshme për Presidencën, doli pasi të gjitha partitë opozitare në Kosovë kërcënuan se do të bojkotonin sërish seancën e zgjedhjes së Presidentit nëse kandidonte Pacolli. Çeku është në koalicionin e Pacollit dhe mund të ishte “shpëtimtari” i shumicës.

Wilkileaks: SHBA presion Indisë për Kosovën

Një dokument i fundit i kabllogrameve amerikanë të publikuar nga Wikileaks, ka treguar se administrata amerikane i ka kërkuar Indisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, duke i kujtuar se kjo është shumë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit. Përgjigja e Nju Delhit ishte negative, nga frika e përsëritjes së skenarit me rajonin e vet separatist, Kashmirin, sipas dokumentit të klasifikuar nga këshilltari politik në Ambasadën Amerikane të Nju Dehlit, Ted Osius. Kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA është bërë më 12 shkurt 2008, përpara se Kosova ta shpallte pavarësinë dhe ambasadori amerikan në Indi, David C. Mulford, i kërkoi Indisë të bashkohej sa më shpejt me SHBA-në dhe partnerët kyç europianë në njohjen e Kosovës.


© Panorama.al

Te lidhura