Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë dje kërkesën e Partisë Socialiste për të ndryshuar vendin e rreth 20 qendrave të votimit në Bashkinë e Kamzës, të cilat janë vendosur në ambiente private. Pas rreth dy orësh mbledhje për këtë çështje, katër anëtarët e djathtë në KQZ vendosën t’i kërkojnë administratës të verifikojë vetëm 4 qendra votimi nga ato që kërkon PS-ja, lidhur me sipërfaqen, nëse plotësohen kushtet e Kodit Zgjedhor. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salinji, u shpreh se kjo çështje do të shkojë në Kolegjin Zgjedhor. Në fillim të mbledhjes, KQZ-së, Arben Ristani, lexoi një letër të kreut të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, në të cilën thuhej se në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009, në këto zgjedhje janë katër qendra votimi më pak në ambiente private. Në të njëjtën kohë, drejtori Juridik i Bashkisë së Kamzës, i thirrur në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, u shpreh se qendrat e propozuara janë në përputhje me Kodin Zgjedhor, ndërsa ato që propozon Partia Socialiste për t’i zëvendësuar janë jashtë hartës së blloqeve të banimit. Kërkesa e PS-së për ndryshimin e rreth 20 qendrave të votimit për shkak se janë ngritur në ambientet e militantëve të PD-së, u kundërshtua edhe nga përfaqësuesi ligjor i demokratëve në KQZ, Njazi Kosovrasti. Sipas tij, në këtë periudhë qytetarët janë lajmëruar për vendin ku ndodhen qendrat ku ata do të drejtohen më 8 maj dhe një kërkesë 2 javë para zgjedhjeve për të ndryshuar qendrën e votimit synon t’i çorientojë votuesit dhe t’i lërë ata po votuar. Anëtarët e majtë në KQZ, Subashi, Laze e Varfi, u shprehën pro kërkesës së PS-së për t’i hequr qendrat e votimit nga ambientet private. Në fund, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, hodhi në votë propozimin për t’i rekomanduar kreut të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, t’i rishqyrtojë edhe njëherë qendrat e votimit ku nuk plotësohet kriteri i sipërfaqes, çka do të thotë se nga 20 qendra që u kontestuan nga PS-ja, vetëm katër prej tyre mund të ndryshohen. Në të njëjtën kohë, KQZ-ja pranoi me pesë vota pro, përfshi edhe atë të Artan Lazes, një kërkesë për të shtuar në listën e zgjedhësve të qytetit të Durrësit edhe 82 të paraburgosur. Emrat e tyre ishin dërguar në Bashki më 28 mars, afati i fundit për regjistrimin e tyre, por njësia vendore e kishte protokolluar letrën një ditë më vonë, duke e nxjerrë atë jashtë afatit. Pas miratimit të vendimit pritet të ketë një tjetër akt ku do të gjobitet kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, për lënien jashtë listave të këtyre qytetarëve.
Bashkia e Durrësit reagon për gjobën
Lidhur me vendimin e djeshëm të KQZ-së ka reaguar Bashkia e Durrësit, e cila, përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se “vendimi i anëtarëve të qeverisë në KQZ përbën jo vetëm një shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, por nxjerr në pah edhe natyrën politike të vendimmarrjes së këtij komisioni. Bashkia e Durrësit, lidhur me pretendimet që çuan në penalizimin e saj me gjobë nga ana e KQZ-së, ka vepruar konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij. Lista me emrat e të burgosurve është sjellë nga autoritetet e Burgjeve jashtë afateve ligjore”.











