KQZ, si ndahen 200 milionë për partitë

Mar 25, 2011 | 10:31

Partia Socialiste votoi dje vetëm një nga gjashtë projektligjet e rendit të ditës. Së bashku me votat e opozitës, maxhoranca miratoi dhënien e një fondi prej 65 milionë lekë të rinj për partitë që janë regjistruar në zgjedhjet e 8 majit.Ndërkohë, në pesë projektligjet e tjera, deputetët e PS-së ishin të pranishëm në seancën parlamentare, por nuk morën pjesë në votim. Sipas këtij vendimi të miratuar në mbledhjen e djeshme me 116 vota pro, 65 milionë lekë do të ndahen mes partive që janë regjistruar tashmë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor, në nenin 87, parashikon që 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend dhe gjysma tjetër ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend.
Vendimi i KQZ
Në të njëjtën kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje vendimin për shpërndarjen e fondit vjetor për partitë politike. Rreth 200 milionë lekë të reja janë shpërndarë mes shtatë partive që kanë marrë më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare. Partia Demokratike, e cila ka marrë 68 deputetë në 28 qershor, do të marrë në prag të nisjes zyrtare të fushatës 83 milionë lekë të reja. Ndërsa Partia Socialiste, që në zgjedhjet e fundit mori 65 deputetë, do të ketë 80 milionë lekë të reja. Në vend të tretë është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila, falë katër deputetëve të nxjerrë nga lista e vitit 2009, do të marrë 11 milionë lekë, ndërsa Partia Republikane do të marrë 8 milionë lekë. Pas PR-së është renditur PBDNJ-ja me 7.9 milionë lekë, rreth 200 mijë lekë më shumë se Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. E vetmja parti që nuk ka nxjerrë deputetë, por që ka përfituar fonde, pasi ka marrë mbi 1% të votave, është Partia Social Demokrate, e cila do të fusë në arkën e saj 352 mijë lekë. Jashtë kësaj liste kanë ngelur edhe Partia Demokristiane dhe Partia G99, të cilat kanë marrë më pak se 1 për qind të votave. Këto dy parti kanë marrë përkatësisht 0.88% dhe 0.86% të votave.

Fondet që përfitojnë partitë

PD            83.582.781 lekë
PS             80.677.952 lekë
LSI            11.688.435 lekë
PR            8.101.000 lekë
PBDNJ        7.917.61 lekë
PDIU        7.679.610 lekë
PSD        352.000 lekë

Regjistrimi i kandidatëve
Kodi Zgjedhor përcakton në nenin 67; “lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive” mënyrën se si regjistrohen kandidatët në zgjedhjet e pushtetit vendor. “Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar komune apo bashkie dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

Shamku: Listat, 64 persona banojnë në universitet privat

Deputetja e PS-së, Ledi Shamku, reagoi dhe për mediat, duke thënë se po shtohen persona artificialisht në listat e Tiranës për zgjedhjet lokale. Sipas saj, vetëm në Minibashkinë Nr. 10 ka mjaft persona që nuk njihen më parë, por që rezultojnë votues në Tiranë. “Godina mbrapa meje është universitet privat. Universitet tek i cili rezulton se banojnë 64 veta. Ja tek i keni listat. 64 votues, 64 veta për Sali Berishën, Lul Bashën dhe për kë bën listat këtu te Njësia Nr. 10. 64 veta banojnë te kjo godina e universitetit; flenë, jetojnë, hanë, rrinë këtu e, natyrisht, do të votojnë këtu. 64 fantazma dhe, sikur të mos mjaftojë, këtyre 64 fantazmave u shtohen dhe 7 votues të rinj, të cilët janë shtuar në listat e 2011-s krahasuar me listat e 2009-s”, tha Shamku, e cila shtoi se do të njoftohen organizmat ndërkombëtarë për këtë situatë.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura